KONGRESI I PËRMETIT-KUVEND  MBARË KOMBËTAR

Dilaver Goxhaj

Ideja për thirrjen e Kongresit të Përmetit para 75 vitesh, më 24 maj 1944, dihet që është realizuar me propozim të udhëheqjes së PKSH. Thirrja e tij u parashtrua në mbledhjen e Kryesisë së  Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, mbajtur më 15 prill 1944 në Helmës të Skraparit.

Para së gjithash duhet theksuar dhe bërë e qartë, se Kongresi i Përmetit është një prej kuvendeve më të mëdhenj të mbarë kombit shqiptar.

E theksojmë se ky kongres është “kuvend  mbarë kombëtar”, duke u nisur nga fakti se një ndër ftesat e para në emër të Kryesisë së  Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar qe edhe ajo që iu dërgua Kryesisë së  Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, por që nuk u shpjegua kurrë prej tyre mosardhia në atë kuvend.

Kryesia e  Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar e bëri atë ftesë, me propozim të PKSH-së,   duke ditur qëndrimin e Kominternit (Internacionales Komuniste), i cili prej vitit 1926 ishte shprehur që: Kosova do të duhej t’i bashkohej Shqipërisë. Por, sikundër e shpjegon politikani filozof Ukshin Hoti, të ftuarit kosovarë nuk duhet të kenë ardhur në Kongres të Përmetit ndoshta se duhet t’i jenë bindur vendimit të Kongresit V të LKJ, i vitit 1941, i cili kishte vendosur që, Shqipëria t’i bashkohej Kosovës për zgjerimin e Jugosllavisë dhe të Sërbisë, dhe jo Kosova Shqipërisë. Qëllimi i LKJ-së: Që të mos ekzistonte më shtet shqiptar.

Dhe më tej Ukshin Hoti vijon: “Legaliteti dhe Balli Kombëtar, flisnin, por edhe shkruanin, se me dëshirë do t’i hiqnin kokën së pari Enver Hoxhës e pastaj edhe Fadil Hoxhës. Ata mendonin e mendojnë se këta kanë qenë fajtorë për mos bashkimin e  Kosovës me Shqipërinë menjëherë pas lufte. Ata nuk i përgjigjen dot pyetjes, përse të ishte më shumë fajtore Shqipëria sesa Kosova apo dhe Jugosllavia për një rezultat të tillë negativ për shqiptarët menjëherë pas lufte? Përgjigjet e autorëve tanë ndaj këtyre pyetjeve që u shfaqën pas vitit 1990 nëpër faqet e shtypit tonë fajësojnë ish-regjimin komunist në Shqipëi, sipas logjikës së shtetësisë: “ata ishin shtet dhe jo ne.” Nuk është e nevojshme të komentohet se një rezonim i tillë është më së paku naiv, edhe pse e dinin, si qëndrimin e Kominternës prej vitit 1926 edhe vendimin e Kongresit V LKJ.”(U.Hoti,“Filozofia politike e çështjes shqiptare”,f.189-190).

Ithtarët e Ballit dhe Legalitetit e dinë shumë mirë seShqipëria nuk kishte këllqe ta merrte atëhere Kosovën me luftë, në kundërshtim edhe me “Paktin e Atllantikut”; por këtë propagandë e bëjnë për të mbuluar kolaboracionizmin e tyre.

Sikundër shihet, kjo ftesë dërguar Kosovës është një shuplakë tjetër e fortë ndaj propagandës së kolaboracionistëve, ballistve dhe zogistve.

Prandaj kemi të drejtë të themi se: Kongresi i Përmetit ka të njëjtën rëndësi kombëtare sa dhe Kuvendi i Vlorës 1912, duke pasur parasysh jo vetëm atë ftesë dërguar Kosovës, por edhe kushtet politiko-ushtarake të kohës, mënyrën e organizmit të atij kongresi, pjemarrësit në të si dhe shpëtimin e pavarësisë së Shqipërisë.

Pa do të dali kush e të na pyesë: pse e barazoni rëndësinë e Kongresit të Përmetit me Kuvendin e Vlorës, apo pse ai Kongres u organizua me këmbënguljen e komunistave?

