Gezim Mekuli, pikturoi Gazmend Freitag
Gezim Mekuli, pikturoi Gazmend Freitag
 

Dhjetor 2022: Katër fatkeqësi, katër tragjedi, katër vrasje: vrasja e Hamide Magashit me fëmi, (vetë)vrasja e Sokol Halilit e bashkë më të edhe etika e gazetarisë shqipe.

Kosova jonë e vogël u trondit nga një tragjedi njerëzore. Përpos tragjedisë, Kosova jonë e vogël, u provokua nga gazetaria jonë amatore dhe e pashkolluar.

Ja një shembull që përforcon mendimin tim: Vrasja e gruas, dhe vetëvrasja e vrasësit, dëshmoi se gazetaria jonë dhe prezantimi i kriminalitetit në televizion, në portale, në radio e në media sociale vuan nga deficiti etik.

Ju pëlqen!

Etikë gazetareske nuk do thotë që të paragjykohen vendimet e drejtësisë e as veprimet e policisë. Raportimi mediatik rreth këtij rasti tragjik të shoqërisë sonë bëri që ne sot të kemi edhe një vetëvrasje. Mediat shqipe poshtëruan familje, përdhunuan dhe poshtërun në publik familjen shqiptare.

Pse mendoj kështu dhe pse e them këtë?
Gazetaria jonë nuk tregoi as më të voglin respekt për viktimën, për fëmijën.
Mediat nuk u lodhën fare për të ngushëlluar, për t’a nderuar dhe respektuar familjen dhe të afërmit e viktimës. Nuk u tregua e nuk u shfaq kujdes as në paraqitjen dhe publikimin e emrit dhe fotografisë së viktimës. Poashtu, përzgjedhja e fjalëve ishte e njëanshme, ofensive, primitive, johumane dhe me plot emocione.

Fjala e shkruar ishte frikëprodhuese dhe mundësia për të prodhuar dhunë dhe ngatërresa brenda familjes si institucion, në përgjithësi ishte e madhe.

Lajmet amatore gazetareske nuk u ndalën të analizojnë rrethanat sociale, psikologjike e shëndetësore të vrasësit të dyshuar. Nuk pamë e nuk dëgjuam mbi jetën e tij, eventuale, të çrregulluar dhe të vështirë familjare. Nuk pamë e nuk lexuam për raportet mjekësore të gjendjes psikike dhe shëndetësore të të akuzuarit për vrasje. Nuk u shkrua e nuk u kritikua aspak defekti në sistemin tonë shëndetësor, pedagogjik e social. Nuk u nënvizua shoqëria jonë e traumatizuar nga lufta, nga korrupcioni dhe skamja.

Gazetarët e gazetaret përgjithësuan, gjykuan dhe akuzuan BURRIN, MASHKULLIN, DJALIN e familjes shqiptare. Familja shqiptare, institucioni ynë, në përgjithësi, u akuzua rëndë; u lëndua rëndë.

Të nderuar lexues,
E them se BURRI dhe FAMILJA u poshtërua nga media shqipe sepse tragjedia “Hamide Magashi” nuk u veçua si rast i izoluar dhe si sëmundje psikosociale e një njeriu me shumë probleme. Në vend të kësaj gazetarët tanë u paraqitën herë herë si Policë e ndonjëherë si Gjykatës hetues.

Si të punosh me etikën?
Menduan mediat se çfarë pasojash ka botimi i lajmeve të tilla? U vlerësua nëse lajmi, i lansuar me pompë, është i vlefshëm dhe i dobishëm për publikun? Çfarë pasojash ka lajmi apo reportazhi për lexuesin, për dëgjuesin dhe për shikuesin? Po për gazetarinë dhe mediat në përgjithësi?

Shpesh, shumë gazetarë e gazetare kanë ambicie personale që artikulli i tij apo i saj të publikohet në fillimin e lajmeve dhe emisioneve. Po ashtu edhe konkurrenca mediatike për të qenë i pari me artikuj, kalon kufirin e etikës gazetareske.
Në artikujt, reportazhet, lajmet dhe emisionet televizive mbi rastin tragjik të së ndjerës Hamide u vërejt një mungesë e thellë e empatisë. Është e dhimbshme, dhe njëkohësisht tragjike, se si një grup i madh i gazetarëve treguan paaftësi për të futur veten e tyre në jetën dhe në ndjenjat e të tjerëve.

Të dashur lexues,
Në mediat tona nuk pamë e nuk dëgjuam fjalë për personalitetin dhe statusin social të vrasësit të vetëvrarë. Kjo mungesë e empatisë ka themelin dhe fillimin në vrapin pas parasë, etjen për vëmendje, për klikime, status, garim për të përfituar më shumë lexues e më shumë konsumues dhe, kështu, natyrisht, edhe sigurimin e parave nga fitimi i reklamave.

Etika profesionale e gazetarisë shqiptare ka shumë pak hapësirë për empati. Detyrë e parë e gazetarit dhe e gazetares është që të tregohet respekt për njeriun, e veçanërisht për grupet e dobëta të shoqërisë sonë, dhe të të sëmurëve psiqik.

Të gjithë jemi dëshmitarë se si Gjykata për krime lufte në Hagë, kriminelit dhe arkitektit të vrasjes së më shumë se 300.000 njerëzve në Ballkan, i drejtohej me fjalët: ”Mr. Milosheviq” (Zoti Millosheviq).

Në dhjetor 2022 na ndodhen katër fatkeqësi, katër tragjedi, katër vrasje: vrasja e Hamide Magashit, fëmijës së sajë, vrasja e Sokol Halilit e bashkë më të edhe etika e gazetarisë shqipe.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!