Ballkani Perëndimor vetëm formalisht është një rajon me sistem demokratik. Në vendet e tij, si Serbia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, janë në krye liderë autoritarë që po gërryejnë të gjithë ngrehinën demokratike. Kapja e shtetit është tanimë një tipar i qartë dallues në këto vende, të cilat kanë të hapur një ofertë për anëtarësim në Bashkimin Europian, përmes një procesi negociatash konceptuar për të kapur standarde demokratike të cilat thjesht janë pervertuar.

Në një studim të publikuar nga Netherlands Institute of International Relations Clingendael nënvizohet se Kapja e Shtetit në Ballkanin Perëndimor është një dukuri Destruktive. Shembulli i marrë është Serbia, një vend ku pushteti i Alexander Vuçiç është strukturuar jo vetëm si shpërndarje hierarkike, por edhe si një lloj doktrine që blen mbështetjen ndërkombëtare në funksion të premtimit për stabilitet.

“Kapja e shtetit mund të përkufizohet si një korrupsionin sistemik politik në të cilin politikanët ushtrojnë kontrollin e tyre mbi vendimmarrjen e një vendi në favro të tyre”, thuhet në studim.

I cili i jep analizës së bërë një perspektivë europiane, kur e vendos kapjen e shtetit si shkak kryesor në largimin në masë të të rinjve nga Ballkani. Ikje e cila konsiderohet si sfida kryesore në rajon pikërisht sepse e bën gati të pamundur përballimin e një pushteti të kudondodhur.

Ky vlerësim që ngrihet mbi bazën e vëzhgimeve dhe përputhet me shqetësimet e një pjese qytetarësh në vendet e rajonit, përbën një apel për rrezikun e madh të zhbërjes së demokracisë si opsion i mundshëm, duke e shndërruar autoritarizmin si alternativën e vetme konkuruese për të ardhmen.

Nga ana tjetër, Perëndimi është në këtë lojë i përfshirë si përgjegjës. Dy ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg vlerësonte neutralitetin ushtarak të Serbisë, duke dhënë sinjale të reja qetësie për Alexander Vuçiç që tregëton emocionet e njërës apo tjetrës palë.

Duket se koha e zvarritjes po shkon drejt fundit dhe Ballkanit, por sidomos Europës i duhet një përgjigje sqaruese nëse rajoni ynë duhet të jetë apo jo pjesë e Bllokut, apo do të ishte më mirë ideja e Macron për partneritet strategjik. Po kalon një brez nga rënia e Murit të Berlinit dhe Europa nuk ka arritur as të unifikojë veten, as të shndërrohet në aktor serioz në plan ndërkombëtar, as të zgjidhë situatën në kufij, as të përpunojë strategji në raport me rivalë si Rusia, as edhe të mësojë të flasë për diçka tjetër veç rrezikut nga emigracioni.

https://europeanwesternbalkans.com/2020/09/25/clingendael-institute-destructive-effects-of-state-capture-in-the-western-balkans/?fbclid=IwAR2BohfgMbnyyqgERN4Gz1WgEZezQ08JJGBkPto0hcOC5hOHo6VXRoru-Aw