Dhe këtë “argument”, kolaboracionstët tanë të vjetër e të rinj, të të gjitha ngjyrave, duan ta përdorin si justifikim pse në këta 29 vite nuk denjojnë të nderojnë përvjetorët e brigadave partizane si dhe datat për çlirimin e qyteteve nga pushtuesit nazifashistë; prandaj janë ngritur “bunker-artet” dhe “shtëpitë me gjethe” gjoja central telefonik torturues; prandaj kanë eleminuar çdo gjurmë të SHP të UNÇSH dhe të Ushtrisë Popullore; prandaj u krekosën krah për krah Edi Rama me Sali Berishën ditën e inaugurimit të shtatores së kryekolaboracionistit shqiptar, Mit’hat Frashëri.

Dhe kjo politikë nuk është e rastësishme, por ka prapavijën e saj politike. Dhe kjo ndodh jo se politikanët mohues të asaj lufte çlirimtare, nuk duan ta kuptojnë se ndërtimi i së resë nuk fillon nga hiçi, duke mohuar kuturu gjithçka të mëparshme, por ngaqë këtë detyrë u kanë dhënë ata të huaj, që i kanë ndihmuar të jenë në krye të politikës shqiptare.

Hapi më i madh i kësaj prapavije politike, e cila synon ndarjen e Shqipërisë në dy minishtete: Veri dhe Jug, u hodh nga Edi Rama me shpalljen e Tepelenës “Aushvic”. E themi këtë, pasi një kamp i ngjashëm i përkohshëm internimi, si ai në Tepelenë, u ngrit edhe në Krujë, për familjet e diversantëve nga Jugu. Kjo masë paraprake mbrojtëse ishte ngjashëm sikundër vepruan SHBA ndaj shtetasve të vetë me origjinë japoneze e gjermane, në vitin 1942, me 10 kampe të tillë, madje, të rrethuan edhe me tela me gjëmba, e njohur me emërin: akti i intolerancës. Por në Krujë Edi Rama nuk e ngriti muzeumin-kamp “Aushvic” si në Tepelenë. Qëllimi i “hapit Aushvic” i Edi Ramës është për t’i thënë popullit të Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Veriut: Urrejeni jugun e Shqipërisë, veçanërisht Labërinë!; ndryshe do ta kishte shpallur “Aushvic” edhe Beratin. Por këtë thirrje Rama nuk e ka nga vetja, e ka huazuar nga disa kryeminitra të Greqisë: Shqipëri le të ketë, por Labëri të mos ketë.

Si rrjedhojë as që duhet pritur që Qeveritë e krijuara dhe të udhehequra nga eksponentë të dalë nga pasardhësit e kolaboracionistve dhe nga nivelet e larta drejtuese të PPSH që të mund të nderojnë 75-vjetorin e Kongresit të Përmetit dhe atë të çlirimit të Atdheut nga nazifashistët. Këtë mosnderim Edi Rama na e tha shumë qartë edhe para tri javësh, në Ditën e Dëshmorëve, më 5 maj 2019, në drekën e shtruar nga vetë ai për  veteranët: “Nuk e ndryshoj qëndrimin ndaj Mit’hat Frashërit”; “Historia ndahet në dy periudha, para dhe pas 29 nëntorit 1944” duke mos pëlqyer asnjë nga këto dy periudha; si dhe “Nuk i besoj historisë që kanë shkruar fitimtarët.”

*      *        *

Nëse deri në vitin 2013, PS-ja mbante një qëndrim as mish as peshk për vlerat dhe heronjtë e LANÇ-it, dhe heshtte kur PD-ja i anatemonte ata dhe vetë LANÇ-in, shumëkush mendonte se  PS-ja vepronte kështu ngaqë ngatëronte luftën me pasluftën; por jo. Pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, me veprimet e saj dhe vendimet antikombëtare që ajo ka marrë, ka treguar se po ndjek një ide të vjetër të kryetarit të saj aktual, Edi Rama, të shpallur dhe shkruar në librin e tij “Refleksione”, viti 1991, (f.180-181): “Duhet pranuar më në fund, hapur, që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile, shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste Shqiptare e drejtuar nga emisarët jugosllavë.” Duke qenë se ai ka këtë bindje, prandaj i shpalli të gjithë heronjtë e popullit tradhëtarë e terroristë, ngaqë ata, duke qenë në krye të formacioneve partizane dëbuan nazifashizmin nga Shqipëria dhe i kthyen asaj pavarësinë.

*          *          *

Kushtet për thirrjen e Kongresit të Përmetit u arritën ngaqë Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare gjatë përballimit të Operacionit të Dimrit, (6 nëntor 1943 – 31 mars 1944), ishte rritur edhe me 35.000 luftëtarë të rinj, të cilët ishin inkuadruar në 6 brigada të reja partizane (2,3,4,5,6,7), si dhe në 4 batalione të rinj partizanë, duke e detyruar armikun të mbyllej në qytete.

