I ftuar në “Top Talk”, këshilltari ligjor i presidentit të vendit, Ilir Meta, Bledar Dervishaj, tha se, kreun e shtetit, mund ta shkarkojnë për arsye politike, pasi siç e tha edhe raporti i Komisionit të Venecias, ai nuk e kishte shkelur Kushtetutën.
Dervishaj u shpreh se, presidenti ushtroi një kompetencë të veten, me dy dekretet e tij, atë të caktimit të datës së zgjedhjeve.
“Tejkalim kompetencash do të thotë atëherë kur nuk e ke këtë kompetencë. Presidenti çfarë bëri me dy dekretet e tij? Ushtroi kompetencë që e ka ndonjë organ tjetër? Jo. Ushtroi një kompetencë të vetën, caktimin e datës së zgjedhjeve. Ushtroi një rol të tijin, arbitër kushtetues midis palëve në raste krizash. Nëse do të kemi vlerësim me qetësi dhe mature nuk besoj se do të shkonte komisioni hetimor në këtë vendim sepse janë dy institucione dy kushtetuese, Presidenti dhe Kuvendit. Këto dy institucione kanë shprehur vullnetin e tyre me akte. Ky moment do të thotë se këto institucione janë në konflikt kompetencash. Kuvendi po pretendon se Presidenti ka shkelur kompetencat e tij kushtetuese, atëhere le të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, por jo nëpërmjet një procedure shkarkimi. Ndjekja e këtij procesi për shkarkimin e Presidentit, e vendos Kuvendin në një moment që quhet vetëgjyqësi. Pse? Sepse palët janë në konflikt, kush gjykon?”,- tha Dervishaj.