Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se është ende i paqartë qëndrimi i Qeverisë së Kosovës për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Ai në një intervistë në RTV Dukagjini ka thënë se Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin që nuk e cenon sovranitetin e vendit.

“Dje kam lexuar se edhe Qeveria e Kosovës është pajtuar që të zbatojë të gjitha marrëveshjet e së kaluarës përfshirë edhe Asociacionin e komunave serbe. Pozita jonë nuk ka ndryshuar. Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen e Asociacionit. Ky është një obligim ndërkombëtar i ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”.

Ai thotë se Qeveria e ka në dorë që të përcaktojë modalitetet e Asociacionit.

“Kosova mund të përcaktojë fushëveprimin e Asociacionit të komunave serbe. Kosova duhet ta bëjë një propozim. Ajo mund t’i largojë elementet që cenojnë sovranitetin. Një “Republika Serpska” është fundi i sovranitetit të Kosovës”.

“Mirëpo ju nëse ju nuk i përgjigjeni një obligimi ndërkombëtarë atëherë kemi takime te ambasada amerikane me shumë hisedarë. Kemi propozime nga organizata të ndryshme si FES. Ky nuk është fundi i pavarësisë së Kosovës. Kemi diskutime në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Nuk e kuptoj pse Qeveria është kaq e ngrirë dhe nuk i përdorë këto taktika për Asociacionin. Bëni diçka dhe arsyetohuni në lidhje me këtë temë”.

Rohde thotë se Kosova nëse nuk angazhohet në këtë temë do të lë hapësirë që të tjerët të angazhohen dhe ta përdorin këtë temë.

“Ju e keni pushtetin dhe mund të bëni propozime në harmoni me Kushtetutën. Ato që i thotë Dodiku janë provokime. Nëse Qeveria nuk vepron, të tjerët do të veprojnë”, tha ndër të tjera Rohde.