MekuliPress sot publikon pjesën e pestë të të librit informativ, publicistik, kritik, politik e historik, “Gjurmë dhe fërkem” (ose Jusuf Gërvalla dhe…), të shkruar nga gazetari, kritiku, publicisti dhe aktori politik, Ibrahim Kelmendi.

Jusuf Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi

Paraqitjen dhe shqyrtimin e marrëdhënieve mes nesh (Jusufit dhe me­je) e kam veçanërisht të vështirë, sepse lufta speciale mbi 30-vjeçare ka pro­dhu­ar stereotipe mashtruese e irrituese. Tani, vështirësi ekstra me kanë shkak­tuar “letrat” dhe “raporti” që Jusufi ia paska dërguar SN. Sfidë goxha e koklavitur dhe sfilitëse, goxha shqetësuese, meqë, nëse vërtet ato janë autentike, atëherë me duhet të korrigjoj adhurimin dhe vlerësimin e deritanishëm që kisha për Jusuf Gërvallën!

[Jusuf Gërvalla:]

Në fillim të qëndrimit tim këtu, (Ibrahim Kelmendi, konkretizim in­for­mues nga unë) më ofroi bashkëpunim me gazetën “Bashkimi”, or­gan i Frontit te Kuq Popullor, njëri nga bashkë­pu­nëtorët e saj. Meqë gazeta edhe më parë shkonte në popull, madje në një gjendje të keqe, unë e pashë të udhës dhe të lejueshme dhe bashkëpunova me të në disa numra (të cilët po t’i dërgoj menjëherë – te artikujt e shkruar prej meje po e vë nga një shenjë).

[Letër S. Novosellës, 14 prill 1981][1]

[Koment:]

Fragmentinformues korrekt në një “letër” tepër irrituese e trishtuese, meqë fi­llesa e saj përmban vetëdenoncimin e JG si tradhtar, ngaqë e paskësh dekon­spiruar “udhëheqësin” e tij, SN!

Nuk më duket aspak normal fillimi i letrës me vetëdenoncim për tra­dhti, pastaj informimi për bashkëpunim rreth përgatitjes së organit të FKP “Bashkimi” dhe për një mori çështjesh të tjera. Sikur nuk shkojnë bashkë, njëra pas tjetrës. Rëndom, do të duhej të pritej përgjigja e “udhë­­heqësit” ndaj vetëdenoncimit, pastaj të vazhdohet me bashkëpu­nim, sikur gjithçka është normalizuar.

[Jusuf Gërvalla:]

Me përfaqësuesin e Frontit të Kuq Popullor, Ibrahim Kelmendin, jam njohur në janar të vitit 1980. Më ka sjellë për t’ia korrigjuar disa artikuj të përgatitur për gazetën “Bashkimi” dhe më ka pro­pozuar që të shkruaj edhe unë për këtë fletushkë. Pasi e ki­sha le­xuar numrin e saj të parë qysh në vendlindje dhe e dija se gazeta bie në duar të popullit, bile në një gjendje jo të lakmueshme, e pashë të arsyeshme t’i përgjigjem pozitivisht për propozimin dhe konkretisht fillova me bashkëpunimin.

[Raport Komitetit “Hasan Prishtina” në Turqi, korrik 1981][2]

[Koment:]

Korrekt. Për momentin po nisem nga premisa se janë autenti­ke, nga dora e Jusufit. Përsëritja që ka bërë duhet të jetë rrjedhojë e harre­sës se e ka in­for­­mu­ar SN më 14 prill, (gjë që e përsërit edhe në korrik të të njëjtit vit), ose duhet të ketë qenë i bindur se SN dhe Komiteti “Hasan Prishtina” nuk janë të njëjtë!

Sa mbaj mend unë, vizitën e parë ia kam bërë Jusufit në fund të dhjeto­rit 1981, meqë Bardhi më ka telefonuar ndoshta dy ditë pas arritjes së Jusu­fit. Më ka ftuar të shkoj sa më parë. Por, pak rëndësi ka nëse jemi njohur në dhjetor apo ja­nar, kur ka gjëra shumë më të pasakta dhe goxha fla­grante, të cilat kanë domethënie me peshë.

[Jusuf Gërvalla:]

Më vonë Ibrahimi ka ardhur bashkë me Maksut Saramatin dhe kanë kërkuar prej meje që të vihem në krye të tyre e t’i udhëheq (tashmë Hyseni e Maksuti e paskëshin braktisur Rizain dhe kishin kaluar në anën e Ibrahimit). Unë e refuzova kërkesën e tyre, se s’bënte të jem njëkohësisht në dy organizata. Përveç kësaj, ua kisha tërhequr që më parë vërejtjen se konspiracioni duhej mbajtur i pacënuar edhe këtu ashtu si në vendlindje. Kërkesa e tyre e dytë ishte që së paku t’i këshilloja, si ‘njeri me përvojë’, dhe unë tërë kohën atë punë bëja. Por, ndërsa kërkonin këshilla dhe i aprovonin ato, në punën e tyre ishin mësuar të vepronin krejt ndryshe dhe s’hiqnin dot dorë nga mënyra që i kishte rrëmbyer dhe ua diktonte çdo hap. Përveç tjerash, me gjithë sqarimet e shu­m­ta nga ana ime, ata konspiracionin e konsideronin si frikë, zhburrërim dhe jopa­trio­tizëm.

[U botua në www.albaniapress.com, 2 tetor 2011 nga Faridin Tafallari, së bashku me punimin Kur Jusuf Gërvalla shkruante][3]

[Koment:]

Mbase nuk e paskësh merituar lutjen që ia kemi bërë!

Ky ndryshim i së vërtetës është edhe një dëshmi më shumë se ky “ra­port” është sajuar nga dikush tjetër. Siç dez/informojnë F. Tafallari dhe Xh.D., lidhur me bashkëpunimin rreth publikimeve të materialeve arki­vore të JG, rezulton se Xhaferi duhet të jetë sajuesi i teksteve, ndërsa Faridini publikuesi i tyre, meqë atij edhe i ishte besuar ruajtja e tyre nga Bashkëshortja e Jusufit, Syzana.

E vërteta është se me Bardhin jam njohur dhe jemi bërë shokë përmes Hysen Gegës. Përndryshe, fizikisht me pat rastisur ta takoj në një vi­zitë që ai i bëri një bashkëvendësi të tij, i cili punonte dhe banonte në Plochingen. Unë isha (në verë të vitit 1977), gjatë pushimit semestrale veror për të punuar te dhëndri im Ramush Kastrati, ngaqë aty paguhej mirë. Puna ishte e rëndë, sharronim gurë mermeri. Aty pat ardhur për vizitë Bardho­shi, sepse i kishte telefonuar bashkëvendësi. E pra, Bar­dhi ishte i zënë me punë si punëtor social në OJQ-në gjermane Ar­beiter­wohlfahrt. Ai duhej të kujdesej për punëtorët nga Jugosllavia. Meqë Xhaferi e ka marrë në shënjestër romanin tim “Atentatet”, duhet të jetë angazhuar për të sajuar “raport”, që i ndryshon ngjarjet nga pa­raqi­tja në roman, për të më denigruar me çdo kusht si dezinformues dhe si të armiqësuar me Jusufin.

Mbetet edhe varianti më i pabesueshëm i këtij “raporti” policor: JG duhet ta ketë dezinformuar qëllimisht eprorin e tij!

Nejse, po merrem me të si të ishte autentik, sado që më rezulton i falsifikuar.

[Jusuf Gërvalla:]

Tani të njoftoj se bashkë me shokun e „Bashkimit“ dhe të „Lirisë“ ke­mi vendosur të organizojmë një manifestim qendror për krem­timin e festës kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit në Shtutgart. Do të mblidhemi nja 300-400 veta nga Gjermania, Zvicra e Belgjika. Një pjesë e shokëve do të shkojnë për festë në Vjenë.[4]

[Koment:]

Informim për një bashkëveprimtari rutinë, do të thosha. Por, e solla si shembull për të plotësuar mozaikun kohor, se nuk kemi qenë të armi­qësuar ndonjëherë. Të hidhëruar më seriozisht kemi qenë në një rast eksesi para banesave të Misin Mavrajt dhe Bali Rexh­bogajt në Mynih. Mbase në maj ose qershor 1980 dhe nuk duhet të ketë zgjatur, sepse hidhërimet tona ngjanin një teneqeje që sa nxehej me po atë shpejtësi edhe ftohej. Në shtator 1980, pos të tjerash, kishim edhe letërkëmbim.

[Jusuf Gërvalla:]

Më vjen një ditë (vitin e kaluar) në derë me disa shkresurina që ve­­tëm titullin e kishin të qartë: Programi dhe Statuti i Frontit të Kuq Popullor, dhe më lutet t’ia korrigjoj në pikë­pamje drejtshkri­more. Më pastaj më autorizon që të preki, po e pashë unë të arsye­shme, “si njeri me përvojë”, edhe në anën materiale të pikave të për­fshira në program e statut. Mirë, them, dhe meqë përmbajtja e shkresurinave ishte pa kokë e pa bisht, i hy unë punës me gjithë seriozitetin dhe ato pak njohuri që kisha. Gjithmonë kisha para­sysh, pas punës sime, ai do t’ua kthente shokëve për diskutim Pro­gramin dhe Statutin e Organizatës së tyre. Por, doli ndryshe. Doli se I. K. i ishte tekur të bënte një natë pa gjumë dhe të hartonte këmbadoras një program dhe statut të një organizate revolucio­nare, të cilin e botoi dhe e shpërndau si “literaturë revolucionare” menjëherë pas “ko­rri­gjimeve” që i bëra unë. E puna që kisha bërë unë më atë rast, s’ishte punë korri­gjimi.

 [Raport Komitetit “Hasan Prishtina” në Turqi, korrik 1981][5]

[Koment:]

Ky fragment me ka lënë pa tekst. Nuk dua të besoj se është pro­dhim autentik i Jusufit. Edhe sikur të ishte vërtet “shkresurinë”, nuk i shkon natyrës së Jusufit të përdorë një frymë kaq cinike. Megjithatë, po shfaq mendi­min: secili që ka njohur përgatitjen intelektuale të deriatë­her­shme të Jusufit, mund të ndajë mendimin me mua se ai nuk duket të ketë pasur asfare përgatitje profesionale e politike për të hartuar pro­grame e statute për organizata revolucionare. Uroj të mos gjen­det ori­­gji­nali që ia kam dorëzuar për redaktim. E, variantin që ia kam do­rë­­zuar, e ka hartuar pothuajse të tërin Prof. Jurgen Link, linguist i shquar, por edhe intelektual i politizuar dhe i angazhuar në lëvizjet studentore të kohës, madje si njëri nga ideologët e tyre. Më është dashur ta infor­moj çfarë dë­shirojmë të krijojmë dhe ai e ka përgatitur variantin të ci­lin e kemi shqipëruar dhe e kemi miratuar e shumëzuar. Tashmë e pata lut Ju­su­fin për t’i bërë ko­rrekturë drejtshkrimo­re. Meqë nuk e zotëroja drejtshkrimin dëshi­roja që edhe në atë plan dë dilte i përsosur.

