Ne i kemi shfrytëzuar burimet natyrore në maksimumin e tyre që në fillesat e njerëzimit. Qindra mijëra vite më parë, njeriu i hershëm gjuante kafshët më të mëdha për t’u ushqyer. Pas shfarosjes së këtyre të fundit, ata kaluan te kafshët më të vogla, për t’u zhvendosur më pas te bujqësia, e cila shënoi edhe fillesat e qytetërimit.

Një studim i Universitetit të Tel Avivit, i cili analizoi kërkimet mbi mijëra eshtra nga 83 specie kafshësh të gjetura që nga viti 1932, arriti në përfundimin se njerëzit kanë qenë prej kohësh ekspertë në shterimin e burimeve më të mira të mundshme në dispozicion të tyre, për të kaluar më pas te burimet e mbetura. Kjo mënyrë shfrytëzimi çoi në zhdukjen masive të megafaunës në fund të Pleistocenit dhe nevoja për t’u përshtatur mund ta ketë orientuar njeriun e lashtë përfundimisht drejt bujqësisë.

Ne mendojmë se kafshët e mëdha u zhdukën për shkak të gjuetisë së tepërt nga njerëzit, dhe se ndryshimi në dietë dhe nevoja për të gjuajtur në mënyrë progresive kafshë më të vogla mund të ketë nxitur ndryshimet te njerëzimi”, thotë prof. Ran Barkai.

Në funksion të këtij studimi, shkencëtarët gjurmuan praktikat e gjuetisë në dhe rreth Izraelit gjatë 1.5 milionë viteve të fundit duke përpiluar të dhëna nga literatura kërkimore në 58 vende gërmimi që janë gërmuar që nga viti 1932.

Rreth 1-1.5 milion vjet më parë, gjuetarët vinin në shënjestër elefantët gjigantë dhe kishin arritur deri te gazelat rreth 10 000 vjet më parë.

Më pas, ata filluan të përdornin bimët si ushqim dhe të zbutnin kafshët e para. Kjo shënoi kthesën e parë drejt revolucionit bujqësor, i cili ndodhi në zonë pothuajse në të njëjtën kohë.

Analizat treguan se rreth 1 milion vjet më parë, Homo Erectus gjuanin elefantët që peshonin deri në 13 tonë, më shumë se dyfishi i madhësisë së elefantëve modernë afrikanë.

Këto kafshë u siguruan njerëzve të hershëm 90 për qind të ushqimit të tyre dhe u gjetën pothuajse në të gjitha vendbanimet e tyre deri 500,000 vjet më parë.

Nga 400 000 vjet më parë, paraardhësit e Neandertalëve dhe Homo sapiens, gjuanin kryesisht drerë, së bashku me disa kafshë më të mëdha që peshonin rreth 1 ton, duke përfshirë bagëtinë e egër dhe kuajt.

Nga 10 000 vjet më parë, kafshët e mbetura mund të kenë qenë shumë të vogla ose të rralla për t’u siguruar njerëzve ushqim të mjaftueshëm, gjë që mund të lidhet me fillimin e bujqësisë, thonë studiuesit.

Ne besojmë se modeli ynë është i rëndësishëm për kulturat njerëzore kudo,” thotë prof. Ran Barkai. “Ne argumentojmë se forca shtytëse pas përmirësimit të vazhdueshëm në teknologjinë njerëzore është rënia e vazhdueshme e madhësisë së gjahut”.