Kombëtarja e shqiptarëve është grumbulluar në Minsk të Bjellorusisë dhe pret sot të luajë ndeshjen e saj të parë në grupin e katërt të Divizionit C të Ligës së Kombeve, ndaj “rusëve të bardhë”, me shpresën se do të mund të marrë maksimumin, domethënë fitoren. Është transfertë e vështirë dhe delikate, përpos që trajneri Edoardo Reja ka mungesa dhe lojtarë jashtë forme, por edhe mungesë alternativash ndër elementët me eksperiencë. Në konferencën e djeshme për shtyp, doli trajneri Reja dhe kapiteni Hysaj, që shpalosën objektivat për këtë ndeshje.

“E vërtetë që kjo periudhë e gjatë shkëputje nga njëri-tjetri, na ka afruar shumë me njëri-tjetrin, sepse tashmë kemi më shumë mall për njëri-tjetrin. Është rikthyer harmonia në Kombëtare. Forma ime nuk është 100%, sepse kam vetëm një javë që kam filluar stërvitjen. Ndoshta kjo do të jetë mangësi, pasi skuadra kundërshtare e ka filluar kampionatin. Ne kjo mund të na kushtëzojë. Kam provuar shumë role të ndryshme te Napoli dhe Kombëtarja. Kam provuar shumë role me fanellën kuqezi dhe nga eksperienca që kam, më ka ndihmuar që të lëviz mirë. Nuk e kam problem, luaj ku të dojë trajneri, unë jap më të mirën time”, tha Hysaj. Më pas komentoi tërheqjen nga kuqezinjtë të Mavrajt dhe Bashës. “Falënderoj Mavrajn dhe Bashën për atë që kanë dhënë për Kombëtaren sepse e meritojnë dhe kanë një kontribut të jashtëzakonshëm. Por, çdo vit do të ketë prurje. Çdo kush ka vendin e vet.

Kombëtarja jonë po nxjerr elementë të rinj, ka lojtarë që luajnë në Seria A dhe luajnë në klube të rëndësishme. Shpresojmë që të vazhdojmë të nxjerrim sa më shumë lojtarë të rinj”, nënvizoi më tej shkodrani. Në fund kapiteni kuqezi foli për të rinjtë e ardhur në Kombëtare dhe synimet e grupit për ndeshjen e sotme. “Të rinjtë janë lojtarë të mirë, por edhe shumë profesionist. Nuk kemi shumë kohë që të rrimë me ta. Vetëm në një javë ne duhet që të bashkohemi e të mendojmë për ndeshjet. Kështu që ata do të na bëjnë shumë punë, duke mësuar edhe më shumë nga lojtarët me eksperiencë. E rëndësishme që ta fillojmë mirë ndeshjen e parë, ta nisim me këmbën e mbarë. Duhet që të marrim sa më shumë pikë në ndeshjet e para dhe pastaj të vijojmë me optimizëm”, tha Elseid Hysaj që luan me Napolin në Seria A dhe është kapiten me fanellën kuqezi.

Ju pëlqen!

Reja nuk eksperimenton, do t’u besojë veteranëve

Mbrojtësi i skuadrës përfaqësuese, Elseid Hysaj, pritet të jetë kapiten dhe njëherësh lider i mbrojtjes në ndeshjen e sotme ndaj Bjellorusisë. Hysaj mban prej vitesh një peshë të konsiderueshme në mbrojtje, por në këtë edicion të ri vjen me përgjegjësi të reja. Ndërkohë, mbetet të shihet formacioni që do të përzgjedhë trajneri Edoardo Reja. Tekniku tha se nuk do të ketë eksperimente, përkundrazi, la të kuptuar se do t’u besojë veteranëve. “Këtë herë do të bazohem te siguritë që kemi nga sezoni i kaluar, pasi nuk kemi pasur mundësinë që të testojmë të rinjtë”. Këto janë fjalët e Edi Rejës kur prezantoi ndeshjet e përfaqësueses shqiptare për fillimin e edicionit të Ligës së Kombeve. Në zgjedhjen e një formacioni për ndeshjen e pare ndaj Bjellorusisë, trajneri do të ketë një detyrë edhe më të lehtë në teori, duke pasur parasysh se shumë dilema ia kanë zgjidhur dëmtimet dhe mungesat. Reja do të bazohet te emrat që e njeh e mes tyre ka pak alternativa për të zgjedhur. Kështu, treshja e mbrojtjes, përtej ndonjë çudie, është e caktuar me Dermakun, Gjimshitin e Veselin, pasi mungojnë ata që mund të kërcënonin këtë rreshtim, Kumbulla e Ismajli të cilët janë të dëmtuar. Me Hysajn e paprekshëm në krahun e djathtë, pritet që në anën tjetër të luajë Trashi, pasi mungojnë alternativat, meqë Lenjani nuk udhëtoi dot e Memolla mbeti në Shqipëri po për dëmtim. Edhe mesfusha sheh mungesën e Ramadanit, duke caktuar kështu treshen Gjasula-Bare-Abrashi si titullare dhe emrat e tjerë të rinj si alternativa të tyre për pjesën e dytë të ndeshjes. Në këtë situatë, dilemat e vetme për Rejën janë porta me dualitetin e zakonshëm Berisha-Strakosha dhe sulmi, ku pavarësisht mungesës së Kamberit, ka mundësinë që të përzgjedhë mes emrave të ndryshëm për të formuar dyshen që ai e sheh të përshtatshme për të filluar takimin ndaj Bjellorusisë.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.