Baton Haxhiu ia ka dalë edhe dje të “bëhet lajm”. Me lehtësinë e zakonshme për të thënë më nenteskt gjëra që mund të interpretohen se i autorizon Kryeministri Edi Rama, Haxhiu kësaj radhe ka deklaruar nga studio e Tv Klan se z. Rama po negocion një paqe mes Greqisë dhe Turqisë. Konkretisht:

Unë mendoj që ka diçka tjetër. Është një negociatë për disa muaj, mos të them më shumë se 5-6 dhe një përpjekje e një shteti të vogël për të pajtuar dy shtete të mëdha. Unë mendoj se ndonjëherë njeriu është më i rëndësishëm se sa shteti

Deklarimi i tij përputhet me vizitat e z. Rama sa nga Ankaraja në Athinë. Por këtu çështja shërbehet sikur Edi Rama ka një paketë propozimesh për të dyja vendet dhe tani ato po negociojnë. E vështirë, madje e pamundur të jetë kështu, pasi ne dimë se z. Rama drejton një qeveri që nuk është në gjendje të përgatisë një dosje për marrëveshjet e veta, apo edhe legjislacionin e përkthen pikë për pikë, në rastet kur nuk bën sajesa për miq e shokë. Për një marrëveshje komplekse si ajo e detit, z. Rama iu drejtua Gjykatës ndërkombëtare dhe do të duhet të thërresë ekspertë të huaj. Si vallë për një problem kaq të ndërlikuar ai të na shfaqet si negociator?

Ndoshta z. Rama është korrieri diplomatik mes Turqisë dhe Greqisë, pra merr fjalë andej e çon këtej, por nuk dihet nëse një gjë e tillë është e nevojshme në kushtet kur mes të dyja vendeve kanale komunikimi ka.

Nëse e shohim ftohtë ne duhet të shpresojmë që një gjë e tillë të jetë e vërtetë, pra që edhe Shqipëria ka një rol në punët e kësaj bote, paçka se meritat dhe medaljet z. Rama do ia ngjisë vetes nëse qullos gjë. Por kjo sajesë mediatike që i ngjan tullumbaceve të zakonshme mondane të kryeministrit tonë duket se nuk qëndron edhe aq, meqenëse nga pala greke z. Rama shihet me paragjykimin se bën lojën e turqve. Por çfarë nuk bën vaki në këtë botë!