Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi ende nuk ka nisur punën konkrete me hetime apo edhe intervistimin e personave ku dyshohet se gjatë kohës së pandemisë, deri sa ishte Qeveria Kurti, ka pasur mosmenaxhim të duhur të situatës.

Komisioni deri më tash është takuar dy herë dhe gjatë kësaj jave pritet të takohet sërish.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës, madje kanë shprehur dyshime se në atë kohë ka pasur edhe keqpërdorime të parasë publike.

Komisioni u formua më 4 qershor me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ka për qëllim hulumtimin, konstatimin, qartësimin e asaj se çfarë ka ndodhur dhe të përcaktimit të përgjegjësisë së atyre që kanë qenë të përfshirë në menaxhimin e situatës së pandemisë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Komisioni gjatë mandatit të tij, ka paraparë kryerjen e punës në tri faza kryesore atë të hetimeve, vlerësimin e hetimeve, dhe përgatitjen e një raporti përfundimtar që do të prezantohet në Kuvend.