Prandaj, në 5 prill 1944 Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH lëshoi urdhërin për kalimin e saj në mësymje të përgjitshme. Si rrjedhojë, gjat muajve prill-maj u çliruan gati të gjitha krahinat në jug të Shqipërisë përjashtuar qytetet, u krijuan edhe 2 brigada të reja partizane, (8,12), ndërsa në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut u gjallërua lëvizja partizane.

Kjo bëri të mundur që UNÇSH të fillonte nga lufta për çlirimin e qyteteve.

Atëherë armiku filloi përgatitjen për rifillimin e një operacioni të ri ushtarak pranveror për eleminimin e UNÇSH. Por nuk mundi, ngaqë inisiativën e kishte marrë në dorë UNÇSH.

Në këto kushte, pushtuesit gjermanë bashkë me forcat ballisto-zogiste menduan që ta shkëpusnin popullin nga Nacionalçrimtaria, për ta ndarë Shqipërinë në dy pjesë, jug-veri, nëpërmjet inicimit të një lufte civile. Për këtë qëllim, organet e larta gjermane filluan nga përpjekjet për riorganizimin e pushtetit kuisling me ndihmën e forcave të tjera reaksionare. Për këtë gjë, menduan të aktivizonin “figura” të reja sa më pak të kompromentuara në popull, duke deklaruar, madje, se gjoja do bënin edhe “reformë agrare”!

Kështu, më 8 shkurt 1944 shpallet plotësimi i qeverisë kuislinge e kryesuar nga Rexhep Mitrovica, ku përfshiheshin edhe tri ministra të rinj, anëtarë të KQ të Ballit Kombëtar: Koço Muka ministër i Arsimit, Kolë Tromara ministër i Kulturës dhe Bahri Omari ministër i Punëve të Jashtme. Ndërsa Legaliteti dërgoi në masë njerëzit e tij të administratës së vjetër zogiste.

Ndërkohë, edhe anglezët, në kushtet e krijuara, duke shpresuar se Lufta Nacionalçlirimtare nuk do të zhvillohej në Veri në ato përmasa që kishte marrë në Jug, menduan ta ndanin Shqipërinë në dy pjesë: në Gegëri dhe Toskëri, që më vonë kjo e fundit t’i bashkohej Greqisë. Prandaj dërguan me nxitim pranë Abas Kupit një mision të ri ushtarak me në krye nënkolonelin Bill Maklin, të përbërë nga majori Xhulian Emeri, kapiteni Devid Smajli, dy togerë, dy kapterë dhe dy radistë, përveç një majori e një kapiteni që kishin kaluar dimrin pranë Abas Kupit. Ky ishte edhe qëllimi pse urdhëruan kryetarin e misionit të tyre ushtarak në Shqipëri që të mos e pranonte ftesën e Kryesisë së  Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar për të marrë pjesë në Kongresin e Përmetit, gjë që amerikanët bënë të kundërtën.

Këto masa anglezët i morën ngaqë ishin të bindur se Veriu ishte djepi i monarkisë, prandaj ai duhej të bëhej barikadë për Frontin Nacionalçlirimtar, ngaqë në krye të tij ishin komunistët. Për këtë qëllim ata udhëzuan që Legaliteti të bashkohej me Ballin dhe, duke i forcuar me ndihma e propagandë, t’i kundërviheshinFrontit Nacionalçlirimtar.

Paralel, edhe Ahmet Zogu nga ana e tij, pat filluar përpjekjet për krijimin e një qeverie të tij në Londër. Parimisht anglezët nuk kishin ndonjë kundërshtim për ta njohur ish-mbretin si kryetar të ligjshëm të shtetit shqiptar, por nuk e miratuan duke e parë se Zogu nuk gëzonte popullaritet në Shqipëri, por përkundrazi, urrehej, pse e pat tradhëtuar popullin në 7 prill 1939. Nëse krijohej dhe njihej kjo qeveri në mërgim, do të mund të ndodhte në Shqipëri ajo që ndodhi në Greqi në fund të luftës. Kështu që PKSH-ja mendoi t’i paraprinte, prandaj duhej thirrur me urgjencë një kongres kombëtar antifashist.

