Nivelet e larta të kolesterolit “të keq” LDL ( lipoproteina me dendësi të vogël) janë një faktor risku i vërtetuar për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Është treguar se ulja e niveleve të LDL me ilaçe apo/dhe ndryshime në stilin e jetesës mund të ulin riskun e këtyre sëmundjeve. Por sa duhen ulur nivelet e LDL, është diçka që diskutohet akoma.

Udhëzimet aktuale të Shoqatës Amerikane të Zemrës, Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë dhe disa organizatave të tjera profesionale, rekomandojnë uljen e niveleve të larta të LDL në 70 miligram për decilitër (mg/dL) në personat me risk të lartë për sëmundje kardiovaskulare. Por, studimet e fundit kanë sugjeruar që risku për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare mund të vazhdojë të ulet, me uljen e LDL përtej këtyre shifrave, duke shkaktuar që disa kardiologë të besojnë se rekomandimet aktuale nuk janë aq agresive sa duhet. Të tjerë janë të shqetësuar se nëse nivelet e LDL ulen shumë, kjo mund të çojë në efekte negative.

Nuk ka një rrezik të dukshëm për nivele shumë të ulëta të kolesterolit LDL

LDL është një komponent kyç për shumë hormone dhe të gjitha membranat e qelizave, të cilat lejojnë qelizat të komunikojnë me njëra – tjetrën. Studime më të hershme rritën shqetësimin se ulja e niveleve të LDL më shumë se sa është e rekomanduar momentalisht, mund të ndërhyjë në funksionimin normal qelizor, sidomos në organe që kanë përqendrim më të madh të lipideve, si truri dhe organet riprodhuese. Ka pasur raportime të një risku shumë pak të rritur për osteoporozë dhe gjakderdhje në tru në pacientët e trajtuar me doza të larta të ilaçeve për uljen e kolesterolit.

Efekte anësore të njohura në personat që përdorin ilaçe për uljen e kolesterolit përfshijnë dhimbje muskujsh dhe një risk pak më të rritur për diabet, sidomos kur përdoren ilaçe në doza të larta. Nuk është plotësisht e qartë nëse këto risqe janë për shkak të vetë ilaçeve apo uljes së LDL.

Gjithsesi, personat me çrregullime të rralla, të trashëguara, në të cilat nivelet e LDL janë shumë të ulëta (shpesh më pak se 30 mg/dL) që në lindje, duket se kanë fertilitet normal dhe nuk kanë ndonjë keqfunksionim të organeve. Kështu, një nivel shumë i ulët LDL, nuk paraqitet të jetë i rrezikshëm në këto raste jo të zakonshme.

Studimet sugjerojnë që nivelet më të ulëta të kolesterolit LDL janë më të mira

Një meta – analizë e tanishme, e publikuar në “Kardiologjia JAMA” sugjeron se ulja e niveleve të LDL poshtë 70 mg/dL është e sigurt dhe efektive. Autorët analizuan një databazë të gjërë të pacientëve me sëmundje kardiovaskulare me nivele të LDL mesatarisht 70 mg/dL ose më poshtë në fillim të studimeve. Pas çdo rënie të nivelit të kolesterolit LDL me 39 mg/dL, pati një rënie me 20% në riskun për sëmundje kardiovaskulare. Me fjalë të tjera, një rënie e nivelit të LDL nga 70 mg/dL në 31 mg/dL u lidh me 20% më pak rrezik për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare, atak kardiak apo goditje në tru.

Efektet ishin të qëndrueshme pavarësisht ilaçeve që u përdorën për të ulur kolesterolin. Nuk pati rritje të riskut për efekte anësore ( dhimbje muskujsh, mosfunksionim të mëlçisë, kancer etj.), edhe kur LDL u ul deri në 20 mg/dL. Edhe pse ilaçet për uljen e kolesterolit janë lidhur me efekte anësore, sidomos në doza të larta, duket se nivelet shumë të ulëta të LDL nuk janë ato që i shkaktojnë këto efekte.

Domethënë, ulja e niveleve të LDL përtej shifrës së mëparshme 70 mg/dL duket se jo vetëm që është e sigurt por edhe efektive, në pacientët me sëmundje kardiovaskulare.