A2, Afrim Krasniqi, i ftuar në Ditarin e orës 19:00, zbuloi se disa përfaqësi ndërkombëtare i kanë kërkuar në mënyrë direkte Partisë Socialiste evitimin e disa figurave nga ekipi i ri drejtues.

Ju pëlqen!

Krasniqi i bëri edhe një analizë situatës aktuale politike në vend dhe konkretisht lëvizjeve të fundit të presidentit.

Letra e Presidentit në Bruksel

“Është një letër jo normale në komunikimin institucional, pasi kryetari i shtetit shqiptar i drejtohet misionit ndërkombëtar dhe partnerit kryesor në Evropë, për një problematikë të krijuar në Shqipërisë. Thelbi i letrës nuk është thjesht përkrahja apo jo ndaj qeverisë, por është mungesa e përgjigjes nga misioni Euralius ndaj kërkesës së presidentit. Deri diku, ndërkombëtarët e kanë bojkotuar atë që quhet “nisma e presidentit”.

“Drejt një konflikti të ri politik”

“Ka një përshkallëzim të krizës. Presidenti ka paralajmëruar që mund të dalë në protesta në vende të ndryshme dhe do ta përshkallëzojë aksionin e tij, tashmë, politik. Nga ana tjetër, mazhoranca ka humbur thelbin e përfaqësimit demokratik. Sot, janë dhënë falas 89 vota ndaj nismës që është dukshëm antikushtetuese (KÇK). Një parlament që nuk ka opozitë, me përjashtim të një grupi të vogël. Parlamenti nuk kërkon llogari, nuk zbaton ligjin për konsultim publik. Në këto rrethana, vendi po shkon drejt një konflikti të ri politik, një përpjekje të palëve për të testuar nëse vendi është i përgatitur për zgjedhje të parakohshme apo jo. Palët kanë nisur, deri diku, fushatën elektorale. Fjalimet në Kongresin e PS-së ishin elektorale. Deri diku, edhe opozita ka hedhur njërën këmbë drejt protestave të ardhshme”.

Meta President dhe Meta faktor politik

“Në shumë elemente, presidenti nuk ka më sjellje presidenciale. Kjo, për shkak se disa argumente të tij të qëndrueshëm e kanë kaluar agjendën presidenciale. Ai ka zgjedhur të jetë aktor politik dhe në mënyrë automatike nuk është më një kryetar shteti, që ofron përfaqësimin. Edhe gjuha e komunikimit nuk është normale, as e individëve që takohen në rrugë, jo më mes presidentit dhe kryeministrit. E vetmja zgjidhje është të kalojmë në zgjedhje të parakohshme. Janë 4 apo 5 bashki, ku askush nuk po thotë se çfarë do të ndodhë”.

“Të gjithë politikanët kanë frikë nga SPAK”

“Siç po shkojnë gjërat, të gjithë janë të vendosur të mos e lejojnë që SPAK-u të hetojë ndonjë dosje. Shenjat janë që asnjë nga politikanët kryesorë nuk është objekt hetimor. Rasti i dosjeve të Durrësit dhe Dibrës janë shembull”.

“Ndërkombëtarët i kanë kërkuar PS-së evitimin e disa figurave”

“Problemi i partive politike është se ndryshe thonë dhe ndryshe bëjnë. Po ju them një zhvillim që ka ndodhur gjatë ditëve të fundit. Unë di që disa përfaqësi ndërkombëtare i kanë kërkuar në mënyrë direkte Partisë Socialiste evitimin e disa figurave nga ekipi i ri drejtues i kësaj partie dhe ende nuk ka një përgjigje pozitive. E njëjta gjë i është kërkuar edhe aktorëve të tjerë në raste specifike. Partitë politike duhet të distancohen një orë e më parë nga këta lloj individësh. Së dyti, nëse do të jesh i besueshëm në këtë retorikën kundër atyre që quhen “bota e krimit”, duhet bërë një kat’harsis dhe një falje publike. Shumica e këtyre grupeve kanë zgjedhur drejtorë, ministra, kanë dhënë leje ndërtimi, e të tjera”.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!