Nga ana tjetër, në shkurt 1944 kryetari i Ballit, Mit’hat Frashëri, i kërkoi Komandës Aleate të Mesdheut, nëpërmjet oficerit anglez, që ndodhej në qarkun e Vlorës, të dërgonte në Kajro Skënder Muçon “për të diskutuar mundësinë e një Federate Ballkanike”, me shpresë se do të përkrahej nga anglo-amerikanët, njëkohësisht për të siguruar “ndihma të menjëhershme”. Por anglezët nuk kthyen përgjigje as po e as jo, pasi kishin hallin se diskreditoheshin, por intensifikuan çdo ditë e më shumë propagandimin sa më pozitiv për Legalitetin dhe Ballin përmes BBC-së, të cilën u detyruan ta ndërprisnin në fund të qershorit 1944, kur Balli dhe Legaliteti ishin diskredituar si pararojë e nazistve.

Njëkohësishtë, kryetari i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri, për të realizuar sa më shpejt asgjësimin e UNÇSH, në fillim të muajit prill 1944 filloi nga përpjekja për t’u lidhur me reaksionin grek. Qëllimi ishte që, me forca të bashkuara të armatosura të të dy vendeve të shkatërronin LANÇ-in në Shqipëri dhe Greqi. Madje propozuan që të krijonin edhe një federatë greko-shqiptare, duke shprehur dëshirën që të përfshihej edhe Turqia. Dhe për ta realizuar sa më shpejt krijimin e federatës greko-shqiptare krijuan një komision të përbërë me përfaqësues të Ballit, të qeverisë kuislinge dhe të Legalitetit. Dhe në fillim të prillit 1944 filluan bisedimet në Selanik

Por ajo që e bënte situatën politike në Shqipëri edhe më të rrezikshme për pavarësimin e saj, ishte nisma e të gjithë kuislingve dhe organizatave tradhëtare për të nëshkruar një akord me qeverinë greke në Kajro, përmes të cilit t’i jepnin Greqisë të ashtuquajturin Vorio-Epir, duke e futur vendin tonë në suazën e mbretërisë greke, me të drejta “autonome”.

Por Nacionalçlirimtaria i kapi qysh në fillesa përpjekjet e tyre, gjë që ajo orvatje dështoi. Dhe këtë dështim e pranon vetë edhe gazeta “Vradhini”, që botohej në Athinë, e cila shkruante: “Partia Komuniste e Shqipërisë u bë shkak për mosrealizimin e një marrëveshje që ishte projektuar ndërmjet Shqipërisë e Greqisë, e cila do të zgjidhte definitivisht çështjen e aneksimit me Greqinë të Vorio-Epirit në suazën e një federate, ku Shqipëria do të gëzonte një autonomi duke qenë e bashkuar me Greqinë”.

Në këto kushte delte urgjentisht e nevojshme të ndryshohej gjendja më favor të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të Frontit Nacionalçlirimtar. Dhe kjo duhej të arrihej duke marrë masa të reja politike dhe ushtarake.

*       *       *

Cilat ishin këto masa urgjente?

1. Shndërrimi i ushtrisë partizane në ushtri të rregullt dhe të bëhej çlirimi i gjithë vendit sa më shpejt  me forcat tona.

2. Të bëhej legjitimimi i pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare në zonat e çliruara e të paçliruara dhe forcimi i tyre, duke i paraprirë krijimit të ndonjë qeverie tjetër antikombëtare brenda apo jashtë vendit.

Me realizimin e këtyre dy detyrave më të rëndësishme, Shqipëria rifitonte pavarësinë, të humbur prej 7 prillit 1939.

Por që të realizoheshin këto detyra duhej krijimi i strukturave shtetërore të ligjshme, të zgjedhura nga populli që të ishin të pranueshme edhe nga aleatët. Për këtë lypej një kuvend i zgjedhur nga populli.

Për këto çështje fondamentale Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, me propozim të PKSH,  thirri Asamblenë Popullore, që njihet me emërin Kongresi i Përmetit. Ky kongres përcaktoi legjitimitetin e këshillave nacionalçlirimtare, si i vetmi pushtet i ligjshëm i popullit shqiptar; rikrijoi shtetin sovran e të pavarur me qeverinë e vetë demokratike; si dhe e shndërroi ushtrinë partizane në ushtri të rregullt. 

Nga kjo Asamble doli Kuvendi Popullor, të cilin Kongresi i Përmetit e quajti Këshilli Nacionalçlirimtar, dhe që ishte Kuvendi i parë Popullor në Shqipëri.

