Në përgjithësi të gjithë shqiptarët, qoftë në Kosovë, Maqedoni apo Shqipëri i janë mirënjohës perëndimit dhe SHBA për atë çfarë kanë bërë. Por për analistin Kim Mehmeti, mirënjohje nuk do të thotë që të trajtohesh si leckë.

Në studion e lajmeve në RTV Ora, Kim Mehmeti bëri një krahasim mes qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare. Për Shqipërinë, tha se vendosin ndërkombëtarët, ndërsa për Kosovën u shpreh se fitoi një parti që ndërkombëtarët nuk donin.

“Me fitoren e VV ka ndodhur diçka e kundër sipas meje. Erdhi në qeveri një parti që edhe faktorët ndërkombëtare apo disa nga ata nuk e donin. Kosova ka qenë dhe është djepi i shumëçkaje. Ai popull tregoi që ne e duam këtë. Në rrethana të tilla, të fitosh aq sa fitoi VV-ja, është mrekulli, sepse VV nuk kishte njerëz të punësuar në qeveri. Pra ajo flet për vetëdijen e një populli”, tha Mehmeti.

Analisti i njohur tha se fryma e Vetëvendosjes do të sjellë një risi si dhe do të kthejë një vetëbesim tek shqiptarët.

“Në këtë botë unë e di kush është ai që dirigjon. Popujt e vegjël për shumë pak gjera pyeten, por ju duhet ta ruani dinjitetin. Flitet shumë shpesh që duhet të jemi mirënjohës për perëndimit se ka bërë për shqiptarizmin…! Po, derisa të ketë një shqiptar në këtë botë duhet të jetë mirënjohës ndaj asaj që bën SHBA për Kosovën e për ne. Mirëpo mirënjohja farë nuk do të thotë që ti të bëhesh leckë, që ti ta shembësh dinjitetin tënd. Njeriu nuk vdes vetëm kur jep shpirt, por edhe kur nuk vlen më për asgjë”, tha Mehmeti.