Edhe një naivitet tjetër shfaq Jusufi me këtë rast. Atë të konsultimit me bashkëveprimtarë të variantit që kishte korrigjuar ai. E para, vep­rimtarët e Frontit e njihnin Programin e Statutin dhe nuk ishte më rën­dësi të disku­to­hej edhe varianti i korrektuar; e dyta, cilët do të ishin në gjendje të dis­kutonin variantin që kishte korrektuar Jusufi, kur përgji­thësisht, ishim gjysmanalfabet? Midis tyre më i kualifikuari isha unë du­ke qenë ende stu­dent. Të tjerët, njëri (Hyzri Reka, teknik dhë­mbësh) kishte përfunduar shkollë të mes­me teknike, Samedin Ilazi kishte ndërpre të mesmen, ndërsa shumica nuk kishn mbaruar as 8-vjeçare. Por, Jusufi duket se është bazuar në mendësinë e tij romantike për “kla­sën punëto­re” e cila është e zonja të vlerësojë programe politike dhe të bëjë “revolu­ci­one proletare”. Kjo mendësi e tij do të shihet në të gjitha letrat që ua dër­gon gjysmanalfabetëve Sabri Novosella, Nuhi Sulejmani, Faridin Tafallari, të cilëve madje u shkruan si t’i kishte të rangut të tij intelektual.

Uroj t’i bëjë nder Jusufit si vepër autoriale edhe Programi e Statuti i Fro­ntit të Kuq Popullor, meqë Xh. Durmishi po këmbëngul t’ia veshë gjith­se­si, sikundër edhe kryeartikujt e gazetës “Bashkimi”!

[Xhafer Durmishi:]

Diku në verën e hershme të vitit 1979 del nga shtypi numri i parë i gazetës “Bashki­mi”. Ky numër del si Organ i Frontit të Kuq. Pas arratisjes së Jusufit në Gjermani, rrethanat sillen në atë mënyrë që Jusufi ia fillon ta ndihmoj gazetën Bashkimi. Në saje të punës së Jusuf Gërvallës bëhet e mundshme dalja e numrit të dytë të Bashkimit, diku në shkurt 1980. Kah fundi i prillit 1980 del numri i tretë i Bashkimit. Edhe këta dy numra ashtu sikurse i pari dalin si Organe të Frontit të Kuq [pa mbaresën Popullor]. Në maj 1980, Jusuf Gërvalla autorizohet ta shkruaj këtë Program dhe Statut të Frontit të Kuq Popullor. Ky dokument është i pari në të cilin e ndeshim mbaresën “Popullor”, dokument i përgatitur tërësisht nga Jusufi.[6]

[Koment:]

Në prag të 100-Vjetorit të Lidhjes së Prizrenit (qershor 1978) kam përgatitur një fletushkë të titulluar: “Rron or rron dhe nuk vdes shqip­tari”. Ka qenë format A2 i palosur në A3 [4 faqe]. Atë e kemi shpër­ndarë në shumë qytete të Gjermanisë [Perëndimore], në disa qytete të Zvicrës, në Bruksel, në Kopenhagë, në Malme, etj. Na kishte përfshirë një eufori e entuzia­zëm flakërues dhe nuk donim t’ia dinim për lodhje dhe shpenzime për pos­tim e për udhëtime. Ndërsa shtypin në dhjetë mijë ekzemplarë ma mundë­soi udhëheqja e Lidhjes së Studentëve të Universi­teti, meqë isha anëtar i saj si përfaqësues i studentëve të huaj. Edhe në prag të festave të nëntorit 1978 kemi botuar fletushkën “Bash­kimi”, si organ të Frontit. Gjithsej kemi shtypur pesë numra, tre prej të cilëve i ka përgatitur Jusufi.

Edhe një herë: “raporti” nuk duhet të jetë autentik, nga dorë e kokë e Ju­sufit që kam njohur e çmuar unë. Përndry­she, do të ma zvetënonte res­pektin e madh që kisha dhe kam për Jusufin. Kur ta shqyr­toj kon­kretisht do të ofroj edhe disa arsyetime se përse nuk më rezulton të jetë autentik. Sigurisht, do të kem parasysh faktin e hidhur, se Jusufi duhet të ketë qenë viktimë e “rrobaqepësit” Sabri Novosella…

Uroj që edhe bashkëvprimtarët tjerë të angazhohen për ta verifikuar.

[Xhafer Durmishi:]

I. Kelmendi para planifikimit të ndonjë numri i ka marrë disa shkri­me të veta, i ka futë në çantën e krahut dhe ia ka sjellë Jusufit në Ludwigsburg. Jusufi i ka marrë shkrimet e tij (se çfarë gjendje ideore e strukture mendimesh mund të kenë pasur, mund ta ma­rrim me mend nga libri Atentatet përkundër redaktimit nga Adem Gashi dhe lexi­mit në dorëshkrim prej Mustafë Xhemailit, Bedri Islamit e Shaban Sina­nit), i ka ndry­shua deri mbi 80-90 % sa që prej shkri­meve origjinale nuk ka mbetur asgjë përveç ideve e koncepteve fillestare për shkrimet e tilla. Përveç kësaj pune ‘redaktuese’ të ri­shkrimit e për­punimit të arti­kujve të I. Kelmendit duke i ndryshuar për 80-90 %, Jusufi i ka shkruar kryeartikujt dhe artikuj tjerë ven­dim­tarë që ia kanë dhënë formën Bashkimit. Këtë punë ai e ka bërë vetëm në Ludwigs­burg, apo për numrin e fundit në dhjetor 1980 në Untergruppenbach. Në këtë punë I. Kelmendi nuk ka mund t’i ndi­hmojë. Jusufi nuk i ka diskutua formulimet e veta me shkrim me I. Kelmendin. Ai i ka bërë të gjitha të gatshme dhe I. Kelmendi i ka pranuar. Ndonjë artikull, si artikullin për Re­negatin (të botuar në Lajmëtarin e lirisë në gusht 1980) I. Kelmendi nuk ka dashtë ta ketë në Bashkimin, dhe Jusufi nuk ia ka imponuar asnjë shkrim, por gjithashtu shkri­meve të tij, qoftë si ‘redaktime’, përpunime d.m.th. ndryshime 80-90 %-she qoftë të vetave që nga fillimi, nuk ka lejuar t’u ndryshohet asnjë germë. Kjo është pra forma me të cilën Jusufi ka ‘bashkëpunuar’ në botimin e “Bashkimit”.

Nga shkurti deri në prill 1980, Jusufi e përgatitë për shtyp numrin 2 e 3 të gazetës “Bashkimi” si organ i Frontit të Kuq. Në mesin e majit Jusufi autorizohet ta shkruaj Programin dhe Statutin e Fronit të Kuq Popullor.

Nga mesi i majit deri më 28 nëntor 1980 Jusufi nuk ka kurrfarë bashkë­punimi me I. Kelmendin. Nga fillimi deri në mesin e dhjeto­rit 1980 Jusufi e përgatit numrin e fundit të gazetës ‘Bashkimi’.[7]

[Koment:]

Xh.D. do të mund të avanconte si studiues më serioz i veprim­ta­risë së Jusufit, po të mos mbisundohej nga inati prej derri kundër me­je dhe nga përcakti­mi për t’u hakmarrë gjithsesi. Nejse, e drejtë e tij.

Jusufi ka gjetur tek unë një shok, mik e vëlla, një bashkëveprimtar, i cili e ka marrë në mbrojtje nga ata që shpifnin se e ka dërguar UDB-ja; ka gjetur mbrojtje edhe nga planet për likuidim fizik; ka gjetur bashkatdhetarin, i cili, pa hezitim i ka ofruar mundësinë për të ushtruar veprimtari, qoftë me shkrime publicistike, qoftë me komunikim me bashkatdhetarët. Nuk jam i interesuar të garoj se kush, çfarë e si ka shkruar, sepse unë kurdoherë e kam pranuar se nuk e zotëroja dhe nuk e zotëroj drejtshkrimin e shqi­pes. Prandaj ishte një gëzim i madh ardhja e Jusufit. Megjithatë, Jusufi do të më bënte një vlerësim:

[Jusuf Gërvalla:]

S’ka dyshim se, sikur të mos kisha diktuar tek ti një shpirt që ener­gjinë e vet mund ta zbrazë përsë mbari duke shkruar vargje (kjo është një nga mënyrat më fisnike të shfry­tëzimit të energjisë së njeriut në përgjithësi), do t’i bija shkurt dhe të të thosha të mos lodhesh më. Po realiteti, fatbardhësisht, po flet ndryshe: me një përkushtim më të madh dhe me konsultim pak më të ngulmët edhe të teorisë së artit, për sa kam arritur unë të vërej, ti mund të na dhurosh vjersha shumë të qëlluara.

[Letër e JG dërguar I.Kelmendit, prill 1980][8]

[Koment:]

Dhe jo vetëm Jusufin, por edhe Bardhoshin e kam marrë në mbrojtje, me­që ishte i punësuar si punëtor social për të këshilluar „gastarbeite­rët“ nga Jugosllavia, në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet Gjerma­nisë e Jugoslla­visë, për çka një pagë simbolike e merrte edhe nga ish-RSFJ-ja (me sa mbaj mend Bardhi e merrte në Slloveni, sepse ishte banor i atjeshëm dhe atje e kishte mësuar gjermanishten për të konku­rruar si punëtor social). I punësuar ama ishte në OJQ-në gjermane të quajtur Arbeiterwohlfahrt.

