Mos u lodhni kot të arrini lavdinë letrare dhe artistike në Shqipëri me krijimtarinë dhe talentin tuaj.

E vetmja rrugë e sigurtë lavdie letrare dhe artistike është të lidheni me një nga partitë kryesore, që alternojnë njera-tjetrën në qeveri, të lidheni sidomos me kryetarin e partisë, po patët mundësi martohuni ju ose fëmijtë tuaj me ndonjë mbesë a nip a kushuri të kryetarit. Në vend që të bëni letërsi të mirë apo muzikë të bukur dilni sa më shpesh në ekranet televizive dhe lartësoni figurën dhe qendrimet e kryetarit të partisë dhe përpiquni të futeni në forumet e partisë.

Nëse i bëni këto hapa, hapen dyert e lavdisë dhe pavarësisht se mund të jesh shkrimtar mediokër dhe poet mediokër ju merrni çmime nga Ministria e Kulturës, nga panairi i librave, nga OJQ-të që mbahen me fondet e qeverisë, ju futeni nga ministria e arsimit në programet shkollore nga abetarja deri në universitet, ju bëheni deputet, ministër, ambasador, “nderi i kombit”, profesor dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, zgjidheni në katër a pesë borde, rrjedhin lumë honoraret, dhe pas vdekjes e keni të siguruar një bust në një shesh të Tiranës. Le të keni qenë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, le të keni qenë operativ sigurimi dhe bashkëpunëtor sigurimi, le të keni qenë “vullnetar i Enverit”, le të jeni talent mediokër.

Ju pëlqen!

Partia ku militoni sot ua fshin me gomë minuset dhe qeveria e saj ju garanton lavdi letrare dhe artistike, nëse ju i jepni partisë lavdi politike. Kështu mbetën në presidiumin e lavdisë zyrtare ata shkrimtarë dhe artistë dinakë, që u lidhen me një nga partitë kryesore të tranzicionit dhe hynë në forumet drejtuese të tyre. Askush nuk ua përmend mëkatet e shërbimit ndaj diktaturës dhe shtuan famën artistike nga politika, e cila dënoi me heshtje ata shkrimtarë dhe artistë naivë, që menduan se do të gjejnë lavdinë letrare e artistike te krijimtaria dhe te pavarësia e tyre. Duhet të nxirrni mësim nga tranzicioni, ku ka 30 vjet që sulmohet përditë me ligësi gjenetike shkrimtari më i shquar shqiptar i të gjitha kohrave vetëm pse nuk u vu në shërbim të partive kryesore të tranzicionit. Mediokriteti është më i dobishëm për partitë se sa fama botërore.

Ndaj lidhuni me dy partitë kryesore dhe sidomos me kryetarët e partive dhe përveç pasurisë, e keni lavdinë letrare e artistike të siguruar.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.