Nga Laurence Rees

Ndaluni një moment dhe imagjinoni Adolf Hitlerin. Imagjinojeni atë në mendjen tuaj. Çfarë shihni? Unë imagjinoj, se ju po shihni një imazh që nuk ndryshon shumë nga portretizimi i Hitlerit në filmin “Downfall” (Rënia) i vitit 2004. Një karakter agresiv, që ulëret, dhe është i pandjeshëm.

Aktori gjerman Bruno Ganz, i cili luajti Hitlerin tek ky film, tronditi aq shumë shikuesit sa

që një nga skenat kryesore të filmit, është bërë virale në internet, duke u përdorur për mesazhe te ndryshme satirike me titrat e ndryshuara. Por, ndërsa është e vërtetë që në ditët e tij të fundit, Hitleri kishte dalë nga binarët, ai moment nuk përfaqëson gjithë historinë.

Për më tepër, problemi është se ky imazh përkëdhel një dëshirë të thellë, që unë mendoj se e ka fshehurazi shumica prej nesh. Ne duam që Hitleri të jetë i çmendur, nga fillimi deri në fund. Ne duam që Hitleri të jetë i çmendur, për shkak se ai kryen krime monstruoze, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, që janë të lehta për t‘u shpjeguar.

Është e thjeshtë, mund t’i themi vetes:Qetesohu, Hitleri ishte një i çmendur që hipnotizoi miliona gjermanë të zakonshëm, për të bërë gjëra kundër gjykimit të tyre racional. Në fakt, ai nuk ishte i çmendur, dhe nuk hipnotizoi askënd. Hitleri u bë kancelari i Gjermanisë në janarin e vitit 1933 me mjete demokratike.

Një pjesë e mirë e elitës gjermane – njerëz të mprehtë e të mençur – vendosën ta mbështesnin. Por përse ata mbështetën një të marrë? Dhe mënyra sesi Hitleri e drejtoi partinë e tij midis viteve 1930-1933, tregoi se ishte një politikan i zgjuar, por tërësisht i paskrupullt.

Përllogaritjet e tij, rreth asaj se ku qëndronte vërtet pushteti në Gjermani, dhe se si t’i manipulonte më mirë emocionet e gjermanëve të zakonshëm, ishin shumë të sofistikuara.

Përveç kësaj, Hitleri krijoi një mbështetje të madhe dhe të sinqertë. Pikëpamjet e tij, shpesh përputheshin me ato të një numri të madh të popullsisë gjermane.

Unë kam realizuar filma dokumentarë, dhe shkruar libra rreth nazistëve dhe Luftës së Dytë Botërore për 20 vjet me rradhë, dhe kam takuar qindra njerëz që kanë jetuar gjatë asaj periudhe – duke përfshirë shumë nga ata që kanë takuar personalisht Adolf Hitlerin.

Dhe imazhi që ata pikturojnë, është shumë më kompleks dhe më i nuancuar, se sa sjelljet e një të çmenduri në filmin që përmendëm më lart. Shumë prej tyre flasin në veçanti për “karizmën” e pabesueshme që ata mendonin se zotëronte Hitleri. Për shembull, Fridolin von Shpaun, u takua me Hitlerin në një darkë me përkrahësit nazistë në fillim të viteve 1930.

Kur pa Hitlerin që po e vështronte, ai ndjeu sikur sytë e Hitlerit po depërtonin  direkt në mendimet e tij më të thella. Dhe kur Hitleri i hodhi një moment duart mbi shpinë von Shpaun, ndjeu “një dridhje nga gishtat e tij që më penetronin”. “Unë në fakt e ndjeva atë. Nuk ishte një dridhje nervore. Përkundrazi, ndjeva se ky njeri, ky trup, është thjeshte mjeti për të zbatuar një vullnet të madh, të gjithëfuqishëm këtu në Tokë. Sipas pikëpamjes sime, kjo ishte një mrekulli”- kujton ai.

Ndërkohë Emil Klein, i cili e dëgjoi Hitlerin të fliste në një birrarit të Mynihut në vitet 1920, beson se Hitleri “kishte një karizëm të tillë, që njerëzit e besonin gjithçka që ai thoshte”. Ajo që mësojmë nga dëshmitarët okularë si von Shpaun dhe Klein, është se karizma është elementi i parë dhe më kryesor në lidhjen midis njerëzve.

Askush nuk mund të jetë karizmatik, i vetëm në një ishull të shkretë. Karizma formohet në një marrëdhënie. Sikurse shkruante ambasadori britanik në Berlin në vitet 1930, Hitleri “ia detyron suksesin e tij luftës për pushtet, faktit që ai ishte reflektimi i mendjes së pavetëdijshme të përkrahësve të tij, dhe i aftësisë së tij për të shprehur me fjalë, atë që mendja e pavetëdijshme mendonte se donte”.

