Kisha Ortodokse e Greqisë ka kundërshtuar urdhrin e qeverisë për mbylljen e vendeve fetare për një javë, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit duke marrë masa më strikte para hapjes së planifikuar të shkollave.

Kisha ka lëshuar një deklaratë të hënën drejtuar priftërinjve duke u bërë thirrje që t’i pranojnë besimtarët në shërbimin për pagëzim të mërkurën. Këshilli i Shenjtë tha se “nuk pranon” masat e reja të vëna nga 3 deri më 10 janar dhe se do të dërgojë letër proteste qeverisë.

Pas rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 në Greqi, autoritetet kanë vendosur izolim të dytë duke i mbyllur shkollat dhe duke suspenduar shumë prej aktiviteteve ekonomike dhe shoqërore. Masat ishin hequr pjesërisht para Krishtlindjes, ku kishat dhe dyqanet joesenciale u lejuan të rikthejnë disa shërbime.

Mirëpo, të gjitha ato janë mbyllur tash për një javë, derisa autoritetet shtetërore shpresojnë se mund të parandalojnë përhapjen e virusit para hapjes së shkollave më 11 janar, shkruan AP.

Në deklaratën e Kishës, thuhet se qeveria duhet të qëndrojë prapa vendimeve që u morën për Krishtlindje, duke shtuar se klerikët kanë respektuar masat gjatë festave.