Se cila ishte përmasa dhe përmbatja e akuzave aq monstruoze, që bë­heshin kundër Ju­sufit e Bardhoshit, kryesisht nga Riza Salihu, kanë pas rastin të in­for­mo­hen ata që kanë përcjell edhe “bashkëbisedimin” në mes të Baton Haxhiut e Riza Salihut në tv “klan kosova”.[9]

[Jusuf Gërvalla:]

Me I. (Ibrahim Kelmendin-shën i Xh.D.) dhe H. (Hysen Gegën shën i Xh.D.) kemi pasur një marrëveshje konkrete, që unë të shkruaj për “Bashkimin”, t’i përpunoj materialet e shkruara prej të tjerësh dhe ta shtyp gjithë materialin në makinën time të shkrimit. Unë i jam përmbajtur marrëveshjes, ata jo. Deri më tash, ata më kanë dhënë vetëm 200 DM për shtypjen në shtypshkronjë të “Lajmëtarit të Lirisë”, kurse marrë­ve­shja ka qenë që të hollat për shtyp t’i sigurojnë ata, meqë unë nuk jam në gjendje të paguaj nga xhepi im. (Deri më tash, dy numrat e revistës i kam paguar me të hollat e mia, sikurse edhe makinën e shtypit, gjithsejtë mbi 9.000 DM, kurse kontribute nga shokët kam marrë gjithsejtë 1.300 DM.) Për këtë arsye, numri i parë për këtë vit më ka ndenjur më se dy javë i gatshëm, sepse nuk kisha të holla ta dërgoja në shtyp. […]

[Letër Nuhi Sylejmanit, kah fundi i janarit 1981, faqe 30-32][10]

[Koment:]

Skandaloze! Një prej arsyeve që jemi grindur gjatë verës së vitit 1980 ishte se unë e kisha këshilluar që të ketë kujdes veçmas ndaj Nuhi Su­lejmanit, Xhevat Ramabajës dhe Besim Rexhës. Po ta dija se kaq thellë i ka marrëdhëniet me Nuhi Sulejmanin, sigurisht që do të pri­sheshim përgjithnjë dhe do të ngelte i izoluar me 5-6 veta të cilët i ki­shim disku­a­lifi­kuar e izoluar. Ia kisha shpjeguar tepër konkretisht, përse duhej të ruhej prej tyre. Më kishte lënë përshtypje sikur më kishte dëgjuar, kur­se në prapa­shpinë e paskësh thelluar bashkëpunimin deri në këtë nivel!

Të tillë marrëveshje nuk më kujtohet të kemi bërë. Unë nuk kam qenë pjesë e marrëveshjes, meqë pikërisht para se ka filluar të botojë “Laj­më­tarin e lirisë”, ne ishim paksa të hidhëruar. Shkak konkret ka qenë një si “aksi­dent” para pallatit ku banonte Misin Mavraj në Mynhen.

Në mbarim të majit 1980 (nuk më kujtohet saktësisht), shkuam në Myn­­hen me ca shokë (Safet Azizi, Nazmi Nuha, Haxhi Bega), për t’i ndihmu­ar bashkëveprimtarët që të fitonin zgje­dhjen për kryesi të Klu­bit “Rilin­dja”. Nuk dolëm të suksesshëm. Pasi mbaroi mbledhja në Klub Bali Rexhë­bogaj na mori në konak. Rastësisht edhe ai kishte pas banesën në të njëjtin pallat ku banonte Misin Mavraj. Sapo parkuam makinën dhe zbri­tëm, papritmas pranë nesh ndaloi edhe Bardhoshi me makinë. Ishte me Jusufin. Ai, i zënë ngushtë pse më kishte premtuar se nuk do të bashkë­punonte me Misin Mavraj (i cili përflitej për sjellje të këqija), u përskuq dhe zuri të më akuzonte se po e përcillja. Plasi shamata. Të gjithë shokët po mundoheshin ta sqaronin pse ishim aty dhe qe vërtet rastësi ai ta­kim. Por, ai nuk po qetësohej. E tërhoqa për krahu anash dhe u shfrymë mes nesh me fjalosje që të mos vazhdonim kur të ishim bashkë brenda, meqë nuk dëshiroja që bashkëveprimtarët punëtorë të hetonin që edhe ne ndonjëherë keqkuptohemi e grindemi.

Fatmirësisht, edhe gjatë kësaj kohe, kur u hidhëruam, në mes kishim Hy­­sen Gegën, Maksut Saramatin e bashkë­ve­prim­­tarë të tjerë, të cilët koordi­nonin bashkëpunimin.

Ja çfarë më ka shkruar Jusufi në shtator 1980:

[Jusuf Gërvalla:]

Për kaq kohë sa njihemi – e nuk është pak po më se dhjetë muaj – ne të shumtën i kemi rënë kush thumbit e kush patkoit. Mendoj se kjo e ka arsyen e vet objektive. Ti ke njerëzit e tu, me të cilët, sipas mendjes sime, ke vështërsi në realizimin e kontakteve për shkak të largësisë. Kam përshtypjen se, pos kësaj, edhe me ta ke mospajtime dhe sygjerime e urdhrave të tyre s’të fle në hatër tu përmbahesh gjithmonë. Unë nga ana tjetër i kam humbur të gjitha lidhjet me njerëzit e mi dhe për çdo hap që bëj kam stërngarkime, sepse nuk e di në mos bej gjësend, që nuk përputhet me luftën aktuale, që bëjnë ata në vendlindje. Kjo është një tragjedi vetvetiu. Kurse tragjedia tjetër është se edhe unë edhe ti, në këto kushte, ndiejmë pasiguri në një pikë: kë përfaqësojmë dhe a mund të flasim në emër pozitivë, sepse në këtë mënyrë mund të supozohet se ia del t’i mbash frenjtë e njerëzve me të cilët punon. Mirëpo, këtë gjë ti e bën me këmbana. Dhe kjo, sipas mendjes sime, është e keqja. Sepse, siç ta kam thënë edhe më parë (e ti sia ke vënë veshin), edhe këtu konspiracioni duhet të jetë i plotë, dhe sidomos këtu. E dyta, ti se ke për gjë të kërkosh ndihma në të holla (dhe në armë!) te emi­gra­cioni, i cili ka një cak të kundërt me atë të punës sate, e pastaj të biesh në rezignacion aq të panevojshëm, kur po ky emigracion u bie kambanave të shpifjeve, të cilave ua ka anën. Ky është një gabim shumë i madh dhe kur unë ta them se është gabim e t’i marr shembull pasojat që ke pasur, ti ma zë për të madhe pse unë po ti mbaj te hunda disa cikërrime që t’u kanë përvjedhur pahiri. Vë­rejtjet e mia ti i merr si atak rivaliteti mbi personalitetin tënd, që do të thotë se nuk je i gatshëm për të nxjerrë mësime nga pësimet dhe për autokritikë (sa do që rolin e autokritikës nuk e mohon).[11]

[Koment:]

Nga kjo që më ka shkruar rezulton se ne nuk ishim grindur në atë nivel sa të armiqësoheshim për të mos u miqësuar më dhe kurrsesi në atë nivel sa kanë shpifur e dezinformuar ustallarët dhe viktimat e luftës speciale. Pastaj dalin në pah edhe vështirësitë dhe dallimet që kishim për mënyrat tona të angazhimit. Jusufi me kritikonte mua për mëny­ra të angazhimit, në kohën kur ai e vajtonte gjendjen e tij si vijon:

[Jusuf Gërvalla:]

Unë nga ana tjetër i kam humbur të gjitha lidhjet me njerëzit e mi dhe për çdo hap që bëj kam stërngarkime, sepse nuk e di në mos bej gjësend, që nuk përputhet me luftën aktuale, që bëjnë ata në vendlindje. Kjo është një tragjedi vetvetiu.

[Koment:]

Fatkeqësisht, këtu del në pah se ai nuk duhet të ketë pas informacion ob­je­ktiv për organizatën e tij, pra, duket t’u kishte besuar mashtrime­ve pro­pagandistike të udhëheqësit të tij, rrobaqepësit SN.

[Xhafer Durmishi:]

Tani shtrohet pyetja e pashmangshme, pse Jusufi vendosi ta ndër­presë punën e vetë për nxjerrjen e Bashkimit, përkundër këtyre pa­ra­lajmërimeve dhe t’i ndërpresë të gji­tha marrëdhëniet me Ibra­him Kelmendin, pas botimit të këtij numri kah fundi i dhje­torit 1980?

Është interesant se deri më tani, në vend të Jusufit janë munduar të përgjigjen të tje­rët, disa me qëllime të mira e disa me qëllime djallëzore, por që rezultati i tyre, cilido qoftë të ketë qenë qëllimi apo pikënisja, është se nuk e kanë thënë të vërtetën.

[Koment:]

Siç rezulton mbase mu për këtë qëllim e kanë sajuar këtë “raport” të natyrës policore!

[Xhafer Durmishi:]

Ibrahim Kelmendi thotë se ai me ‘shokët’ e vetë të Frontit ka ven­dosë ta ndërpresë Bashkimin, në ‘pritje të bashkimit të organizi­meve tona’.

Të tjerë thonë se kjo punë është bërë bashkërisht në mes Jusufit e I. Kelmendit, që të mos dalin shumë gazeta, e disa në këto speku­lime e arrijnë kulmin duke thënë se Jusufi e ka ndërpre Bashkimin për hatër të revistës Liria, dhe nuk ka dashtë ta ndihmojë më shumë Frontin e Kuq për hatër të një Fronti shumë të madh, të Popullit që do të for­mo­hej nga komunistët e kuq më vonë e që do ta zëvendësonte Frontin e Kuq.

Është koha që në vend të spekulimeve e rrenave të pa fijen e krypës t’ua qesim përpara fjalët e shkruara nga dora e Jusufit.[12]

[Koment:]

Xhaferi gjithsesi do që të na nxjerrë të armiqësuar në vend që t’i evi­den­tojë keqkuptimet dhe grindjet rreth koncepteve paksa të dallue­shme që kishim, por edhe për vështirësitë organizative e financiare që na e rëndonin gjendjen. Për këtë qëllim ai me zell iu kthehet letrave dhe “ra­por­tit” të Jusufit. Dhe pikërisht ky zell i tij më bën të dyshoj në autentici­tetin e tyre.

[Jusuf Gërvalla:]

…Më vjen keq që një nga bisedat tona të para serioze u bë duke kritikuar punën e të tjerëve, madje pa qenë ata prezentë. Ka mun­dësi të dalin keqkuptime dhe gjithë puna të merret si përgojim, por këtë gjë do ta bëjmë edhe ndërsy njerëzve që do t’i marrim në thumb, kurdo që të na ipet rasti. Aq më parë është e rëndësishme ta sheshojmë më­ny­rën e punës së “Frontit…”, sepse është në kun­dërshtim të rreptë me veprimtarinë revolucionare marksiste – leniniste, pa marrë parasysh që vetë ka si pikënisje idenë marksiste – leniniste. Por, vetëm formalisht…

Por, këtë gjë, tash e tutje do ta bëjmë më me themel. […]

[Sqarim i Xh.D.: Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë,

Prishtinë 2010, faqe 30-32, letër nga JG, janar 1981][13]

[Koment:]

Nëse është letër autentike, dërguar Nuhi Sylejmanit, nuk më mbetet tjetër pos të bertas: Dyfytyrësi!

