Kina të dielën konfirmoi 17 raste të reja të virusit të zbuluar së fundmi, duke çuar numrin e përgjithshëm të personave të infektuar në 62 në vend, thanë mediat lokale.

Autoritetet në Wuhan njoftuan se 17 raste të reja u zbuluan me ndihmën e analizave të reja, duke çuar në 62 numrin e përgjithshëm, prej të cilëve dy persona humbën jetën, tetë janë në gjendje të rëndë dhe 19 janë liruar nga spitalet, raportoi e përditshmja lokale “South China Morning Post”.

Zyrtarët shëndetësorë në provincën kineze Wuhan thanë se 681 nga 763 personat që dihet se kanë qenë në kontakt të ngushtë me njerëzit e infektuar janë testuar për virusin, por asnjëri prej tyre nuk doli të jetë infektuar.

Sipas diagnozave nga Komisioni Shëndetësor Komunal në Wuhan, 62 persona të infektuar vuajnë nga pneumonia e shkaktuar nga koronavirusi.

Të enjten, Kina konfirmoi vdekjen e dytë nga virusi në provincën Wuhan.

Të shtunën e kaluar, vendi raportoi vdekjen e parë nga virusi i ri që shpërtheu në Kinën qendrore.

Përveç Kinës, Japonia dhe Tajlanda gjithashtu raportuan tre raste të virusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se autoritetet kineze besojnë se koronavirusi i ri nga familja vdekjeprurëse e viruseve SARS (Sindromit të Rëndë Akut Respirator) dhe MERS (Sindromi Respirator i Lindjes së Mesme), mund të jenë shkaku i rasteve misterioze të pneumonisë, raportoi revista mujore Scientific American.

“Koronaviruset janë një familje e madhe virusesh që variojnë nga ftohja e zakonshme deri te SARS. Disa shkaktojnë sëmundje më pak të rënda, disa më të rënda. Disa barten me lehtësi nga një person në tjetrin, ndërsa të tjerat jo”, ka thënë OBSH.