Kjo është një pikëpamje e konfirmuar nga Konrad Heiden, i cili dëgjoi Hitlerin të fliste shumë herë në vitet 1920:”Fjalimet e tij, fillojnë gjithmonë me një pesimizëm të thellë dhe mbarojnë me një entuziazëm të madh, një fund të gëzueshëm triumfal. Shpesh ato mund të refuzohen nga arsyeja, por ndjekin logjikën më të fuqishme të pavetëdijes, të cilën nuk mund ta prekë asnjë përgënjeshtrim…”

Njerëzit si von Shpaun dhe Emil Klein, ishin të predispozuar ta cilësonin Hitlerin karizmatik, sepse ata tashmë besonin në shumicën e politikave që mbronte Hitleri. Kështu bëri edhe Albert Shper, që mori pjesë për herë të parë në një nga fjalimet e Hitlerit në fillim të viteve 1930:”Unë u përfshiva nga vala e entuziazmit, dhe këtë gati e ndieja fizikisht. Ai dukej se ndjente se po shprehte atë që audienca, e transformuar tashmë në një masë të vetme, priste prej tij”- shprehet ai.

Por nëse nuk do të besonit në politikat që propagandonte Hitleri, atëherë ai nuk ushtronte asnjë pushtet karizmatik. Për shembull, Jozef Felder, ishte i tmerruar kur dëgjoi përhapjen e urrejtjes së Hitlerit kundër hebrenjve:”Kur u largova nga takimi,nNë një moment i thashë mikut tim:”Përshtypja ime është që ky njeri, Hitleri, shpresoj të mos të vijë kurrë në pushtet!“.

Megjithatë, nëse Hitleri krijonte një lidhje me auditorin e tij, atëherë ai ndërtonte mbi atë lidhje një numër mënyrash të tjera për të konsoliduar këtë lidhje karizmatike. Ç’është më e rëndësishme, ai ishte gjithnjë i sigurt në gjykimet e tij. Ai nuk shprehte kurrë dyshime për ndonjë gjë para audiencës së tij.

Ai i njihte problemet me të cilat ballafaqohej Gjermania, dhe ai tha se i njihte zgjidhjet. Përveç kësaj, ai paraqiti veten si një figurë heroike – një ushtar i thjeshtë dhe trim nga Lufta e Parë Botërore – i cili donte që mbështetësit e tij të kishin “besim” tek ai. Për pasojë, disa përkrahës të nazistëve, madje bënë krahasime blasfemuese mes Hitlerit dhe Jezusit – të dy kishin qenë 30 vjeç kur filluan “predikimin”, dhe që të dy synuan “shpëtimin” e popullit të tyre.

Por në vitin 1928, 9 vjet pasi Hitleri u anatësua në Partinë Gjermane të Punëtorëve,  dhe 7 vjet pasi u bë udhëheqës i partisë, dukej sikur partia naziste nuk do të vinte asnjëherë në pushtet. Në zgjedhjet e atij viti, nazistët morën vetëm 2.6 përqind të votave.

U desh rënia e bursave në Uoll Strit, dhe kriza e tmerrshme ekonomike e fillimit të viteve 1930, që bëri miliona gjermanë të bëheshin të vëmendshëm ndaj apelit të Hitlerit. Papritmas, për njerëzit si studentja Juta Rydiger, thirrja e Hitlerit për një ringjallje kombëtare, e bëri atë të dukej si “sjellësi i shpëtimit”.

Aq shumë, sa që në vitin 1932 nazistët ishin papritur partia më e madhe politike në Gjermani. Elita gjermane, ishte më e shqetësuar për rreziqet që vinin nga komunizmi sesa nga nazizmi. Pasditen e së dielës së 29 janarit 1933, presidenti Hindenburg ra dakord të emërojë Hitlerin si kancelar. Ky moment, sinjalizoi fundin e demokracisë në Gjermani.

Historia e emërimit të Hitlerit si kancelar, na mëson disa gjëra të rëndësishme. Ne zbulojmë se Hitleri ishte një politikan instinktiv dhe jashtëzakonisht i fuqishëm – por vite dritë larg njeriut të demoralizuar dhe të çmendur, të portretizuar tek filmi “Downfall”.

Mbi të gjitha, ne mund të shohim aty fuqinë e situatës për të ndryshuar perceptimin. Hitleri u refuzua si një figurë periferike në vitin 1928, por u lavdërua nga miliona njerëz në vitin 1933. Ajo që ndryshoi nuk ishte Hitleri, por situata. Katastrofa ekonomike, bëri që një numër i madh gjermanësh të kërkojnë një “shpëtim” karizmatik. Ndërsa sot shohim të shpalosen ngjarjet ekonomike në Evropë, është e pamundur të imagjinohet një paralajmërim më i madh nga historia sesa ky.

Marë me shkurtime

Shënim: Laurence Rees, është një historian dhe regjisor i mirënjohur, dhe autori i librit “Karizma e errët e Adolf Hitlerit”. Në vitin 2006 ai fitoi çmimin “British Book Award” për librin “Aushvic: Nazistët dhe zgjidhja përfundimtare” .