[Jusuf Gërvalla:]

Sa për organizatën e bashkuar rreth organit “Bashkimi” më duket se pak dobi mund të ketë nga iniciativa për bashkim e bashkëpunim me ta. Së paku për sa shihet te udhëhe­qësi i kësaj organizate në botën e jashtme [I. Kelmendi, vërejtja e Xh. Durmishit], nuk ekzis­ton përshtypja për organizim të mirëfilltë dhe as për ndonjë orga­nizatë të fuqi­shme numerikisht. Megjithatë, po ta shihni ju të arsye­shme, ndoshta do të mund të realizohej mundësia që shokëve të Lëvizjes në Kosovë t`u jepet lidhja me përfaqësuesin e “Bashkimit” në Kosovë. Megjithëqë, për sa kam mundur të marr vesh, atje, në radhët e kësaj organizate, apo ndoshta në qendër të saj, ndodhet një njeri i dyshimtë, njëfarë Blakaj, që punoka në Entin e Sigu­rimit Social në Prishtinë. Sa për mua unë njëherë për njëherë, pas numrit të fundit të “Bashkimit”, të cilin ta kam dërguar, të gjitha marrëdhëniet me përfaqësuesin e tij të këtushëm i kam ndërprerë. Këshilla për ndërprerjen e marrëdhënieve me të kam pasur edhe nga ana e diplomatëve shqiptarë në Vjenë.”

[Letër Sabri Novosellës, 13 maj 1981;

Faridin Tafallari, Dhimbje Krenare, Tiranë 1998, faqe 115-116][14]

[Koment:]

Këto që shkruhen këtu nuk janë autentike ose duhet ta ketë dezinfor­muar qelli­misht udhëheqësin, i cili ia paskësh zënë bishtin me derë JG përmes telefo­natës së simuluar në prag të 14 dhjetorit 1979, ose nuk paskësh qenë njëri i sinqertë, siç e kam idealizuar.

E para, të gjithë bashkëveprimtarët që ai njihte dhe me të cilët bashkë­pu­nonte (7-8 veta i kishin ngelur), nuk i kishte gjetur e ndërgjegjësuar vetë, me angazhimet e tij, por që të gjithë (me përjashtim të Misin Mavraj), ishin bashkatdhetarë të aktivizuar para ardhjes së Jusufit në Gjermani. Edhe ata pak veta të rrethinave të Shtutgardit, me të cilët bashkëpunonte më kon­kretisht Jusufi, ishin ish-bashkëveprimtarët e Hysen Gegës (me përja­shtim të rrugaçit Hafiz Gagica), sekush prej tyre i angazhuar ose simpa­tizantë i Grupit Komunist që e „udhëhiqte“ Riza Salihu, e kush tjetër bashkëve­primtar e simpatizant i Frontit të Kuq Popullor.

E dyta, nga “organizimi i mirëfilltë” (sipas mendësisë së JG) kishim he­­qur dorë qysh në fillim të vitit 1979, sepse nuk kishim potencial për të zbatuar “organizim të mirëfilltë”. Ndërsa sa i përket organizimi të Frontit në Ko­sovë, po me zhgënjen kjo mënyrë dezinformimi e Jusufit, meqë e kam informuar se nuk kemi radhë të organizuara në Kosovë dhe me ata që mund të jenë vetorganizuar, të frymëzuar nga materialet që i kishim fut në Koso­vë, nuk kishim ndonjë lidhje.

E treta, ishte një ves i mashtrimeve dhe vetëmashtrimeve për të parë të metat vetëm tek organizatat e tjera, kur organizata që i përkisje nuk ishte për ndonjë lavdërim. Të dy organizatat, edhe LNÇKVSHJ edhe OMLK-ja ishin goditur aq rëndë në Kosovë, sa u kishte humbur fare fun­ksionimi i organizuar, ndërsa në botën e emigracionit nuk kishin pothuajse fare anëtarë. Vetëm në këtë kohë kur po e shkruante këtë letër, Jusufi i paskësh bërë pyetje udhëheqësit Novosella, nëse mund t’i organizonte 7-8 veta në rreth të Shtutgardit (por nuk e dinte nëse i kishte 7 ose 8) dhe udhëheqë­s të tyre po mendonte ta bënte Nuhi Sylejmanin.

E katërta, ai farë Blakaj, për të cilin dezinformon Jusufi (gjithnjë nëse është letër autentike e tij), ishte Sadik Blakaj, me të cilin Jusufi sa herë kishte ndenjur në janar 1981, pasi Sadiku e kishte vënë në kurth Hysen Gegën dhe ishte kthyer për ta bindur Jusufin se fajet i kishte vetë Hy­sen Gega që e kishte arrestuar policia në Kosovë. Bile, në një takim, Sadiku është bërë aq tea­tral, sa e ka bërë me vaj Jusufin me recitimet e zjarrta që i kishte dekla­muar. Kur këto m’i tregonin Jusufi dhe F. Ta­fallari, nuk kisha sesi të mos irritohesha dhe të grindesha, por duke u përmbaj­tur me zor që të mos armiqësoheshim skajshmërisht. Pran­daj, me duket fare e pandershme që Jusufi këtu e ka paraqitur relacio­nin tim me Sadik Blakajn (edhe përkundër faktit se JG e dinte se kri­mineli Sadik Blakaj kishte qenë arsimtar në Malishevë të Gjilanit dhe i burgosur pse kishte shpërdoruar një nxënëse të tij të mi­tur…). Ai dhe Faridini e të tjerë po më bënin presion që të ballafa­qohesha me Sa­dikun dhe unë pranova që ai të raporton me shkrim se çfarë kishte ndo­dhur gjatë shkuarjes dhe arrestimit të Hysenit. Për këtë qëllim (si­pas Faridinit, ndërsa mua nuk më kujtohet) ia paskësh dërguar një letër Faridinit që t’ia përcillte atij, por ai nuk u përgjigj.

Ja fragmenti i asaj letre, të cilën me qindra herë e ka cituar e komentuar Xh. Durmishi në 20 “librat” e tij elektronikë:

[Ibrahim Kelmendi:]

Sadik, …gjithsesi, çdo gjë do nxjerrë koha në dritë, por ti duhet të provosh menjëherë ta përshkruash ngjarjen pastaj të shohim: ndoshta je i pastër si loti (nuk më ngjan të jetë shpreje imja) dhe mbetemi shokë të mirë. Për të ardhur gjer tek kjo, do të ishte dashur një sinqeritet i thellë, duke pranuar edhe ndonjë gabim të vogël nga mosdija.

[I. Kelmendi për Sadik Blakajn, më 21 janar 1981][15]

E pesta, nuk është e vërtetë që kemi ndërprerë bashkëpunimin: Prandaj dyshoj se ose letra nuk është autentike, ose Jusufi nuk ka qenë i sin­qertë. Letra mban datën 13 maj 1981. Sapo kanë ndodhur demonstratat në Prishtinë Jusufi më ka telefonuar që të shkoj tek ai. Po ai ma ka dhënë adresën që të shkoj në Zvicër për të takuar shokët e “Lirisë”, siç e quante ai Kadri Zekën dhe bashkëveprimtarët e tij. Kur shkova në atë adresë më doli librari e komunistit zviceran, Beat Schaffer në Biel-Bienne. Aty kam pritur 4-5 ditë, derisa në fundjavë ka ardhur Kadriu për të marrë postën, meqë as zvicerani nuk kishte telefon të tij për ta njoftuar se po e kërkoj. Në ambiente të librarisë kam fjetur në një kre­vat portativ. Pasi jam takuar me “Zeqën”, siç m’u prezantua Kadriu, jemi marrë vesh për të organizuar demonstrata dhe jam kthyer te Jusufi. Po Jusufi me ka detyruar të shkoj në Vjenë për të pyetur në ambasadën shqiptare se çfarë duhet të bëjmë. Aty më ndodhi një inçi­dent skandaloz me një sigurims provokator. Pra, nuk mund të ketë shkruar Jusufi i sinqertë: „të gjitha marrëdhëniet me përfaqësuesin e tij të këtushëm i kam ndërprerë”. Nuk qëndron, nuk është e vërtet!

E gjashta, dezinformimi për “këshillat për ndërprerjen e marrëdhë­ni­eve me të kam pasur edhe nga ana e diplomatëve shqiptarë në Vjenë”, nuk dua të bëhem njësojë si të gjithë ata që kanë spekuluar aq shumë në emër të diplomatëve shqiptarë. Populli thotë, nëse është ngrënë pitja, tepsia ka ngelë. Se cila është e vërteta do të tregojnë edhe shëni­met që ka­në mbajtur ata diplomatë. Di që një takim, të parin, me dip­lomatët e amba­sadës në Vjenë (Simon Çirici, Sazan Beu dhe Lirim Shyti ishin atëherë, por vinin në takim vetëm nga dy veta), ia kam or­ganizuar Jusufit, meqë ishte bërë merak t’i takonte, gjithsesi. Ky takim duhet të ketë ndodhur gjatë verës së vitit 1980, në afërsi të Ludwigsburg-ut. Në atë takim kemi bërë paksa gallatë, lidhur me ca gjera të atij sistemi monist, që nuk u mirëpritën nga diplomatët. Jusufin e kisha paralaj­mëruar se do t’i them ca “marrëzi”, që të mund të infor­mohet ai më mirë për mendësinë që kanë ata.

