Rreth tre vjet pas dakordimit për të filluar kërkimin për personat që u zhdukën gjatë regjimit komunist, prokurorët shqiptarë nuk kanë dhënë ende urdhra për të gërmuar varret e dyshuara masive, thotë një raport nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP tha në një raport të publikuar të martën se prokurorët shqiptarë ende nuk po lëshojnë urdhra për zhvarrosjen e vendeve të dyshuara të varreve masive ku mund të jenë varrosur njerëz që u zhdukën gjatë periudhës komuniste.

Qeveria shqiptare ra dakord me ICMP për të filluar kërkimin në 2018, pas tetë vjet negociatash.

ICMP dhe Instituti për Integrimin e ish të Përndjekurve Politikë atëherë paraqitën kërkesën e tyre të parë për të gërmuar dy varre masive të njohur nga epoka komuniste në Dajt dhe Ballsh në shtator 2018.

“Deri më sot, nuk janë lëshuar urdhra për gërmimin e vendeve të dyshuara”, thuhet në raportin e ri të ICMP.

“Zyrat e prokurorëve nuk kanë lëshuar urdhra për gërmime, duke përmendur mungesën e burimeve financiare për të mbuluar kostot që do të lindnin nga angazhimi i ekspertëve teknikë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Shqipërisë”, shton ai.

Të njëjtat shqetësime në lidhje me progresin e ngadaltë në nisjen e gërmimeve në dy vendet e varreve masive u ngritën në një konferencë në Tiranë në vitin 2019.

ICMP është zotuar të ndihmojë Shqipërinë të hetojë dhe identifikojë eshtrat e mbi 6,000 shqiptarëve që u vranë ose u zhdukën nën regjimin komunistin autoritar të diktatorit Enver Hoxha në vend midis vitit 1944 dhe 1991.

“Sipas të dhënave zyrtare, 5,501 persona të dënuar për arsye politike u ekzekutuan gjatë kësaj periudhe. Trupat e tyre nuk iu kthyen kurrë familjeve të tyre”, thuhet në raportin e ICMP.

“Të dhënat zyrtare tregojnë gjithashtu se 987 të burgosur politikë vdiqën nga shkaqe të ndryshme në burgjet dhe qendrat e paraburgimit në Shqipëri. Vendndodhja e mbetjeve të tyre mortore nuk dihet nga të afërmit e të mbijetuarve”, shton ai./birn/