Kaosi presidencial që po pjell një mi!

Sami Kurteshi

Tani ka plasur debati rreth “qeverisë së re” në Kosovë. Krijohet përshtypja e një kaosi kushtetues me pasoja të panjohura politike. Ky kaos as është i sotëm dhe as ka të bëjë vetëm me pasigurinë e perspektivës për “qeverisë e re”, çfarëdo që mendohet e si mendohet me këtë togfjalësh, e cila u rrëzua nga Kuvendi pas votimit të mocionit të mosbesimit në mesnatën e 25 marsit 2020.

Ju pëlqen!

Hiq situatën skajshmërisht të rënduar shëndetësore, ekonomike e shoqërore në të gjithë globin dhe në të gjitha fushat e jetës njerëzore, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Coronavirusi COVID-19, ky debat ka dy anë, atë legale dhe politike, që janë dy anët e së njëjtës medalje. Medalja është Kosova. Debati i filluar në këtë kaos legal e politik – një ‘mbarsje e malit’ si pasojë e një përzierje të pashembullt individësh, institucionesh, konceptesh, pikëpamjesh, ngjarjesh, të gjitha të bëra lëmsh nga ndërskamcat dhe veprimet e “faktorëve” vendimmarrës politik brenda dhe jashtë Kosovës.

Pa marrë parasysh kakofoninë shurdhuese si në kor të mbështetësve të mocionit të mosbesimit ‘Amerika/Amerika’, ‘antiamerkanizmi’ e ‘bolshevizmi’, ‘majtizmi’ e ‘prishja me miqtë ndërkombëtarë’, e jargavitje të ngjashme zhurmuese, thelbi i kaosit është frika e një kaste politike skajshmërisht të korruptuar e të kriminalizuar në Kosovë, e cila ka keqqeverisur për dy dekada, duke ndërtuar një sistem të rrjetëzuar të krimit dhe korrupcionit dhe Kosovën e ka shndërruar në një shtet të kapur e të ngulfatur. I tërë ky sistem, i lidhur me fije të klientelizmit provincialist rajonal, klanor, fare-fisnor, grupor e partiak, për vite me radhë i ka mbledhur selektuar këto fije të dirigjimit mafioz në duart e grupimeve politike, të quajtura parti politike ‘të dala nga lufta‘ e të organizuara në forma parapolitike mafioze. Dhe, të gjitha bashkë i ka lidhur në një post shtetëror të reduktuar në një person fizik që personifikon krimin, të quajtur Hashim Thaçi, i cili nuk ka lënë dhe nuk lë mjet pa përdorur e gur pa lëvizur për të dëmtuar e coptuar vendin.

Tani, pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, më shpejtë a më ngadalë, por gjithsesi pandalshëm, ky sistem po shembet. Po shembet miti i ‘kokave të shtetit’, të vetëkrijuara e vetëshpallura ‘elita politike’. Po shembet miti 30 vjeçar i rrjetit të mafiozuar i intelektualistëve injorantë të LDK-së për partinë shtetndërtuese me përvojë, partinë e çjerrjeve mashtruese për “lidhjet e përhershme me SHBA-të – Zoti e bekoftë Amerikën!”. Po shembet miti 20 vjeçar i rrjetit të kriminalizuar të ‘Komandantëve çlirimtarë‘ të PDK, që me mashtrimin ”Bac u kry!”, krimin e instaluan në themelet e shtetit dhe vodhën edhe në përmendoret e Bacit. Po shembet miti i ”Heronjëve të gjallë” të AAK, të cilët në emër të borxhit që ua ka Kosova, vodhën edhe në kafshatën e fëmijëve. Po shembet miti i ”Komandantëve” prej çeliku që u shtrinë në asfalt, e që edhe dheun e Kosovës e stërshitën. Po i vjen fundi mitit serb të krimit gjenocidal të institucionalizuar në Kosovë me LS dhe aleatët e saj. Kjo është dhembja e aleatëve të mocionit të mosbesimit kundër Qeverisë Kurti, e krijuesve të sistemit që po shembet.