Ja përse duhet të jetë falsifikuar ajo letër e Jusufit:

[Xhafer Durmishi:]

Kjo letër dëshmon edhe një të vërtetë tjetër duke na treguar se a thua mos është përpjekur Jusufi që ta bashkoj organizimin e vetë, apo konkretisht Lëvizjen e vetë Nacionalçlirimtare me një Front në qendër të të cilit gjendet UDB-a. A do të kishte më vdekje për Jusufin dhe për historinë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi sikur Jusufi ta kishte bashkuar Lëvizjen e vetë, edhe pasi ka dyshuar në atë shkallë, me një Front, në qendër të të cilit ka qenë UDB-ja. Fatmirësisht për historinë e Jusufit dhe të Lëvizjes së tij, këtë punë nuk e ka bërë për së gjalli dhe as për së vdekuri dhe është i vetmi që na ka lënë dëshmi të qarta si drita e diellit se si qëndron puna në këtë pikë.[16]

[Koment:]

Cilën Lëvizje e kishte Jusufi në atë kohë, ku ishte ajo, kush e udhë­hiqte? Jusufi po vuante për vete që nuk po i paraqitej „udhëheqësi“ Sa­bri Novosella dhe kishte mbetur si peshku pa ujë. Sapo kishin bërë kon­ta­ktin e parë me shkrim e kishte pyetur për leje që të organizonte 7-8 veta. Pra, Xhaferi mund t’i mashtrojë përkohë­sisht të painformu­arit, por vetë letrat e Jusufit dëshmojnë se ai në këtë periudhë nuk kishte ende asnjë të organizuar. Bile, grupimi i parë që është organi­zuar në kuadër të LNÇKVSHJ në Gjermani, duhet të kenë qenë ata 7-8 veta, për të cilët kishte pyetur Jusufi dhe mundet që janë “betuar” në korrik ose gusht 1981, duke formuar „komitet“, sipas modelit që e si­mu­lo­nte Sabri Novosella me Komitetin “Hasan Prishtina” në Turqi. Ose janë betuar më 7 dhjetor 1981, siç dezinformon Tafallari, sepse mun­det që deri atëherë nuk kanë pranuar të betohen, ngaqë kishin për­­vojë të hidhur me betimet…

[Xhafer Durmishi:]

Mbase ka harruarI. Kelmendi se çka i ka shkruar më 4 qershor 1980, Faridin Tafallarit. Nëse I. K. ka harruar këtë nuk e ka ha­rruar shoku i vërtet i Jusufit, Faridin Tafallari.

I. Kelmendi: “Veprimtaria e tillë diversioniste ka lënë pasoja. Sho­ku Isuf ndoshta me arsye, ka vendosur të mbyllet në lëkurë të vet, ose të themelojë apo edhe ka organizatë në vete. Kryesorja ai ka distancuar veten nga shokët tanë, të cilët mbanin kontakt me të dhe konsultoheshin.”

[Letër Faridin Tafallarit, 4 qershor 1980;

FT, „Dhimbje krenare, Tiranë“, 1998, f. 159][17]

[Koment:]

Mbase pikërisht kjo letër informon se me kë duhet të ketë qenë vetë F. Tafallari fatkeq, i cili edhe më 16 janar 1982, në mbrëmje, mundohej ta bindte Kadriun se ishte me të dhe jo me grupimin e Shtutgardit. E, nuk kam hezituar të informoj se tashmë Nuhi Sulejmani, Xhevat Ra­mabaja, Besim Rexha po e bombardonin Jusufin me shpifje, sidomos për bashkë­punimin tim me “reaksionin kroat” dhe për të holla që po i merrja prej atij “reaksioni”.

Por, ta shohim inatin irracional të Xh. Durmishit, i cili synimin kry­e­­sor nuk e ka afirmimin e Jusufit, por poshtërimin e Ibrahim Kelmendit:

[Xhafer Durmishi:]

Jusufi kurrë nuk e ka dërgua Ibrahim Kelmendin në Zvicër, pasi ai pas dhjetorit 1980, pas rastit të Hysen Gegës nuk ka asnjë lidhje me te sepse “të gjitha marrëdhëniet me përfaqësuesin e tij të këtu­shëm i kam ndërprerë.” Se kush është Fronti i Kuq në këtë kohë, Jusufi është i qartë përfundimisht, se kush mund të jetë Ibrahim Kelmendi si individ Jusufi në këtë kohë ka aq dyshime të bazuara, sa nuk munden me ia lëkundë apo hequr as krejt demonstratat e Kosovës të Pranverës 1981.

A do të kishte shkatërrim më të madh të mitit e të historisë së Lëvizjes, e të historisë personale të Jusufit sikur ai në këtë kohë t’ia kishte dërguar Kadri Zekës çfarëdo porosie përmes personit të një Fronti në qendër të të cilit gjendet UDB-a. Asgjësim më i madh për historinë e Jusufit nuk do të ekzistonte. Jusufi është ai Jusuf që e njeh i gjithë kombi vetëm e vetëm pse ai gabime të tilla nuk ka bërë kurrë. […]

Jusufi, është aq naiv sa edhe në këtë situatë e ndien veten peng të Sabri Novosellës.

I. Kelmendi: “Jusufi po hezitonte të merrte vendime, meqë vazh­donte ta ndiente vetën peng të Sabit Katunriut, kurse ky ende nuk e kishte kontaktuar për t’i dhënë udhëzime, siç po priste me padurim deri në naivitet i pari.” [Atentatet, f. 232]

Jusufi ka dalë në skenën e hapur të luftës në janar 1980 dhe nuk ka ekzistua ajo forcë që ta mbaj atë peng apo ta detyroi të bëjë ne­gociata bashkimi me organizata të cilat i ka emërtuar UDB-a. Posa del në Gjermani, I. Kelmendi i afrohet dhe i ofron bashkëpunim me revistën “Bashkimi” dhe Jusufi duke e ditur se ajo revistë bien në duart e popullit ka pranuar ta ndihmoj, pa e pyetur askënd e pa qenë peng i askujt në këtë pikë, dhe këtë, kur në Kosovë gjendja është “e qetë”. Natyrisht se ai do të ishte konsultuar me Sabri Novosellën apo me ndonjë shokë përgjegjës të Lëvizjes së tij, sikur të kishte pasur kontakt. Përkundër faktit se ai nuk ka kurrfarë kontakti me shokët e Lëvizjes së vetë që nga 14 dhjetori 1979 gjer më 14 prill 1981, është aktiv e me iniciativa të pashtershme.

Jusufi pa hezituar merr vendim për ta ndihmuar në mënyrë ven­dim­tare përgati­tjen për shtyp të revistës Bashkimi në shkurt 1980, numrin vijues në maj 1980 dhe numrin e fundit në dhjetor 1980. Jusufi nuk ishte peng për gjithë këtë punë në këtë kohë, por kishte gjithë ato iniciativa si njeri i veprimit. Shoku i mirë i Sadik Blakajt mundohet me na e mbush mendjen se në kohën kur puna e Jusufit në mënyrë të mahnitshme ka treguar aq suksese, kur krejt Kosova është në këmbë dhe e gjithë bota fletë për te, Jusufi e paska ndier veten të paralizuar nga veprimet praktike pasi paska qenë peng i Sabri

Novosellës. Jusuf Gërvalla, pas 11 marsit është në veprim si kurrë më parë, por të gjitha veprimet i bënë me shokë besnik të Shtut­ga­rtit, e edhe me Kadri Zekën në Zvicër pa pasur punën e as kontaktin më të vogël me I. Kelmendin.[18]

[Koment:]

Sërish i njëjti avaz i Z. Durmishit, inati dhe hakmarrja mbi të gjitha!

Jusufi me ka lutur të shkoj në Zvicër, meqë ai nuk kishte dokument udhë­­timi dhe ma kishte dhënë adresën e librarisë në Biel/Bienne. Për Lëvi­zjen në kohën për të cilën po ulërin Xhafer Durmishi, ajo nuk kishte asnjë formë organizimi konkret në Evropën Perëndimore. Vetë Jusufi pyet SN përmes letrës së 14 prillit, nëse i lejohej t’i orga­nizonte 7-8 veta. E lexon apo s’e lexon këtë Durmishi? Po kështu në letrën e 14 prillit dhe në raste të tjera Jusufi ka shkruar se ishte blloku­ar sa i përket aspektit organizativ, meqë nuk po i paraqitej udhëheqësi SN. E lexon a nuk e lexon këtë Durmishi? Të lexojmë çfarë duhet të ketë shkruar Jusufi:

[Jusuf Gërvalla:]

Tani, fatin tim të mëtejshëm e keni plotësisht në dorë ti dhe shokët. Nëse mund ta merrni mundimin e ta analizoni rastin tim më hollësisht, nëse pastaj gjendet shteg që gjesti im të cilësohet akt qyqar, i kryer në rrethana ligështimi, dhe jo një tradhti e hapët, atëhere më keni ndihmuar të ngjitem edhe një herë në shkallën e njeriut, e për këtë do ta keni përjetë mirënjohjen time dhe punën time të palodhshme. Nëse nuk i peshoni punët kështu dhe e quani tradhti të hapët qyqarinë time, atëhere jam i gatshëm ta duroj edhe dënimin më të rëndë nga ana jote, e shokëve e kështu edhe e pjesës përparimtare e liridashëse të popullit tonë: përjashtimin jo vetëm nga radhët e Organizatës sonë, po edhe shpalljen e tradhtisë sime me daulle, te të gjithë ata njerëz që ia duan të mirën popullit shqiptar. Ndoshta e meritoj që, si gjarpri dhjamin e vet, ta ha dalëngadalë këtë tepricë të jetës që më ka mbetur – në mërgim dhe pa shokë e njerëz që të më konsiderojnë të barabartë me vetveten. Me një fjalë, ju mund të më bëni një njeri të rilindur apo një njeri të humbur fare në vorbullën e këtij planeti. Se vetëm mendimi juaj mund të bëhet shpatë, që do ta këpusë këtë nyje të ngatërruar të jetës sime.

Natyrisht, kurrë nuk do t’i lejoja vetes që të kërkoj prej jush as mirëkuptimin më të vogël ndaj meje, po qe se jeni të bindur se, duke më falur, mund t’i bëni ndonjë dëm çështjes sonë të shenjtë. Në rrethana tjera, unë kam mundur të bie hero a dëshmor në gjysmën e rrugës të revolucionit tonë. Në rrethanat e tashme, nëse nuk më falet gabimi, do të bie si tradhtar. Një më shumë a më pak, nuk mund ta dëmtojë luftën tonë, e cila s’ka të ndalur dhe e cila do të ngadhënjejë patjetër. […]

Konkretisht në rrethinën e Shtutgartit janë nja 7-8 shokë të gat­shëm e të përshtatshëm për punë patriotiko-revolucionare. Ata pre­sin ndonjë orientim nga unë. Po unë duke qenë dhe vetë në mjegull për gjendjen time, nuk kam dashur t’i ngashënjej e pastaj t’i lë në gjysmë të rrugës. Prandaj u kam folur për gjëra të përgjithshme në çështje të organizimit, të propagandës dhe të agjitacionit si dhe kam bërë përpjekje për t’ua dhënë elementet e domosdoshme shke­n­core të historisë kombëtare dhe të lëvizjes komuniste shqiptare e ndërkombëtare. Janë punëtorë dhe ma ka marrë mendja se në ra­dhë të parë u duhet një ngritje e tillë ideore, politike e shkencore.[19]

[Koment:]

E lexon apo s’e lexon këtë, të zezën në të bardhë, Durmishi?!

