Të kualifikuar, të qetë, të vendosur për të ndryshuar lojën dhe paraqitjen në krahasim me Moldavinë, por sidomos gati për të prishur atmosferën në “Air Albania Stadium”, aty ku për të parën herë zbritën në fushë në orën 18:00 të ditës së shtunë, duke shkelur barin, duke shfaqur kureshtje dhe duke parë të katër anët e stadiumit…

Kylian Mbappe, sulmuesi kryesor dhe ylli i PSG-së, u duk më kuriozi, teksa sigurisht që ka pasur edhe disa diskutime me stafin e Francës, duke shprehur me mimikën e fytyrës disa pakënaqësi të vogla. Gjithçka erdhi pasi trajneri Deschamps kishte dalë në konferencë, ashtu si kapiteni Varane.

Kampionët e Botës e ndanë në dy pjesë konferencën e tyre, ndryshe nga Shqiëpria që u prezantua me Edoardo Reja dhe Hysaj në një tavolinë. Në fillim Varane që u përgatit me qetësi, më pas Deschamps, edhe pse për gazetarët shqiptarë ishte një luftë e vërtetë për ekzistencë ose një garë sikur të nisesh në radhët e fundit për të dalë i treti, që të kapnin të paktën radhën për një pyetje…

E kështu, teksa ngacmohet dhe provokohet për faktin nëse ndonjë shqiptar do të mund të grumbullohej te Franca nëse do të ishte trajneri Deschamps përzgjedhësi, trajneri i kampionëve të botës fillimisht nuk e kupton pyetjen (përkthimi jo edhe aq i saktë) më pas çohet nga tavolina dhe bën sikur do të largohet duke ngjallur të qeshura… E vlerëson Shqipërinë, edhe pse mimika e tij që ndryshon shpesh të lë të kuptosh se brenda e tij e ka të qartë diferencën që ekziston.

Më pas, në fushë, Griezmann është dukur më i lumturi, teksa me topin, “mikun e tij” bënte xhonglime të vazhdueshme. Deschamps i përqafuar me Kante për të paktën 2 minuta është skena më e bukur. NGolo, një personazh jashtë dhe brenda fushe…