Kryeministri Rama ka mbajtur dje një konferencë për shtyp duke i dhënë vetes rolin e një lideri rajonal që i ka propozuar presidentit Makron dhe Kancelarit Sholtz, një draft për mënyrën se si duhet ndërtuar Asocacioni i shumë debatuar i komunave serbe në Kosovë. Ndonëse Rama refuzoi të precizojë se cilat janë termat e këtij propozimi dhe se kush janë specialistët me reputacion ndërkombëtar që e kanë hartuar draftin, ai tha se po e bën këtë pasi, as Kosova dhe as Serbia, nuk e duan seriozisht këtë pikë të marrëveshjes së bazuar tek plani franko gjerman.

Por, pozicionimi i kryeministrit që e ka ndërmarrë këtë nismë pa u konsultuar me asnjë nga faktorët në Prishtinë, ngre hije të forta dyshimi. Sepse Rama ka vendosur të potenciojë të vetmin nen të marrëveshjes 11 pikëshe të dakordësuar në fund të shkurtit, që i intereson më shumë Brogradit dhe Aleksandër Vuçiçit. Qëndrimi serb prej kohësh, të cilin e ka mbështetur edhe një pjesë e ndërkombëtarëve, ka qenë i prerë: Kosova duhet të miratojë projektin që i jep minoritetit sllav të drejta gati të barabarta me autonominë dhe vetëm pastaj duhet kaluar tek pikat e tjera si njohja e dokumenteve relevante dhe simboleve kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore apo respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre.

Për të justifikuar fokusimin vetëm tek kjo çështje që në thelb është me e dizavatazhueshmja për Kosovën, ai përdori disa argumenta manipulativë. ‘Krijimi i asocacionit është përfundimisht çelësi për të hapur derën e afirmimit ndërkombëtar të republikës së Kosovës, e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në OKB dhe të gjitha forumet ndërkombëtare, dhe e njohjes së ndërsjelltë me Serbinë” .

Por pikërisht ky pohim që mund të shihet në videon lart përmban dy manipulime skandaloze.

Gjithkush që e njeh sadopak çështjen e Kosovës e kupton se edhe sikur qeveria Kurti të pranojë menjëherë dhe pa kushte themelimin e shoqatës së komunave me shumicë serbe, nuk ka asnjë garanci se kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë në pranimin pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Aty Kosova mbahet peng nga dy shtete armiqësore që se njohin pavarsinë e saj si Rusia dhe Kina. Pra edhe sikur ajo të bëjë një sakrificë duke pranuar planin perendimor, kjo nuk do të thotë se të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit, me të drejtë vetoje, do të jenë dakord.

Sikur kjo të mos mjaftonte Rama shkoi edhe më tej. Ai tha se themelimi i asocacionit çonte drejt njohjes së dy vendeve. Pra, se po u tejkalua ky hap, Serbia do e njihte Kosovën. Këtu kemi të bëjmë me kalim Rubikoni. Sepse presidenti serb Aleksandar Vuçiç e ka deklaruar me dhjetra herë se çfarëdo që të ndodhë ai nuk do ta njohë Kosovën, që e ka të shkruar në kushtetutë si pjesë integrale të vendit.

Pra edhe këtu Edi Rama bllofon. Prandaj pyetja që ngrihet është: pse i duheshin këto dy manipulime për të justifikuar faktin se nga gjithë marëveshja e arritur mbi bazën e planit Franko Gjerman, atij iu desh të fokusohej vetëm tek ajo që përbën kërkesën themelore të Beogradit.