Është e qartë se, pa marrë parasysh neutralitetin, madje edhe pa/ndjeshmërinë politike individuale, shqetësimi për gjendjen krijuar politike e kushtetuese është e drejtë legjitime e çdo qytetari të Kosovës. Mirëpo, një fakt është i pamohueshëm, në mbarsjen e malit, të cilit i prin Presidenti i vendit, janë futur pa sakicë në mal gjithfarë talentësh.  Kaosi ka nxjerrë në sipërfaqe analistë dërdëllitës, specialistë injorantë e gjuhëtarë konstitucionalistë, persona që citojnë vetveten apo si-taravolët e tyre dhe shpifjen e gënjeshtrën i deklarojnë për dëshmi e fakt, marrëzinë për analizë ekspertësh, urrejtjen e sëmurë patologjike si sinqeritet njerëzor, kurse injorancën primitive për interpretim profesional; njerëz që duke u nisur nga perspektiva e mikro-botës së tyre personale, në çështje të shtetndërtimit institucional, sidomos në çështjet ligjore-kushtetuese, janë po aq të përgatitur sikurse edhe në rregullimin e lakrave turshi, kurse njohuritë mbi raportet gjeostrategjike, sidomos për dialektikën e marrëdhënieve trans-atlantike, i kanë aq të mira sikurse për ndikimin e madhësisë së vezëve të pulave aziatike nga batica e pacifikut në brigjet e Andeve. Të gjithë këta, pa dallim, humbjen e kurrizit të tyre njerëzor, profesional, intelektual e etik, e mbulojnë me servilizmin e tyre me “mbrojtje të marrëdhënieve shembullore të Kosovës me SHBA dhe miqtë ndërkombëtarë”, e që palcë të të gjithë angazhimit të tyre politik, diplomatik, ushtarak e gjeostrategjik, e paskan Kosovën si strumbullar të të gjitha zhvillimeve në sistemit politik të botës, global e përtej-global! Dhe po, pikërisht për shkak të servilizmit dhe injorancës, këto klane mafioze i kanë shndërruar të tillët në Dr. mengele e adhamudhë, prof. dr., mr., sc., etj., etj., të universiteteve tona private apo edhe publike të privatizuara.

E ajo që irriton më së shumti, por populli e ka vërejtur mirë e mirë, është mburrja profesionale dhe përvoja shtetformuese dhe diplomatike me doza të larta të shizofrenisë megalomane të “diplomatëve” e “burrështetasve” të proviniencës primitive të kategorisë mustafa-thaçi-haradinaj-veseli-limaj, që ende veprojnë në marrëdhëniet ndërkombëtare me mentalitetin e çajtoreve provinciale. Kjo hallakamë e provincialistëve të çajtoreve nuk e njohin abc-në e marrëdhënieve ndërkombëtare, ku obligimet ndërkombëtare të kërkuara nga diplomatët ndërkombëtare janë vetëm në formë kontratash të nënshkruara, kurse premtimet e diplomatëve të huaj, që këta i trajtojnë si vendime të plotëfuqishme, në ratin më të mirë mund të jenë kurtoazi diplomatike që nuk prodhojnë pasoja në formë obligimesh ndërkombëtare, sikur 8200 hektarët e demarkacionit me Malin e Zi që janë shkëmbyer për premtimet diplomatike për liberalizim të vizave. Këtu ndihma e injorancës interpretuese e “gazetarëve” dhe “analistëve” profesionistë, e përzier me inate të personalizuara deri në urrejtje patologjike dhe egërsi të animalizuar kundër Qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë ndihmë zhurmuese e këtij klani provincial.

Ky fakt i kësaj përzierjeje kaotike të cilës i prin me dinakëri gjarpëri President, që përpiqet të mos lë gjurmë, ka pjellur një mi të fryrë në figurën e mocionit të mosbesimit për Qeverinë Kurti, mirëpo kohët e fundit, koka e kaosit e ka humbur torruan nga presioni i shumanshëm: Nga e ashtuquajtura Gjykatë Speciale; nga tradhëtitë e shumta që ia ka bërë vendit duke nënshkruar dokumente të ndryshme, të brendshme e ndërkombëtare për coptimin e tij; nga kërkimllogaria për vrasjet e shumta që nga lufta e paslufta, ku ai ka pasur rol vendimtar ose është i involvuar personalisht; nga mashtrimet e shumta të njerëzve që e kërcënojnë ta demaskojnë dhe i kërkojnë llogari për to dhe, jo përfundimisht, sidomos; nga frika e një qeverisjeje moderne, të vendosur e të pastër, të mbështetur nga populli gjithnjë e më fort e masivisht, që kërcënon t’ia nxjerr në dritë të gjithë krimin e kryer politik, ligjor e ekonomik me vrasje, keqpërdorime, shkelje të shumta ligjore e kushtetuese, hajni, zhvatje, plaçkitje e grabitje të pasurisë. Prandaj, mendja e veprimet e tij pjellin vetëm minj të fryrë me forma të ndryshme si mocioni i mosbesimit dhe jo vetëm, që synojnë destabilitet politik, rrënim ekonomik, konfuzitet shoqëror dhe rrezikim të jetëve të njerëzve në kohë pandemie.

