Asnjë prind nuk do ta ketë fëmijën dembel. Por t’i bësh fëmijët ta duan dhe vlerësojnë punën mund të jetë e vështirë. Për fat të keq bisedat e prindërve për të nxitur fëmijët të punojnë vërtiten rreth mësimeve dhe detyrave të shtëpisë, gjë që e kufizon shumë temën.

Në të vërtetë, fëmijët duhen nxitur të gjejnë vlerat e vetes përmes një marrëdhënieje të mirë me punën. Fëmijët, të cilët e dinë se puna e palodhur do t’i çojë drejt realizimit të qëllimeve, kanë vetëvlerësim më të lartë dhe janë më të suksesshëm. Megjithatë është e vështirë për të gjetur një ekuilibër. “Ka kohë për të qenë shumë punëtorë dhe ka kohë për të qenë dembelë”, – thotë psikoterapistja Laura Dabney, e cila prej 20 vitesh merret me të rritur e fëmijë.

Pse duhet të rrisim fëmijë punëtorë? “Prindërit nuk e kuptojnë se fëmijët e fitojnë vetëvlerësimin duke punuar”, – shpjegon psikoterapistja. Nëse fëmija ankohet se nuk bën dot diçka, por pas shumë përpjekjesh e arrin atë, ai ndjen një kënaqësi të madhe.

Kur duhet t’i mësojmë fëmijët të punojnë? Sa më shpejt të jetë e mundur. Sipas ekspertëve, që kur fëmijët lindin, prindërit u japin atyre modelet me të cilat do të rriten. Prandaj, zhvilloni zakone ku i dëshmoni dhe mësoni fëmijëve kënaqësinë nga puna e palodhur.

Si t’u japim fëmijëve modelin e një njeriu punëtor? Ankohuni sa më pak të jetë e mundur për punën. Sipas to Dr. Dabney, edhe pse shtëpia ndihet si vendi më i sigurt për të shprehur të gjitha ndjesitë tona, mos u ankoni në lidhje me punën në prezencën e fëmijëve tuaj, sepse u jepni shembull të gabuar.

A duhet t’i lini fëmijët të përballen me sfida? Nëse e shikoni se fëmija ka vështirësi për të arritur diçka, mos ia lehtësoni menjëherë gjërat. Lëreni ta provojë vetë derisa të mundet. Kur ta përfundojë, përgëzojeni për arritjen.

Respektoni personalitetin e fëmijëve: Ndonjëherë prindërit kanë ide të qarta në kokën e tyre si duhet të jenë fëmijët dhe përpiqen të edukojnë fëmijën që do të donin të kishin. Në të vërtetë, fëmija ka personalitetin e tij, i cili duhet respektuar. Ka fëmijë që janë të aftë dhe të talentuar në fusha të caktuara dhe këto duhet të këmbëngulni të nxirrni në pah.

Të punosh shumë është një vlerë për fëmijët, të cilët më pas do të bëhen të rritur. Por, duhet t’i mësoni fëmijëve të vendosin gjërat në balancë dhe të mos fokusohen vetëm tek puna.