Nga ky Kuvend Popullor do të krijohej Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar me atributet e Qeverisë së Përkohëshme, e cila është qeveria e parë demokratike e Shqipërisë.

Në Kongresin e Përmetit morën pjesë përfaqësues nga këshillat nacionalçirimtare, (si prej zonave të çliruara edhe nga ato të paçliruara), nga Bashkimi i Rinisë Antifashiste, nga Bashkimi i Gruas Antifashiste dhe nga Ushtria Nacinalçirimtare, ku 40% e delegatëve vinin prej rradhëve të saj.

Krahas rëndësive të tjera, vlen të theksohet, se për herë të parë në historinë e Shqipërisë gratë marrin pjesë në votime për zgjedhjen e përfaqësuesve të popullit, madje do të zgjidheshin edhe vetë për herë të parë si përfaqësuese të popullit. 

Gjithashtu, për herë të parë përfaqësuesit e popullit nuk do të zgjidheshin në bazë të shkallës fisnore dhe pasurisë, sikundër bëhej në periudhën e Zogut e që bëhet edhe sot, por në bazë të meritave të luftës kundër armiqve të atdheut.

Kongresi u mblodh në qytetin e lirë të Përmetit, në datat 24-28 maj 1944, i cili, përveç që sanksionoi përfundimisht pavarësinë e Shqipërisë, i parapriu edhe mos krijimit të ndonjë qeverie tjetër antikombëtare me ndihmën e të huajve apo reaksionit antishqiptar.

Kongresi i Përmetit, duke u nisur nga gjendja politike e brendshme dhe ndërkombëtare, nuk e shpalli Shqipërinë “republikë popullore” ose ndonjë formë tjetër regjimi. Ai kongres iu përmbajt platformës politike të Konferencës së Pezës, sipas së cilës forma e regjimit do të vendosej nga populli pas çlirimit të vendit. Dhe nuk është ashtu sikundër shkruan Edi Rama, te libri i tij i vitit 1991, (f.184-185): “Për ata që mund ta kenë harruar historinë, kujtojmë se në Konferencën e Pezës është vendosur që çështja e formës së shtetit shqiptar do të zgjidhet me referendum pas lufte. Kurse Kongresi i Përmetit, me fitimin e Luftës Civile nga komunistët, ia mohoi popullit shqiptar me dhunë këtë të drejtë politike.” Shihet ashiqare që Edi Rama nuk e njeh fare historinë e popullit të tij. Ai nuk e di se, kur u mbajt Kongresi i Përmetit edhe Shqipëria e Jugut nuk ishte çliruar plotësisht, e jo më gjithë Shqipëria. Duke qenë se ai është i bindur se Shqipëria është çliruar në 24 maj 1944, prandaj na thotë: “Kongresi i Përmetit, me fitimin e Luftës Civile nga komunistët, ia mohoi popullit shqiptar me dhunë këtë të drejtë politike të përcaktuar në Konferencën e Pezës”. Ai nuk e di se forma e regjimit të Shqipërisë u shpall më 11 janar 1946. Prandaj kryesisë së PS-së i del detyrë që ta marri dikush në patronazh Kryetarin e Partisë së tyre e t’i bëjë ca kurse historie pasditeve, që ta mësoi se Shqipëria nuk e mbaroi luftën kundër pushtuesve e tradhëtarëve ditën e Kongresit të Përmetit, por e mbaroi në 29 nëntor 1944, atë ditë që idhulli i tij Mit’hat Frashëri iku nga Shqipëria bashkë me gjermanin e fundit.

*      *        *

Edhe pas Kongresit të Përmetit anglezët nuk hoqën dorë për ndarjen e Shqipërisë veri dhe jug.

Duke parë se ditën e fundit të Kongresit të Përmetit, më 28 maj 1944, u dha urdhëri për krijimin e Divizionit I Sulmues dhe kalimi i tij në mësymje për çlirimin e Shqipërisë së Mesme e të Veriut, anglezët nëpërmjet Komandës Aleate të Mesdheut i bënë presion SHP të UNÇSH, për mos kalimin në Veri, “ndryshe do të ndërpriteshin ndihmat”. Por mësymja vijoi.

Atëherë, më 9 tetor 1944, kur anglezët e panë se forcat po afroheshin për çlirimin e Tiranës, ata, nëpërmjet majorit të tyre Palmer pranë SHP, (i ndodhur në Odriçan), kërkuan që të hidhnin desant ajror “në rajonin Pezë, Ishëm e Darsi”, (bregu jugor i lumit Shkumbin). Por edhe kjo kërkesë u refuzua nga  SHP i UNÇSH.   