Nuk mund të quhet studim kritik e serioz, nëse Xhaferi e përsërit shpi­fjen se në qendër të Frontit gjendej UDB-ja, duke u bazuar në dy “eksese”: i pari, dyshimi im se Xhevat Ramabaja mund të ishte spiun i UDB-së, për çka jam larguar nga ai kur kam formuar dyshimin dhe, i dyti, rasti i Sadik Blakajt. Pikërisht atë Xhevat Ramabajë, për të cilin unë dyshoja, Durmishi e shndërron në fakt dyshimin tim. Megjithatë, po atë Xhevat Ramabaja zotëri Dur­mishi e angazhon si kuadër të kra­hut të tij, nga janari 1982, derisa ai largohet nga Lëvizja, në qershor 1984. Madje, pikërisht me këtë Xhevat bashkëpunon gjatë ushtrimit të krimit në manifestimin e 7 prillit 1984 në Dyseldorf, duke na i therë me thikë bashkëveprimtarët: Sylë Nuhaj dhe Haxhi Bega. Kurse sa i përket udbashit Sadik Blakajt, Jusufi ishte takuar disa herë me të, pasi ai e kishte vënë në kurth Hysen Gegën dhe ishte kthyer ta dezinfor­monte edhe Jusufin.

[Jusuf Gërvalla:]

Ka disa muaj që i kam ndërprerë marrëdhëniet me të. Kur takohemi rastësisht flasim, por punë të përbashkëta nuk kemi. Bashkëpunimi me të gjatë demonstratave të mbajtura në Perëndim ka shkuar përmes shokut të “Lirisë”. Kështu e kam parë unë të arsyeshme të veproj, duke marrë për bazë vrojtimet e parashtruara më sipër si dhe disa anë negative në sjelljen elementare të I. K., që herë duken agjamillëk, herë djallëzi të thella.

Përndryshe, një meritë të tij, mendoj nuk mund ta përbuzë askush: që nga viti 1977 e këtej, i vetëm, po me një vitalitet të pashoq, ka bërë shumë në shpërndarjen e literaturës revolucionare, si ka mundur e si ka ditur, dhe në njëfarë politizimi spontan të një pjese të mirë të punëtorëve tanë në botën e jashtme. Është njeri komu­ni­kativ dhe i popullarizuar te punëtorët. Udhëton shumë, vlon prej idesh, shpesh naive e të papërpunuara, ndonjëherë edhe të qëlluara.

[U botua për herë të parë në www.albaniapress.com, 2 tetor 2011 nga Faridin Tafallari, së bashku me punimin Kur Jusuf Gërvalla shkruante][20]

[Koment:]

Ky “raport” policesk duhet të jetë shkruar në tetor 1981, nëse vërtet është origjinal. Në asnjë kohë nuk kemi pas bashkëpunim më të ngje­shur sesa nga shpërthimi i demonstratave në Prishtinë e deri në mesin e tetorit 1981. E përsëris me dhimbje e shqe­të­sim nëse “raporti” është autentik: i bie që JG të ketë qenë dyfytyrësh, mashtrues, ose i pafytyrë fare! Tjetër është çështja e vlerës se një intele­aktuali e krijuesi letrar të cilit nuk i shkon të bëjë raporte të fshehta spi­unazhi!

[Jusuf Gërvalla:]

(Fragmentin vijues Xh. Durmishi e citon 35 herë vetëm në librin e tij elektronik „Lë­vi­zja e Jusuf Gërvallës“)

“Është nip i një agjenti me zile të UDB-së, i quajtur Ramë Nikçi ose Ibërdemaj, punon në postën e Pejës. I biri i këtij Ramës ndodhet me punë në Mynhen dhe ka qenë aktivist i dalluar, madje edhe kryetar klubi në Mynhen.”

[Raport për Komitetin e Degës së LNÇKVSH “Hasan Prishtina” në Turqi, korrik 1981][21]

[Koment:]

Kjo fjali nuk mund të jetë shkruar nga Jusufi që kam njohur dhe ideali­zuar unë. Nëse ka qenë ndonjë Jusuf tjetër edhe mund të ndodhte! Ai i ka njohur mirë edhe Ramë Iberdemajn (i akuzuar nga prokuroria në Pejë, në vitet të 70-ta, si bashkëpunëtor i UDB-së rankoviqiane, me nofkën konspirative “sialica”), edhe Ramë Nikçin (Kryetarin e Shoqë­risë folklo­rike “Rugova”, i cili ishte edhe “vojvodë” i Patrikanës në Pejë). Pra, atij kurrë nuk ka mundur t’i ndodhë kjo ngatërresë, por vetëm falsifikuesit të këtyre shkresurinave!

Shtrohet pyetja, ç’faj kisha unë pse Ramë Iberdemaj është kushëri i Në­nës sime, ose përse duhet të vihem në relacion me Ramë Nikçin, me të cilin vetëm i njëjti Diell na ka nxeh!?

[Xhafer Durmishi:]

Prej fundit të majit 1980 gjer kah fundi i nëntorit 1980 nuk ka asnjë lidhje me I. Kel­mendin. Gjatë kësaj periudhe kemi fakte të publi­kuara se I. Kelmendi i dërgon një letër Jusufit, në të cilën Jusufi përgjigjet. Ky këmbim letrash është i muajit tetor 1980. Disa fjalë nga kjo letër:[22]

[Koment:]

Plasi Xh. Durmishi duke e përsëritur se JG nuk kishte lidhje me mua, duke aluduar se miqësia ime do t’ia ulte vlerat. Tashmë e kun­dërta është e vërtetë, nëse “raporti” është autentik: ai, argat i SN, nuk e pas­kësh merituar të merret në mbrojtje, t’i krijohet mundësia që të njihet me bashkatdhetarë patriotë dhe t’i bëhej gjithë ai respekt! Dhe këtë prin­cip befasues për shumëkënd e kam pasur që kur kam krijuar vetë­dije politike – të mos çmoj për idhull asnjë njeri të kësobotshëm, duke filluar nga “profetët” abrahamikë e deri te të gjithë liderët ideologjikë dhe politikë. I çmoj të gjitha personalitet derisa të jem i bindur se kanë vlera të meri­tutshme. Në çastin kur informohem se kanë bërë veprime të këqija, por që janë fshehur e heshtur, atëherë fillon diskualifikimi.

Dëshiroj të vazhdoj të besoj se Jusufi nuk është ai i “raportit” dhe letra­ve dërguar SN, por ai i një këso letreje, të cilën ma ka dërguar si për­gjigje të letrës që ia kam dërguar më 17 shtator 1980, domethënë në muajin shtator:

[Jusuf Gërvalla:]

Po ashtu, “përkundrazi”, i nderuar shok Ibrahim!

Kështu duket titulli-pasthirrmë i letrës sime, që i përgjigjet besni­kërisht tëndes. Edhe sa e sa gjëra të tjera të çuditshme do të kishim, sikur unë t’i përgjigjesha pikë për pikë gjithë përmbajtjes së letrës sate. Ndoshta para teje me edhe s’do të kish pasur gjë të keqe, por të na çuditej bota për rasat nëpër të cilat ditka të lakohet mendimi i sotëm i revolucionarit shqiptar.

Megjithatë, për mua që më drejtohet ai titull dhe ajo letër, ka fare pak paqartësi, sepse ne u takuam dhe u njohëm dhe është punë e kotë dhe ndoshta absurde ta injorojmë këtë njohje. E marr me mend (e kjo spikat edhe në letrën tënde) ç‘mundime ke pasur të më shkru­ash në “nivelin” tim, sikur thua se vetëm në “nivelin” tim të shkri­mit paska për mua afrim, respekt e dashuri për njerëzit! E çka do të kish qenë “niveli” im, sikur t’u jepej flirteve absurde narcisoide me vetveten dhe të injoronte faktin, se ka pa numër virtyte të tjera, që mund ta marrin vizën e njerëzisë para se një aftësi mesatare e të shkruarit?! Ky është ofendimi më i madh, që më ke bërë ndonjë­herë: të më zhveshësh nga gjithçka njerëzore dhe të më identifikosh me një aftësi gati-gati mediokër të shkrimit! (Ti këtë se thua konkretisht, po del nga qëndrimi yt.)[23]

[Koment:]

Edhe këto fragmente tregojnë se ne nuk ishim dashnorë, por bashkë­veprimtarë me mendësi të dallueshme, që u përkisnim dy orga­nizatave të ndryshme, gjithsesi të mjera dhe, prandaj, ishin të natyr­shme keqku­p­ti­met, debatet, grindjet, fërkimet, garat, hidhërimet, fat­mirësisht të përmasave të kontrollueshme e të administrueshme.

Xhafer Durmishi, duke insistuar të “pastrojë” Jusufin nga bashkë­pu­nimi me mua, në fakt është duke u tallur me të. Po, meqë nuk pas­kësh pasur asnjë marrë­dhë­nie, përse sërish bashkëpërgatitnim numrin e ja­narit 1981 të fletushës “Bashkimi”?

[Xhafer Durmishi:]

Në punën time për vërtetimin e ngjarjeve të asaj kohe jam shërbyer më së shumti me pjesë të dy letrave të Jusufit: 1. Letrën e 13 majit 1981, dërguar Sabri Novosellës, të cilën unë disa herë e quaj edhe letra e Tahir e Nebih Mehës, pjesë e cila gjendet në li­brin e Faridin Tafallarit Dhimbje Krenare, Tiranë 1998, faqe 115-116 dhe 2. Let­rën e 20 gushtit 1981 dërguar Sabri Novosellës, e cila gjendet në li­brin e Faridin Tafallarit, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 451-452. Përveç dy letrave të përmen­dura, Faridin Ta­fa­llari, më 2 tetor 2001 në albaniapress, publikoi një Raport të Jusufit dërguar Komitetit të Degës “Hasan Prishtina” në Turqi, që besoj se është i korrikut 1981. Faktet prej këtij Raporti i kam përdor si plotësim dhe i kam integruar në këtë botim.[24]

[Koment:]

Sërish i njëjti avaz. Dhe meqë kaq shumë i ka përtypur si “argu­mente”, me shtohet dyshimi se pikërisht për këtë qëllim ato “letra” dhe ai “raport” duhet të jetë kompiluar. Siç e shpërdoron SN, Shefqet Jasha­rin-Strovcin si dëshmitar, për t’i pla­suar dezinformatat e veta, po kë­shtu edhe Xhafer Durmishi thirret në botimet që u ka bërë Faridin Tafallari “dokumenteve” të JG.

Zonja Donikë Gërvalla-Schwarz ka marrë përsipër t’i dalë zot trashë­gi­misë të Babait të saj. Sigurisht që do t’i bënte nder Babait nëse do të hulumtonte autenticitetin e letrave që i kanë publikuar Faridin Tafalla­ri dhe Xhafer Durmishi, duke i krahasuar me kopjet që duhet t’i ketë ruajtur hetuesia gjermane.

