Të premten paradite në Adlikon afër Regensdorfit të Cyrihut, policia ka kapur në vepër një grua nga Serbia duke bërë në mënyrë ilegale punën e mjekes, shkruan sda.ch.

Në momentin kur është kapur, ajo në ordinancën e saj, (një banesë e improvizuar si ordinancë), ishte pikërisht duke e përgatitur injeksionin për t`i bërë një pacienteje “nxjerrjen e dhjamit” përmes injektimit. Mjekja ofronte edhe ndërhyrje tjera si fryrje të buzëve dhe të ngjashme.

Nga hetimet që ka zhvilluar Policia Kantonale, ka lindur dyshimi se mjekja në fjalë po ofronte shërbime në mënyrë ilegale, transmeton albinfo.ch. Ndërsa me rastin e kontrollimit të bërë, policët në “ordinancë” kanë gjetur tri gra të moshës në mes 41 dhe 53 vjeçare: mjeken dhe dy asistente të saj.

Të gjitha ato vinin nga Serbia ndërsa në Zvicër po qëndronin dhe punonin ilegalisht. Kjo u vërtetau kur policët në banesën në fjalë kanë gjetur një dhomë ku treshja në fjalë ofronte “ndërhyrje kozmetike dhe mjekësore”, përcjell albinfo.ch.

Mjekes i mungonte si leja e nevojshme për punën me produkte që jepen përmes injeksioneve ashtu dhe leja e përgjithshme për të punuar si mjeke në Zvicër. Po kështu lejet në fjalë u mungonin edhe dy asisteneteve të saj.

Tri serbet janë arrestuar në vendin e ngjarjes dhe i janë dorëzuar prokurorisë kompetente.