Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, po insiston që vazhdimi i dialogut me Serbinë është për arritjen e marrëveshjes finale dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Që nga koha kur ka marrë pozitën si kryeministër i Kosovës, Avdullah Hoti, është zotuar se do të jetë transparent në procesin e dialogut me Serbinë.

Madje Hoti është duke insistuar se ky dialog është politik dhe jo teknik dhe se qëllimin kryesor e ka arritjen e marrëveshjes finale, njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Ju pëlqen!

“Lidhur me dialogun, ju e dini që ky proces ka filluar pas më shumë se 20 muajve të bllokadës. Në ditët e para të qeverisjes tonë e kemi qartësuar platformën tonë, qasjen tonë për procesin e dialogut dhe e kemi komunikuar me publikun, kuvendin, partitë opozitare me të gjithë. Është etabluar pozicioni i Kosovës në këtë proces dhe është mirëkuptuar plotësisht nga partnerët tanë ndërkombëtar. E kemi filluar me Samitin e Parisit dhe me video-konferencën të dielën e javës që shkoi. Edhe mandej takimin e fundit në Bruksel të enjten për dy tema kryesore duke e ditur gjithmonë cili është qëllimi final i procesit të dialogut e që është vetëm njohje reciproke dhe normalizim i marrëdhënieve. Dhe normalizimi i marrëdhënieve është derivat i njohjes reciproke. Çdo zgjidhje që ne e bëjmë në marrëveshjen finale për normalizim të marrëdhënieve duhet të jetë derivat i njohjes reciproke. Pra si dy vende të pavarura se si i adresojnë çështjet e hapura që kanë në mes tyre. Dialogu është vetëm politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, deklaroi Hoti sot pas takimit me kreun e opozitës shqiptare, Lulzim Basha.

Mirëpo, pavarësisht se Hoti thotë se ky është dialog politik dhe jo teknik, i dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar se në Bruksel përsëri do të ketë takim mes ekspertëve, e një gjë të tillë e konfirmoi të hënën vetë kreu i ekzekutivit kosovar.

Lexo po ashtu:  QUINT e sqaron pozicionin para takimit me VV e LDK: Nuk ndërmjetësojmë e as nuk favorizojmë asnjë parti e as lider - Shtrohet pyetja përse shkojnë në këtë takim, atëherë, vendet e QUINT-it?!

“Të enjten është një takim tjetër në Bruksel ku do të jetë prezent koordinatori shtetëror për dialog të cilin do ta emëroj së shpejti për të biseduar dhe për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke. Ky është objektivi ynë i vetëm në këtë proces. Çdo koment tjetër që dëgjoni besoj se ose nuk janë të informuar plotësisht ose dëshirojnë vetë t’i shtrembërojnë gjërat ashtu se si dëshirojnë ata”, u shpreh Hoti.

Mirëpo, për njohësin e çështjeve politike në vend, Imer Mushkolajn, ky dialog është një dialog “pa krye”.

I pyetur nga lajmi.net, se si mund të cilësohet dialog politik përderisa thirren ekspertët që të diskutojnë çështje të ndryshme në Bruksel, Mushkolaj ka thënë se kjo është një logjikë e mbrapsht në këtë dialog.

“Së pari Hoti edhe Vuçiqi ashtu siç kanë deklaruar kanë thënë se javën e kaluar kanë diskutuar për të pagjeturit dhe ekonominë. Do të ishte logjike që së pari të arrihej marrëveshja politike po mendoj edhe për të pagjeturit për shkak se të pagjeturit nuk janë s’ka të bëj asgjë teknike me ta, nuk ka të bëj asgjë teknike, ekonomia nuk është teknike. Pra logjika e shëndosh thotë se do të duhej të arrihej marrëveshja politike edhe për të pagjeturit, edhe për ekonominë edhe për çështjet e tjera dhe është e natyrshme që pastaj ekspertët ose grupi i ekspertëve kushtimisht me e zbatua në praktikë atë marrëveshje. Por nuk ka asgjë teknike në dialogun me Serbinë, madje edhe kur flitet përnjëmend për gjëra që tingëllojnë teknike ato janë politike”, u shpreh Mushkolaj.

