Në vitin 1999, Genc Hoxha ishte një prej emrave më të njohur të futbollit në Kosovë. Bir Gjakove, Hoxha luajti në vitet ’80 te skuadra e Vëllaznimit përpara se të kalonte te Liria e Prizrenit. Më 1991 u shpall futbollisti i vitit në Kosovë.
Kur nisi lufta, Hoxha qe kthyer në Gjakovë ku jetonte me të shoqen, prindërit, gjyshërit e dy fëmijët e tij në një shtëpi prapa stacionit të autobuzit të qytetit.
Pak pas mesnatës së 1 prillit, familja Hoxha u zgjua nga zhurma e ushtrisë serbe që sapo kishte shpërthyer derën e shtëpisë. U tërhoqën zvarrë për në rrugë, ashtu siç qe bërë më parë me të tjera familje në atë natë të ftohtë.
Hoxha nuk pa se ç’ndodhi me familjen e tij pasi një armë pas koke e detyroi të ngjitej me fytyrë nga muri. Më pas nisën pyetjet.
Një prej ushtarëve, ai që mbante armën, nisi t’a pyesë në rusisht. Hoxha arriti të kuptojë se çfarë po i thuhej dhe ju përgjigj atij që po i kërkonte se ç’punë bënte si profesion. Duke e patur të pamundur t’i përgjigjej në rusisht, i thotë vetëm dy fjalë:

“Oleh Blokhin.”

Ushtarit rus emri i kujtoi legjëndën ukrainase, fitues i Topit të Artë dhe lojtar i përfaqësueses së Bashkimit Sovjetik. Tani mes Hoxhës dhe rusit nuk kishte ndasi gjuhësorë. Ushtari ishte i interesuar.
Uli armën, e futi sërish Genc Hoxhën nga rruga në banesë dhe e pyet në një serbishte të rrjedhshme: “Ti je futbollist?”

Ju pëlqen!

“Po”, i përgjigjet Hoxha.

“Nuk dua të vras një futbollist. Tani unë do të shtie dy herë në ajër dhe ti do shtrihesh përtokë. Qëndro ashtu për 10 minuta e më pas mbathja nga këtu.”
Për një çast Hoxha heshti. “A mund të kërkoj familjarët e mi”, pyeti.

“Nëse do të jetosh, vepro siç të thashë!”

Rusi shtiu në qiellin e Gjakovës, Hoxha u shtri përtokë duke dëgjuar hapat e ushtarit teksa largohej. Arriti të dëgjojë gjithashtu dialogun mes ushtarit rus dhe kolegëve të tij serbë.

“E mbarove”, pyeti një prej tyre. “Po”, u përgjigj rusi dhe më pas u larguan.

Minutat dhe orët në vijim qenë të turbullta. Pasi zbatoi instruksionet e ushtarit rus, Genc Hoxha nisi të kërkojë për familjarët e tij.
Shumë shtëpi qenë djegur, përfshirë edhe atë të Hoxhës, njeriut që ju kursye jeta vetëm sepse njihte Oleh Blokhin.
Në pak orë, ushtria serbe vrau 372 njerëz.
“Ndoqa disa fqinj të mitë dhe nisëm rrugën drejt Shqipërisë. Fatmirësisht gjeta edhe familjen time në një turmë ku njerëzit qanin e përqafoheshin…”

Marrë nga Pjesa e trete.
Artikulli origjinal: https://www.independent.co.uk/sport/football/kosovo-kosovan-war-football-super-league-gkakova-a8295861.html

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!