Ky President monstrum me figurë njeriu, që e ka humbur pushtetin realisht dhe objektivisht në kuptimin legjitimitetit popullor si përfaqësues i ‘unitetit të popullit’, po përpiqet me çdo kusht ta mbajë atë legalisht si ‘kreu i shtetit’, duke krijuar përveç krizës edhe mjegullnajë politike me ndërskamca juridike, tani përmes ‘konsultimit’ zjarrvënës për një qeveri të re të unitetit të faktorit politik. Përpjekja brutale për krijimin e një realiteti të ri paszgjedhor nga pozita pasive ceremoniale e Presidentit, pa legjitimitet të votës popullore por me “legalitetin” e 82-3 votave të vullnetit qytetar të deformuar skajshmërisht nga deputete/ët e partive të korruptuara tani e 20 vjet, përbën një puç politik ndaj legjitimitetit popullor. Kurse koordinimi i vazhdueshëm me Isa Mustafën, një shërbëtor politik me trashëgimi serbo-titiste, që ndryshimet kushtetuese antishqiptare i ka pjesë të biografisë personale tani e katër dekada dhe shërbëtorët e tjerë servilë politikë të korruptuar në prapaskenë, që përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme fillimisht, e mëpastaj përmes rrëzimit të Qeverisë Kurti dhe përpjekjeve për krijimin e një ‘qeverie të re’ nga një Kuvend pa legjitimitet popullor, po e nxjerrin në dritë synimin kryesor, ndryshimet kushtetuese me 82-3 votat e deligjitimuara, për të nxjerrë nga terreni politik i Kosovës Lëvizjen Vetëvendosje, përbën një puç politik e juridik par excellence ndaj shtetit ligjor dhe legjitimitetit qytetar.

Sado që janë bërë përpjekje kriminale, sidomos në 4-5 vitet e fundit, për përndjekje politike e policore, prokuroriale e gjyqësore të Lëvizjes Vetëvendosje, madje edhe për ta nxjerrë si organizatë terroriste dhe në këtë mënyrë ta ndalonin edhe ligjërisht veprimtarinë e saj politike, duke i burgosur e vrarë aktivistët e saj, dështimi i ka tmerruar. Prandaj, me gjasë këto janë grahmat e fundit, edhe pse jo të parrezikshme, të hienave politike të trashëgimisë titiste dhe të “komandantëve çlirimtarë”. Ka ardhur fundi! Këtë e kanë kuptuar dhe po e ndjejnë përditë e më shumë në lëkurën e tyre. Këtë e ka ndjerë fuqimisht dhe pa dykuptimësi Presidenti. Në thirrjen e tij të natës më 23 mars, për rezistencë ndaj Vendimit të Qeverisë Kurti për parandalimin e pandemisë COVID-19, të cilën ua drejtoi qytetarëve, policisë së Kosovës dhe organeve të sigurisë në vend, mori përgjigjen të vendosur popullore e institucionale të qartë, absolute: JO! Asnjë, ama asnjë person, qoftë nga qytetarët apo pjesëtarët e institucioneve, nuk e përfilli thirrjen për rezistencë!

Madje, as pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që në gjuhën politike është një pragmatizëm jodogmatik i bazuar në premisën e oportunitetit politik, që në gjuhën popullore mund të përkthehet me “as mish, as peshk”, respektimi popullor i vendimeve të Qeverisë me legjitimitet qytetar, por pa legalitetin e vullnetit të degraduar të 82-3 votave parlamentare, madje edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese, është shembullor. Klani mafioz bashkë me Presidentin, sado hapur a fshehur përpiqen, nuk mund të zhbëjnë e mohojnë menaxhimin shembullor të krizës së pandemisë me mjete minimale nga kjo Qeveri pa legalitet parlamentar por me legjitimitet qytetar, që është shembull për të mirë në Evropë e botë për suksesin menaxherial në kohë pandemie. Prandaj, thirrja për rezistencë popullore e institucionale e këtij Presidenti ndaj vendimeve të Qeverisë Kurti, mbeti pa përgjigje aktive. Sepse populli e kupton: krejt loja e Presidentit gjarpër nuk përfill viktima në njerëz, por ka një problem themelor, humbja e pushtetit shtetëror, e me këtë shtjerrja e burimeve të hajnisë, korrupcionit, krimit të organizuar, si dhe afrimi i ditës së llogaridhënies para drejtësisë ligjore e shoqërore në Kosovë.

Pas gjithë këtij kaosi, mashtrimeve e tradhëtive, vendimi do të kthehet te vullneti i Popullit, te vota e qytetares/it të Republikës së Kosovës. E gjithë kjo mbarsje e malit nga të gjitha çajtoret provinciale në krye me Presidentin, që lëshon helmin e fsheh dorën e gjuhën, sikur me projektin e përbashkët për shkëmbim territoresh me Vuçiqin e Serbise, e bën gjykatën speciale për “shokët” kurse vetë ik nga ajo, e nënshkruan copëtimin territorial duke dhënë tokë të Kosovës, e nënshkruan cenimin e sovranitetin shtetëror duke krijuar zajednica serbe etj., etj. do të pjell vetëm një mi – dështimin e tij dhe të klanit mafioz!

 

 

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!