Lexo po ashtu:  23 mars 1989, fillimi i shkatërrimit të Jugosllavisë dhe lindja e shtetit të Kosovës

Sipas tij, procesi i dialogut është duke shkuar mbrapsht qysh nga fillimi.

“Për mua është një vazhdim i mbrapsht i dialogut për shkak se kështu ka ndodhur gati edhe në 10 vitet e kaluara. Pra kur është thënë se hajde të diskutojmë teknikisht, janë arritur disa marrëveshje pastaj në aspektin politik, por nuk janë zbatuar. Pra në këtë rast Kosova nuk duhet kurrsesi që të pranoja që të vazhdojë dialogun me logjikën e njëjtë siç ka ndodhur tash e 10 vjet”, theksoi ai.

Tutje Mushkolaj ka bërë të ditur për lajmi.net, se dialogu duhet ta ketë qëllimin e tij dhe se Kosova në asnjë mënyrë nuk guxon të shkojë në këtë proces vetëm pse një gjë të tillë ia kërkon Bashkimi Evropian apo pse i konvenon Serbisë.

“Thjeshtë dialogu duhet ta ketë qëllimin e vet edhe Kosova të mos shkojë në dialog vetëm pse po donë Brukseli ose vetëm pse po donë Beogradi, pro thjeshtë me e pa nëse është në interesin e Kosovës me shkua në atë dialog, e këto po e kam përshtypjen se nuk po i ka parasysh as Hoti e as Kosova si shtet. Pra nuk mundesh thjeshtë me shkua në dialog pse po i konvenon Brukselit e aq më pak pse i konvenon Serbisë, por duhet me i pa interesat tona”, u shpreh Mushkolaj.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se nëse nuk është në interes të Kosovës, as kryeministri Hoti dhe as askush tjetër nuk duhet të shkojë në Bruksel dhe të bisedojë me Serbinë.

Lexo po ashtu:  Lajmet e vërtetë nga Berlini janë këto (nuk do t’i gjeni në mediat e nivelit “u takua s’u takua”):

Sipas tij, Kosova do  të humbte shumë më shumë nëse vazhdon në këtë proces siç e quajti ai, “pa krye”.

Për Mushkolajn mbetet shqetësues fakti se akoma nuk duhet se pse Kosova po merr pjesë në këtë dialog, pra cili është rezultati final i këtij procesi.

“Nëse është interesi jonë me shkua në dialog, në rregull, mund të tregojmë vullnetin politik që të vazhdojmë dialogun mirëpo gjithqysh duke pasur parasysh qartësimin e fazës finale, çka prodhon në finale ky dialog. A po shkon Hoti në dialog që në fund të procesit me u arrit njohja nga Serbia apo pse. Edhe kjo nuk është e qartë. Unë po besoj se është një dialog i kotë thjeshtë nuk ka asgjë të re në këtë vazhdimin e dialogut me Brukselin madje duke e pas parasysh situatën në të cilën gjendet Kosova jo veç për shkak të situatës me Gjykatën Speciale, por për shkak të mungesës së fuqisë politike të Hotit. Hoti mezi i ka 61 deputetë nëse e keni parasysh që njëri prej tyre duhet të shkojë në vuajtje të dënimit me burg atëherë, ky koalicion nuk mund as të funksionojë. Në anën tjetër kemi totalisht një mosunitet politik edhe me këtë logjikë Kosova do të duhej që ta pezullojë pjesëmarrjen në dialog. Nuk humb asgjë nëse e pezullon pjesëmarrjen në dialog, më shumë humb nëse vazhdon të marrë pjesë në këtë dialog pa krye”, theksoi Mushkolaj.

MekuliPress është në prag të mbylljes. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NDIHMO sot median e pavarur dhe origjinalitetin e MekuliPress. Dhuro SOT, të paktën, edhe 1 Euro! Faleminderit!