Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, që udhëhiqet nga Glauk Konjufca, ia ka refuzuar sot kërkesën për të vizituar Kosovën Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviq, raporton Gazeta Express.

Sipas MPJD-së, kjo kërkesë është refuzuar për shkak të arrestimit dhe të mbajtjes në paraburgim të qytetarit Nezim Mehmetaj.

Nga kjo ministri kanë deklaruar se asnjë zyrtar serb nuk mund të hyjë në Kosovë pa u liruar Mehmetaj.

“Kërkesa u refuzua për shkak të arrestimit të padrejtë dhe mbajtjes së vazhdueshme në paraburgim nga autoritetet e Beogradit, të qytetarit të Republikës së Kosovës, z. Nezir Mehmetaj, edhe pse të gjitha faktet tregojnë se ai do të duhej të lirohej sa më parë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, kërkesat e tilla do t’i shqyrtojë vetëm pas lirimit të z. Nezir Mehmetaj, i cili u arrestua nga policia serbe më 4 janar 2020, në pikën kufitare në Merdare, derisa po kthehej nga Zvicra në Kosovë, me pretekstin se dyshohet për krime lufte”, bëhet e ditur.