Përfaqësueses së Kosovës në futboll, të mërkurën, i është rritur vlera për gjashtë milionë euro, e pak ditë më parë edhe për 19 milionë të tjera.

Bazuar në të dhënat e faqes së specializuar për transferime “Transfermarkt.de”, rritja e fundit vjen falë kapitenit Amir Rrahmani, i cili po vazhdon me paraqitje të mira në Serie A, me fanellën e Veronës.

Rrahmanit, 25-vjeçar, të mërkurën i është dyfishuar vlera nga sajti i specializuar për transferime dhe kartoni e tij tash vlerësohet 12 milionë euro prej gjashtë milionë sosh sa vlerësohej më parë, shkruan Koha Ditore.

Ju pëlqen!

Me rritjen e vlerës së Rrahmanit është ngritur edhe vlera e ekipit “dardan” që tash vlen 104.5 milionë euro, që është hera e parë që kalon shifrën e 100 milionë eurove.

Rrahmani është i fundit te Kosova, të cilit i është rritur vlera në treg. Pak ditë më parë rritje të vlerës kanë regjistruar edhe sulmuesit Milot Rashica e Vedat Muriqi. Rashica tash vlerësohet 35 milionë euro prej 20 sosh sa ishte më përpara, derisa Muriqi ka vlerë prej 12 milionë eurosh, sa edhe Rrahmani. Muriqi më herët vlerësohej tetë milionë euro. Kjo treshe në total ka rritur vlerën e “dardanëve” për 25 milionë euro.

Rrahmani para fillimit të këtij edicioni u transferua te Verona për 2.1 milionë euro nga Dinamo e Zagrebit dhe shpejt është bërë njëri ndër mbrojtësit më të vlerësuar në kampionatin italian. Ai ka luajtur në të gjitha 24 ndeshjet që Verona i ka zhvilluar deri më tash. Paraqitjet e mira te Verona kanë bërë që shërbimet e Rrahmanit tashmë t’i sigurojë skuadra e Napolit që muajin e shkuar për kartonin e tij pagoi 14 milionë euro dëmshpërblim. Rrahmani do të luajë te Verona deri në fund të këtij edicioni përpara se t’i bashkohet Napolit në verë, më të cilin ekip firmosi kontratë pesëvjeçare, me pagë vjetore prej 1.8 milionë euro…

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!