[Jusuf Gërvalla:]

Tani sapo e lexova letrën tënde (e treta me radhë që morëm këto kohët e fundit pa të dhënë përgjigje) të datës 14 gusht, me të cilën arriti edhe mendimi yt lidhur me I.K. Mendimet që shfaq ti lidhur me këtë person, janë jo vetëm të urta, po edhe shumë të nje­rë­zishme. (Një fakt e ke lanë anash në përfundimin që ke nxjerrë duke analizuar sjelljen e këtij personi nga vërejtjet e mia për të: gatishmërinë e tij që të hyj vetë dhe t’i fusë edhe shokët në shërbim të forcave më reaksionare e mercenare të Perëndimit, siç janë ballistët dhe zogistët, madje duke u bërë vetë mercenar i tyre, pra mercenar i mercenarit). Megjithatë, pas analizash edhe më të the­lluara, pasi të kemi mbledhur edhe ndonjë fakt për sqarimin e pu­nës dhe të personalitetit të tij, nëqoftëse ai e meriton edhe pas kësaj kujdesin tonë për së mbari, atëherë nuk do të ngurrojmë edhe sa i përket punës lidhur me të. Të shpresojmë se ai e meriton.

[Letër Sabri Novosellës, 20 gusht 1981; Faridin Tafallari, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, f. 451]

[Koment:]

Ta zëmë se është autentike kjo letër. Atëherë, vërtet kush ishin këta dy njerëz dhe çfarë kompetencash kishin që bënin pazare për mua dhe në çfarë relacioni superior ishin? Me këto broçkulla as Jusufi dhe as Sa­briu nuk i krijojnë lavdi vetës se tyre. Jusufi i dinte qëndri­met e mia kar­shi reaksionit shqiptar qysh në fillim të njohjes dhe nuk kishte ne­vojë ta shpërfytyronte veten e tij para “mendimeve që… janë jo ve­tëm të urta, por edhe shumë të njerëzishme. …dhe atëherë nuk do të ngu­rrojmë edhe sa i përket punës lidhur me të”(!) të injorantit SN. Ne ishim ma­rrë vesh që të bashkëpunonim me emigracionin tonë, qoftë ai edhe rea­ksionar, vetëm që të mos ishte i komanduar dhe i kontrolluar nga UDB-ja. Këtë e dëshmuam me demonstratën që mbajtëm në Bruk­sel, në qershor 1981. Mos ndoshta edhe për këtë kohë do të betohet Xha­fer Durmishi se nuk kishim bashkëpunim? Me Bardhoshin, Kadri­un dhe Hysri Rekën e kishim qendrën koordinuese të organizimit tek­nik në shtëpi të Basri Rekës (të vëllait të Hysrisë) gjatë gjithë javës në prag të demonstratës. Në bërthamën e organizimeve tona në Belgjikë, qysh nga viti 1979 kishim Vëllezërit Xhelili, nga Kalishti i Tetovës, të afirmuar si ballistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe të tjerë të arratisur nga Shqipëria lon­dineze. Kurse falsifikuesit e këtyre shkresu­rinave duan ta komprometojnë Jusufin, sikur ishte komunist dogmat që nuk lejonte kurrfarë bashkëpu­nimi me nacionalistët reaksionarë!

[Xhafer Durmishi:]

Ironia e fatit. Sabri Novosella nga Turqia mundohet me çdo kusht ta bëjë Jusufin më të zhdërvjelltë në mënyrë që ta afroj I. Kelmen­din sa më shumë me Lëvizjen e Jusufit para se të tjerët t’ia rrem­bejnë nga dora. Por Jusufi nuk do të ishte kurrë Jusuf sikur t’i kish­te ndjekur këshillat e të tjerëve pa i verifikuar e përputhë secilin hap me ndërgjegjen e vetë.[25]

[Koment:]

Shih ku na del tani ky? Cili na qenka pra Jusufi!? Ai që përulet para “mendimeve të urta…” të SN, apo ky që “nuk do të ishte kurrë Jusuf sikur t’i kishte ndjekur këshillat e të tjerëve…”!? Sabriu nuk duhet ta ketë këshilluar Jusufin që ta mbajë afër Ibra­himin për asnjë lloj burrë­rie, njerëzillëku e shqiptarie, por du­het ta ketë urdhëruar kështu, duke qenë i informuar se Jusufi nuk e ki­shte ndikimin mbi të gjithë simpati­zantët dhe as mbi çerekun e tyre. Së këndejmi nuk u leverdiste të mas­nin forcat me krahun e Ibrahimit. Jo, e vërteta ishte se bashkëpunimi ishte aq i ngushtë, sa që edhe simpatizantët më të afërt nuk mund të da­llonin se nuk i përkisnim një organizate të ve­tme. Vetëm ata që janë përpjekur të dezinformojnë, manipulojnë e shpërdo­rojnë Jusufin për interesa banale të tyre, ndoshta edhe për interesa të eprorëve, mund të bënin e të bëjnë këso intrigash kaq të poshtra!

[Jusuf Gërvalla:]

I dashur shok Ibrahim, Me bisedën që patëm në dasmë, unë në një­farë mënyre u tregova i padrejtë ndaj teje. Por, duhet ta kesh kup­tuar që gjaknxehtësinë time mund ta zbrazja vetëm mbi një shok me të cilin nuk kemi pasur kufij. Arsye për të qenë aq gjaknxehtë mbase nuk kam pasur. Puna e Organizatës në të cilën bëjë pjesë nuk shkon aspak keq. Por, nga takti më kanë nxjerrë disa gjeste e veprime të një shoku, që të kundruara nga distanca e të sotmes, më dalin një lojë e pamirë, së pari me personin tim, e pastaj edhe me një organizatë, çka, më shumë organizatë revolucionare, madje në një çast madhështor të historisë sonë, që implikon dashurinë, afrimin dhe sinqeritetin më të madh mes luftëtarëve të lirisë.”

[Letër I. Kelmendit, 15 janar 1982; Faridin Tafallari,

Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 411][26]

[Koment:]

Të shohim, përse ka bërë nënvizime Xhaferi, sepse tashmë po dihet për­caktimi kryesor i tij – të përjashtojë gjithsesi veprimtarinë e përba­shkët mes nesh (Jusufit dhe meje).

[Xhafer Durmishi:]

Pse Jusufi ia dërgon këtë letër (në mënyrë të rekomanduar) Ibra­him Kelmendit? Ju­sufi ia dërgon pasi në këtë kohë Ibrahim Kel­men­di është shok organizativ i Kadri Zekës dhe është i involvuar në fushatën për luftimin, izolimin, dominimin dhe RUAJTJEN E ROLIT HEGJEMON kundër Jusufit, fushatë që e intensifikon Kadri Zeka prej tetorit 1981. Fjalët “I dashur shok Ibrahim” përveç formës së përgjithshme të mirësjelljes, duhet kuptuar më shumë si rikujtim i kohës në të cilën Jusufi ka bërë botimin e revistës Bashkimi, të kohës kur Jusufi e ka konsideruar I. K. “një shok me të cilin nuk kemi pasur kufij.” Jusufi e pranon se në dasmë është treguar i padrejtë ndaj I. Kelmendit, pasi të gjitha gjërat që në gjaknxehtësi Jusufi ia numëron I. Kelmendit, në të vërtetë i ka merituar Kadri Zeka dhe jo ai [I.K.]. Por për shkak të dasmës, Jusufi nuk mund t’ia thotë vetë Kadriut ato çka i ka merituar. Kjo letër si dhe të tjerat është e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe do ta citojmë në vazhdim në pjesë të ndryshme.[27]

[Koment:]

Edhe letrën që ma ka shkruar Jusufi dy ditë para vrasjes, “tra­shë­gim­tari” Durmishi do me çdo kusht ta zhvlerësojë. Janë shpifje ordi­nere që i sajonin qysh atëherë zagarët që i vinin vërdallë Jusufit me dezin­formime e shpifje të kësaj natyre, e njëri nga ata ishte edhe Xhafer Durmishi. Unë nuk kisha kaluar në ndonjë organizim me vete të Kadri Zekës. As ai nuk e ka kërkuar këtë nga unë. Ndërsa sa për izolim të Ju­­su­fit nuk kishte asnjë nevojë ta bënim ne. Vetë forma e angazhimit dhe e organizimit që kishte zgjedhur e izolonte nga masat e angazhuara të kurbetçarëve, sepse kriteret ideologjike dhe organizative i kishte tepër të rrepta. Ai nuk kishte bërë përpjekje për organizim konkret të radhëve të LNÇKVSHJ. Deri në prill 1981, kur iu paraqit “udhë­heqësi” SN, ai ishte në “mjegull” dhe nuk e dinte nëse i lejohej të orga­nizonte. Në prill (nëse letra është autentike), e pyet “udhëheqësin” për 7-8 veta që i kishte ndërgjegjësuar për t’i organizuar, por edhe ata ve­tëm më 7 dhjetor 1981, siç dez/informon F. Tafallari, kanë bërë beti­min si të anëtarësuar në atë organizatë më shumë virtuale se sa reale.

Edhe festat e nëntorit 1981 qenë organizuar bashkërisht për të shfaqur bashkëveprimtarinë, të cilin e mirëprisnin bashkatdhetarët. Secili që do të dilte i pari me organizim më vete, duke ndërprerë bashkëveprim­ta­ri­në, do të refuzohej, meqë opinioni ishte avancuar për të mirëpritur vetëm bashkimin. Edhe betimin me 7-8 shokë në dhjetor ‘81 Jusufi e ka organi­zuar nën konspiracion të thellë, i bindur se nuk do të mirë­pritej nga të tjerët. Shih pra, vetëm Jusufi është marrë me betime e organizime të fshehta, ndërsa Kadriu vetëm ka ushtruar presion pozitiv te Jusufi (i shpërdorur nga SN), që bashkimi të ndodhë.

[Xhafer Durmishi:]

Pas shkrimit të shkëlqyeshëm rreth formimit Frontit të emërtuar nga UDB-a, I. Kel­mendi vazhdon ta luaj rolin e avokatit të Jusufit në raport me anëtarët e udhëheqësit e Lëvizjes së vet. Por kjo është vetëm gjysma e të mirës. E mira e plotë është se edhe Ju­su­fi e pra­non I. Kelmendin si avokat për punët e brendshme të Lëvizjes së tij dhe i është mirënjohës, kësaj dore të djathtë, këtij armiku të sistemit komunist dhe diktatu­rës komuniste.

