Zyrtari i lartë amerikan Matheë Palmer është shprehur në Sarajevë se ShBA mbështet Bosnje-Hercegovinën në proceset euroatlantike. Spas tij këto objekitva kundërshtohen nga rusët që sipas tij kanë synime të tjera në Ballkan.

Themeli i politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor është mbështetja e integrimeve euroatlantike. Kjo do të thotë anëtarësim në BE dhe në NATO për të gjitha vendet e Ballkanit, që duan të anëtarësohen. Rusët kanë qëllime të tjera në Ballkan. Ata duan të shohin rajonin e ndarë me një nivel të lartë të tensioneve. Rusët në vitin 2016 kanë sponsorizuar përpjekjet për puç në Mal të Zi. Kanë punuar kundër Marrëveshjes së Prespës dhe kanë bllokuar rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Nuk ka dëshmi për të besuar se Rusia do të donte diçka tjetër në B-H

citohet ai.

Qëndrimi i Palmer është një mesazh se politika amerikane në rajon ka synime të pandryshuara dhe se ajo sheh si rival gjeopolitik Rusinë. Ky qëndrim është gjithësesi i mekur krhasuar me disa vjet më parë dhe është e qartë se SHBA-së tanimë I mungon forca për të imponuar disa ndryshime rrënjësore në një situatë të palëvizshme në Ballkanin Perëndimor. Kështu në vitin 2008, përkundrejt të gjitha kundërshtive, SHBA diktoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke tejkaluar një problem kronik sigurie. Me këtë hap ajo shtriur rrezen e sigurisë edhe në Kosovë dhe Maqedoni.

Mirëpo nëse më përpara kjo marrëdhënie më jep të të jap funksiononte, aktualisht ajo është cenuar. Së fundmi Maqedonia e Veriut po kërkon hapjen e negociatave dhe SHBA këtu duhet të kishte rol pasi ishte ajo që imponoi Marrëveshjen e Prespës. Roli i SHBA në vendimmarrjen e BE-së do të zgjonte shpresë edhe në vende të tjera në Ballkan se hyrja në Europë dikur mund të jetë edhe çështje strategjie përveçse burokraci standardesh. Kjo nuk ndodh dhe politika perëndimore është kakofonike.

Ndërkohë që Palmer intresohet për NATO-n dhe sigurinë në Ballkan, Bashkimi Europian nuk e ka ndarë mendjen se çfarë duhet të bëjë me vendet e rajonit tonë. Zyrtarët e Komisionit Europian thonë se negociatat duhen hapur dhe madje kanë firmosur për një gjë të tillë. Vende të ndryshme anëtare thonë jo. Hollanda madje kërkoi që shqiptarëve t’u vihen vizat meqenëse sipas tyre krimi atje po shfrytëzon lëvizjen e lirë.

Në një situatë të tillë kaotike dhe paqartësie është ligjësi e natyrshme që fuqi të tjera të interesohen për të zgjeruar ndikimin. Turqia tanimë është në kurs përplasjeje me SHBA dhe ajo në Ballkan ka mekanizma të fortë kontrolli. Por askush nuk e cilëson Turqinë si aktor malinj.

Rusia po dëshmohet  e aftë në shfrytëzimin e përçarjes së BE-së, por në Ballkan ajo ka dështuar pikërisht për shkak të ndjenjave pro europiane të një pjese të mirë të popullsisë.

Si ta përkufizosh atëherë këtë paradoks? Ballkani provon imunitetin e vet ndaj tendencave të Rusisë, ndërkohë që Europa vetë po rrëzohet në gjunjë përpara Moskës zyrtare, qoftë përmes diversioneve, qoftë me fitoret e ekstremit të djathtë.

Kjo është një krizë vendimmarrjeje e Europës dhe Perëndimit më shumë sesa një fitore e lëvizjeve të nëndheshme të Rusisë. Një Europë që flet më gojën e Juncker, Mogherinit, Hahn, politikanë pa asnjë peshë në vendet kryesore, natyrisht që do të jetë një Europë joserioze. Drejtimi politik i Unionit duhet të ketë politikanë me peshë ndërkombëtare, jo karagjozë që lidhin miqësi drekave e darkave me kryeministra të vendeve të korruptuara.

Sigurisht që Shqipëria apo ndonjë vend tjetër i Ballkanit nuk e meritojnë anëtarësimin, por ato meritojnë që të paktën të mos u vihen në diskutim arritjet konkrete si heqja e vizave. Prekja e tyre tregon mungesë vizioni dhe shkon në të kundërt me predikimin e përditshëm të gogolit rus.

Ballkani është një rajon që vuan nga shumë komplekse. Por një komleks nuk e ka: atë gjeopolitik. Në historinë e tij ai ka provuar se ka mbijetuar me tiparet e veta, pavarësisht se cilat kanë qenë fuqitë që e kanë dominuara. Në 100-150 vitet e fundit, elitat politike dhe kulturore të këtij rajoni kanë predikuar lidhjen me Perëndimin si profeci dhe zgjidhje për obskurantizmin oriental të së shkuarës. Koha provoi se ky mesazh është i rremë, i ngjyrosur keq dhe pa lidhje organike me historinë e vërtetë.

Lindja nuk është armiku i askujt. Ajo është shfaqur si kërcënim vetëm sepse aty ku nis ndryshimi, përvijohet kufiri i një kulture si ajo perëndimore, e cila njësoj siç u dëshmua e paaftë që të përkufizonte veten kur erdhi pun ate Kushtetuta e Europës, ashtu edhe është sot e paaftë të përkufizojë kufijtë e vet në Ballkan. Pikërisht sepse nuk e ndjen rajonin tonë si të vetin, nuk u do mesa duket pasazhet e një historie tjetër në gjirin e vet. Të tjerat janë fjalë që nuk i beson më kush.