Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, hodhi sot idenë e ngritjes së një komisioni të posaçëm parlamentar që do të qartësojë pozicionin e Shqipërisë gjatë luftës së Kosovës. Në seancën e sotme në Parlament, Balla tha se një komision i tillë duhet ngritur, me synimin që të arrihet në një rezolutë që denoncon përpjekjen për të bërë pis luftën e Kosovës.

Balla tha se lidhur me pretendimet e ngritura në raportin e Dick Marty-t nuk mjaftojnë rezolutat deklarative, por është i domosdoshëm një komision parlamentar që rishqyrton të gjitha faktet.

“Ne kemi detyrimin moral si Kuvend të qartësojmë disa çështje që lidhen me Shqipërinë. Kemi pasur maxhorancën e vitit 2011 që ka votuar pro një rezolute për investigimet për trajtim çnjerëzor dhe trafik të paligjshëm të organeve në Kosovë. Proces i nisur me mocion i një rezolute të 2008 paraqitur nga një anëtar i asamblesë së KE, Kostandin Posaçev, përfaqësues i Federatës Ruse, grupi europian demokrat. Pra procesi ka filluar prej vitit 2008 nga një deputet, përfaqësues i Federatës Ruse. Në atë rezolutë që u miratua më 25 janar 2011 janë vënë çështje që lidhen me territorin e Shqipërisë, në Mat, Has, Kukës. Në Republikën e Shqipërisë janë zhvilluar hetime nga institucionet e drejtësisë shqiptare që kanë konkluduar se në asnjë prej këtyre vendeve nuk ka pasur krime. Për të gjitha këto çështje nuk do të mbështesim rezoluta deklarative. Por ne si Kuvend të vlerësojmë mundësinë e ngritjes së një komisioni të posaçëm që merr bashkë të gjitha këto fakte dhe vetëm më pas mund të shkojmë te një rezolutë që duhet të denoncojë përpjekjen për të bërë pis luftën çlirimtare në Kosovë. Lufta për liri është e pastër, ka moral dhe është e ndershme”, tha ai.

Ju pëlqen!

Balla tha se fillimisht nevojitet konsulencë juridike për një hap të tillë, ndërsa shprehu rezerva për Gjykatën Speciale, e cila ka ngritur së fundmi akuza ndaj disa prej ish-krerëve të UÇK-së.

“Nuk mund të ngremë një komision të posaçëm që të mbivendoset mbi kompetencat e një gjykate. Sipas ligjit të miratuar në Kuvendin e Kosovës, Specialja është një gjykatë vendore, është një dhomë e një gjykate ndërkombëtare. Edhe pse zhvillohet në Hagë, nuk di t’ia definoj statusin asaj gjykate”, tha Balla.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!