Është interesant dhe kënaqësi ta kesh dhe ta pranosh për avokat të shkëlqyeshëm shem­bësin e mitit tënd. A ka mundësi që Jusufi ka ndie nevojë për avokaturën e për këshi­llat e I. Kelmendit?

[Koment:]

Është e vërtetë se kisha dyshim në emërtimin e Frontit, të bërë me propozim të Xhevat Ramabajes [gusht 1978] se mos vinte nga UDB-ja, meqë për Xhevatin dyshoja se është kuadër i kamufluar i UDB-së. Atë dyshim timin shpifësi Xh. Durmishi e shndërron në fakt (“Fronti, i emër­tuar nga UDB-a“) dhe e përsërit me dhjetëra herë jo vetëm në librin “Lëvizja e Jusuf Gërvallës”, por edhe në librat e tjerë. Por asnjë­herë nuk shkruan asnjë fjalë se pikërisht ai, Xhevat Ramabaja, iu qas “Lëvizjes së Jusufit”, ndërsa Xhafer Durmishi po atë Xhevat e përdor edhe si doras për krimin që bënë në Dyseldorf më 7 prill 1984 në tubi­min ku shënohej përvjetori i demonstratave dhe i themelimit të Klubit shqiptar në atë kryeqytet. Për Xhevatin e kisha informuar Jusufin, bile njëherë na rastisi edhe të fjalosemi, meqë sërish po bazohej në dezin­for­matat e tij për të më fajësuar për “bashkëpunim me reaksionin” kro­at. Jusufi e largoi paksa, ndërsa Xhaferi e ricikloi Xhe­vat Ramabajen pas vrasjeve. Shikuar mbrapa, nga kjo distancë kohore, rezulton se Durmishi ngjan më shumë në UDBash se sa Ramabaja.

Ndërsa sa i përket miteve është e vërtetë se të gjitha mitet i kam kun­dër­shtuar dhe i kundërshtoj. Më fle në shpirt demitizimi. Ka ekzistuar një mit edhe për Fron­tin dhe për Ibrahim Kelme­ndin, por i kam demiti­zuar. E kur nuk i kam kursyer këto mite, përse duhet të ruaj mitet për Jusufin dhe “Lëvizjen” e tij? Për mua hero është Jusufi, edhe pse gjatë jetës së tij ka shfaqur edhe naivitet, ka bërë edhe gabime. Vlerën e heroit Jusuf nuk e zhvlerëson ndriçimi i mashtrimeve dhe manipuli­me­ve që ia ka bërë Sabri Novosella, dhe as shpërfaqja e naivitetit të tij për të vlerësuar si idhull rrobaqe­pësin Sabri. Vlerën e tij prej heroit nuk do t’ia ulin as këto shkresurina të falsifikuar, të “legalizuara” si të vër­teta përmes karagjozit Faridin Tafallari, fatkeqit të shpërdorur deri në banalitet nga Xhafer Durmishi, Ajet Haxhia, Xhafer Shatri, Nuhi Sulejmani dhe të tjerë.

Vetëkuptohet, vlera prej heroi Jusufit mund t’i rrezikohet vetëm nëse disa shkresurina që i kanë publikuar Faridin Tafallari e Xhafer Durmi­shi re­zul­tojnë të jenë autentike, sepse nuk mund të vlerësohet si hero­ike telefonata që i paskësh bërë UDB-ja, siç duhet të ketë shkruar vet Jusufi në “letrën” e 14 prillit 1981.

[Xhafer Durmishi:]

Të martën më 12 janar Kadri Zeka niset nga St. Galleni për në Dy­zeldorf, tek Ibrahim Kelmendi për punët e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës. Në Dyzeldorf bartës i aktiviteteve kryesore ka qenë Klubi “Emin Duraku” lokalet e të cilit kanë qenë në Graf-Adolf strasse 63-65. Për ta kaluar këtë distancë prej 660 km, në mënyrën më të shkurt, lidhjet e trenave kalojnë përmes qendrës së Shtutgartit. Kadri Zeka qëndron me Ibrahim Kelmendin në Dyzel­dorf nga e marta (12 janar) deri të shtunën më 16 janar. Të shtunën në mbrëmje, Kadriu e Ibrahim Kelmendi pasi kanë qëndruar së bashku 5 ditë, e bëjnë rrugën prej 420 km dhe mbërrijnë në Bern­hausen, në banesën e Murat Kryeziut në Nord-West-Ring 30, ku mbi 20 aktivist të rrethit të Shtutgartit janë tubuar për të shikuar disa videofilma shqiptar, në mesin e të cilën janë edhe Jusufi e Bardhoshi. Shikimi i filmave vazhdon deri më 17 janar në ora 02.00. Prej Bernhuaseni në Untergruppenbach [70 km], Vëllezërit Gërvalla, Kadri Zeka e Ibrahim Kelmendi mbërrijnë më 17 Janar 1982, në ora 03.00. […]

Çka do të thotë kjo? Se pas tetorit 1981 e sidomos në janar 1982 Ju­sufi është i anga­zhuar vetëm e vetëm me SHTYPIN TONË, pasi nuk donë të merret më me angazhime të kota. Se ai nxjerrë mesi­min: sinqeriteti – për shokët e sinqertë. Besoj se çësh­tjen e konsull­timit të Tezave duhet ta konsiderojmë si punë të kryer qysh më 17 tetor 1981 në Frankfurt.

[Koment:]

Ja edhe një gënjeshtër ordinere! Vetëm të premten pasdite jam takuar me Kadriun në Dyseldorf dhe atë natë e kemi kaluar se bashku me shoqëri të Klubit “Emin Duraku” (dhe kemi fjetur në banesë të Sylë e Vezire Nuhajt), si përherë, por pa konkretizime të reja organiza­tive. Pra, ritheksimi i gënjeshtrës se me Kadriun kemi qëndruar së bash­ku 5 ditë, përmban hilen komplotuese, për çka na del i specializuar Zo­tëri Durmishi. Po të ishte e vërtetë një gjë e tillë do ta theksoja me krenari se kam kalu­ar me Heroin Kadri 6 ditët e fundit të jetës së tij, siç e vle­rësoj me krenari se kemi kaluar bashkërisht natën dhe pjesën më të madhe të asaj dite të jetës së tyre të bujshme! Hallin kryesor Xhaferi, eprori i tyre, SN, dhe soji e sorollopi i tyre e kanë gjetiu, se përse Jusu­fi, më në fund, u doli nga tutela, u pozicio­nua ver­tikalisht, siç i pati hi­je! Pikërisht për këtë vlerë e ndëshkuan, sepse in­­formatori i plasuar në mesin e “shokëve” të Jusufit, në banesën e Mu­­rat Kryeziut në Bern­ha­usen, e kishte nuhatur se bashkimi i mirëpri­tur ishte mi­ra­tuar qysh kur u miratuan Tezat dhe tani po ndodhte vërtet. Po të hënën, para eks­per­tëve të SOKOs (Sonderkommis­sion / Komisi­oni hetues, siç i quajnë gjermanët) e kam paraqitur Nuhi Su­lej­manin për të dyshuar si in­formator të lëvizjes tonë fizike, Bern­hau­sen-Untergruppenbach.

[Xhafer Durmishi:]

Përpjekjeve për manipulime me emrin dhe punën e tij, nga organi­zata të tjera, Jusufi u përgjigjet me këto fjalë të përjetshme: [Jusuf Gërvalla:] “Paska qenë e logjikshme nga ana juaj që të ndruheni se mos unë ia kam kthyer shpinën ose kam ndër mend t’ia kthejë Lëvizjes, duke kaluar në taborin e ndonjë organizate tjetër. KJO NUK DO TË NDODHË KURRË.”

[Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981]

[Koment:]

Asnjë Fronti dhe as OMLK-ja nuk janë përpjekur ta manipulojnë em­rin dhe punën e Jusufit, përkundrazi e kanë përkrahur. Çfarë do të mund të bënte Jusufi sikur të mos na gjente ne të angazhuar kur u de­ty­rua të arratisej, sikur të mos e qasnim e përkrahnim? Për hir të tij jemi detyruar të zvarrisim organizimet konkrete, sepse nuk donim që ai të ndihej keq nga bllokimi që i kishte ndodhur me shkëputje të lidhje me organizatën e tij.

“Trashëgimtari” i Jusufit, Xhafer Durmishi, mbase duhet të jetë bindur se ka qenë veprimtari goxha e zorshme, prandaj në korrik të vitit 1985 ka ngrit flamurin e bardh, ose i ka komanduar eprori Sabri Novosella që ta pushojë veprimtarinë.

Inati pse kam dalë fitues kundër tij dhe atij soji, duke e mbrojtur dhe re­ali­zuar veprën edhe të Jusuf Gërvallës, Xh. Durmishit i ka dhënë ener­gji ne­ga­tive për të sajuar 20 “libra” elektronikë, kryesisht kundër Ibrahim Kel­mendit, pavarësisht se tek-tuk është prononcuar për mbroj­­tje të “Lëvizjes së Jusuf Gërvallës”.

[Sabri Novosella:]

Sot i mora dy letra prej Brx (NY, Amerikë, sqarimi im). Thonë se I.K. (Ibrahim Kelmendi-shën i Xh. D.) paska qenë atje. Na duhet gjithsesi të e fusim në dorë, se për ndryshe do të na sjell probleme.

[Letër e S.N. dërguar Xh.D., 23.12.1982][28]

[Koment:]

Deri nga mesi i dhjetorit 1982 isha në Amerikë ku i kalova ga­ti gjashtë muaj. Sa shpejt është shqetësuar rrobaqepësi! Kujt i ngjan njeriu që bën një këso porosie? Vërtet, çfarë tjetër duhet të kenë bërë udba­shët!? Se mos pandehim se ata kishin brirë që të identifikoheshin më lehtë? VIJON!
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress


[1] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 65

[2] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 64

[3] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 246-250

[4] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 250-256

[5] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 25

[6] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 24

[7] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 65

[8] Xhafer Durmishi, VEPRA E JUSUF GERVALLES, f. 217

[9] https://www.youtube.com/watch?v=Eiw8raTaLhE

[10] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 20

[11] Po aty.

[12] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 69

[13] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 226-227

[14] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 69-70

[15] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 21

[16] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 70

[17] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 80

[18] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 98

[19] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 229-232

[20] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 246-250

[21] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 57

[22] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 60

[23] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 60

[24] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 108

[25] Po aty.

[26] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 223-224

[27] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 224

[28] Xh. Durmishi, FAKTE PËR LËVIZJEN E JUSUF GËRVALLËS, f. 95

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Këta nuk e kontrollojnë e as nuk e financojnë gazetarinë tonë kritike. Ndihmoje sot MekuliPress - Mbështete median e pavarur