*          *          *

Në fillim të viteve ’90, kur ishte shemb shteti shqiptar socialist, ndarjen e Shqipërisë në Gegëri e Toskëri e mori përsipër Sali Berisha, i cili u përpoq ta realizonte në vitin 1997, por ishte populli ai që ia bëri të pamundur, dhe jo PS-ja.

Megjithatë, nga ajo ide anglezët nuk hoqën dorë. Këtë gjë na e dëshmon ish-ministri ynë i Punëve të Jashtme, z. Paskal Milo në librin e tij “Ditari i një ministri të Jashtëm”, 2009, f.265-266: “9 nëntor 1999. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Piter Xheineri, sot erdhi në zyrën time. Më solli mesazhin përshëndetës të R. Kuk, për emërimin tim të tretë si ministër i Jashtëm. Letra ishte e ngrohtë dhe vlerësuese për qeverinë. Por qëllimi kryesor për të cilin kishte ardhur ambasadori ishte tjetër. Ai kishte marrë nga drejtori politik në Forien Ofis, Çarls Krauford, një informacion, që më habiti. Në një takim jozyrtar me  ekspertë ballkanikë, që kryesohej nga Karl Bild, ish-kryeministri konservator i Suedisë, ku Kraufordi kishte qenë i pranishëm, ishte diskutuar ideja e një “Kosove të Madhe”, e cila do të përfshinte vetë territorin e Kosovës, por edhe Shqipërinë e Veriut e Maqedoninë Perëndimore….”. Vini re: vënia në jetë e këtij plani antokombëtar aktivizohet 4 muaj pasi ka mbaruar lufta në Kosovë! Por, me sa dimë, kjo ide nuk u pranua të shtrohej për diskutim.

 *         *          *

Në vijim, me sa po duket, flamurin e kësaj tragjedie e ka marrë në dorë Edi Rama, i cili e filloi me heqjen e toponimeve shqip të Çamërisë nga pasaportat shqiptare; rifilloi negocimin e faljes së detit me Greqinë; lejoi shtimin e varrezave të paqena greke, me synimin që nesër ato të përdoren si piramida të kufirit Shqipëri:Greqi, përveç katedrales në Tiranë etj. Prandaj, jo më kot Edi Rama na e përsëriti qëndrimin e tij ndaj kryekolaboracionistit: “Nuk e ndryshoj qëndrimin ndaj Mit’hat Frashërit”, që do të thotë se i pëlqen ideja e federatës greko-shqiptare e Mit’hatit; ndaj dhe na thotë: “Nuk e besoj historinë e fitimtarëve.” Besoj se cilido në Shqipëri e merr vesh pse nuk nderohet nga PS-ja dhe PD-ja Kongresi i Përmetit dhe përvjetorët e çlirimit të  Shqipërisë.

Dhe së fundi, ndarjen e Shqipërisë: Gegëri-Toskëri, Edi Rama dhe Sali Berisha kanë vendosur ta shpejtojnë. Djegia e mandateve të deputetëve, si precedent i befasishëm e i panjohur, duhet të jetë një skenar i përbashkët, për të realizuar ndarjen e Shqipërisë. Dhe këtë akt kanë vendosur ta realizojnë në zgjedhjet e afërta locale; por me një ndryshim, jo si në vitin 1997, me armë e me vrasje, por “urtë e butë e plot tigani”. Dhe këtë gjë po na e bëjnë të qartë çdo ditë: Rilindja do të shkoi në votime pa opozitën, në ato bashki që janë shumicë me PS-në; ndërsa Berisha dhe Luli, nuk do të lejojnë të zhvillohen zgjedhje në ato bashki që janë shumicë me PD-në.

Praktikisht kjo do të jetë de fakto ndaja në dy pjesë e Shqipërisë, dhe fajin do t’ia hedhin popullit.  

Kjo tragjedi mund të parandalohet vetëm me një akt popullor: të shkojmë 100% në votime dhe votat t’i bëjmë 100% të pavlefshme. Dhe jo bojkotim të votimeve, sikundër bën thirrje PD-ja; nëse bojkotohen votimet, atëherë komisionerët e paguar i plotësojnë vetë fletët e votimit. Vetëm bërja 100% të pavlefshme është e vetmia armë për t’i shporrur nga pushteti këta armiq të popullit.

Tiranë, 20 maj 2019

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]