“Zoti doktor,- tha polici,- duhet, e para e punës, të kuptoni mirë dy gjëra për të bërë punë në Shqipëri: E para është që këtu hiçnjeri s’merr ryshfete. “Atë e kuptova”, – tha doktori. – E dyta gjë,- vazhdoi polici, -është që këtu të gjithë duan dhurata.

Dhe dhurata me ryshfetin kanë një ndryshim, – tha doktori. -Shumë ndryshim,- vazhdoi polici.

– Tani, zoti doktor, në një vend ku asnjeri s’bën kabull të marrë ryshfete, po të gjithë presin dhurata, si i bëhet halli atij që ka hall? T’u japësh të gjithëve është e pamundur, të mos i japësh hiçnjeriu është marrëzi, se ahere jo vetëm s’mbaron dot punën tënde po të vënë dhe pengime.

Fjala vjen, të ndalojnë të gjesh shtëpi; ka shumë shtëpi të zbrazura në Tiranë, po s’t’i japin. Ti, axhami, s’merr vesh pse: Para ke, njeri i mirë je, po s’ta vënë veshin. Të kënda të gjesh gjëra taze për të ngrënë, nuk t’i shesin, ose që të flasim më’ drejtë, nuk të lënë të të afrohen njerëzit që i kanë për të shitur.

Hajde të thomi se u vendose,- s’të lënë të punosh. Ke ilaçe? Dale t’i tretim që të shohim a janë të paqme. Ke vegla dhe makina? Dale t’i zbërthejmë që të shohim se mos janë të dëmshme për Shtetin. Ke libra dhe dorëshkrime? Dale të ia japim një komisioni që t’i këndojë.

Komisionet përbëhen nga njerëz që s’i dinë të gjitha shkronjat; librat e tu s’i ke për të parë më me sy. Në qoftë, fjala vjen mjek-siç është shkalla juaj, zoti doktor-nuk të njohin dipllomën. Puna pra, siç thashë edhe më parë, qëndron kështu; S’dhe hiç, e ke punën të humbur; t’u japësh të gjithëve është e pamundur.

Ilaçi është: t’u japësh cave. Cave,-po cilëve? Këtu, zoti doktor, duhet të ju thom një gjë me rëndësi. Shqipëria në këto të dhjetë vjetët e fundit, shyqyr zotit, ka mësuar shumë nga fqinjët, veçan nga Italia. Ç’ka Italia që vlen të merret? Makaronat dhe kamorrën, hiçgjë tjetër.

Për makaronat s’kemi nevojë, se kemi patatet tona; kamorrën e kemi marrë’ dhe, shyqyr perëndisë, e kemi përmirësuar dhe rregulluar me një sistem më të mbaruar se italianët vetë.

Tani, zoti doktor, çfaredo hall, nevojë që të kini, e vetmja mënyrë e shpejtme, e sigurt, e lirë, që të bëhet dëshira juaj, është të jini nën mbrojtjen e kamorrës së madhe, ku s’ka as vjedhje, as shpërdorime, por çdo gjë është e parashikuar dhe e rregulluar me një tarifë të ndershme…”

 Faik Konica, “Doktor Gjilpëra”