KOMUNIKATË e mbajtur sot në fshatin Thirrë, mbi HEC-in që po ndërtohet aty:

Sot, bashkë me aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kemi ardhur këtu në fshatin Thirrë, në Fan të Mirëditës, për fat të keq, jo për të vizituar këtë vend kaq të bukur, por për të denoncuar atë çfarë po i bëhet këtij vendi kaq të bukur.
Nga protesta e para disa ditëve, e organizuar dhe e mbajtur nga qytetarët, banorët e këtij vendi, mësuam se këtu po ndërtohet një HEC, nëpër tubat e të cilit duan të fusin ujërat e kësaj zone, ujëra rreth të cilëve është ndërtuar jeta këtu, jeta e përditshme, jeta bujqësore dhe blegtorale.
Projekte të tilla si ky HEC nuk janë gjë e re. Viteve të fundit, shumë biznesmenëve u ka shkuar ndërmend të hapin një HEC, ashtu siç hapen dyqanet në ndonjë lagje të caktuar. Dhe qeveria, Kryeministri ynë, ministrat e tij, shumë prej këtyre pretendimeve i kanë aprovuar, duke miratuar lejet për ndërtimin e këtyre HEC-eve që shkojnë kundër interesit publik, qytetar dhe kundër projekteve për zhvillimin e zonave ku ndodhen këto ujëra. E më e rëndësishmja, si në rastin e Thirrës, lejet e marra janë edhe kundërligjore.
Nga banorët u mësua se kompania që po ndërton HEC-in ka falsifikuar disa firma të banorëve, firma përmes të cilave merret formalisht miratimi nga komuniteti për projektin. Gjithashtu, mësuam se kanë mashtruar edhe me numrin e banorëve, duke pretenduar në letër se këtu jetojnë edhe më pak banorë se sa jetojnë faktikisht dhe aktualisht. Me vetëm 19 firma, e disa prej tyre të falsifikuara, kompania ka marrë miratimin formal nga komuniteti. E më skandalozja është që këtë mashtrim e kanë mbështetur disa institucione, ministri, përfshirë edhe kryeministrin Rama, i cili ka hedhur firmën e tij që i hap rrugë këtij projekti grabitës dhe përvetësues.
Këta HEC-e me kapacitet të ulët prodhimi janë jashte çdo standarti, sa ekonomik, aq edhe mjedisor e moral. Nuk ka asnjë përfitim publik prej tyre, por vetëm përfitim nga ana e kompanive private, si edhe nga ana e pushtetarëve që marrin pjesë nëpër këto afera.
Thirra, Sangu dhe ujrat e tyre nuk janë objekte pazari mes pushtetesh dhe përfitimesh ekonomike. Jeta e Thirrës dhe Sangut është më e rëndësishme se përfitimi i një kompanie private dhe pazaret politiko-monetare.
Ne iu bëjmë thirrje organeve përkatëse të fillojnë hetimet, kurse institucioneve të implikuara i ftojmë të tërhiqen. Kërkojmë pezullimin urgjent të punimeve, kthimin e terrenit në gjendjen fillestare të parandërhyrjes, si dhe kërkojmë të nisin hetime që i hapin rrugë ndalimit njëherë e mirë të këtyre projekteve grabitëse nëpër gjithë Shqipërinë.
Thirra thërret! Dëgjojeni Thirrën!