Edward Joseph, profesor në universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, thotë se në takimin e 12 korrikut midis Kosovës dhe Serbisë mund të priten hapa të tillë si përmirësimi i tregtisë ose rritja e investimeve.

Në një intervistë për radion “Evropa e Lirë” ai thotë se nuk sheh shteg drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Josephi thotë se aktakuza e paraqitur kundër presidentit Hashim Thaçi është serioze dhe e ndërlikon tutje përfaqësimin e Kosovës në dialog. Sipas tij, arkitektura që ka ngritur Shtëpia e Bardhë rreth presidentit Thaçi është shembur.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Joseph, Kosova dhe Serbia duket se kanë një javë të ngarkuar përpara. Më 10 korrik udhëheqësit e dy vendeve do të takohen virtualisht me ndërmjetësimin e presidentit të Francës Emmanuel Macronit dhe të kancelares gjermane Angela Merkelit. Ndërkaq, dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të rinisë më 12 korrik. A mund të presim hapa më të qartë drejt një zgjidhjeje në marrëdhëniet midis dy vendeve?

Ju pëlqen!

Edward Joseph: Është një pyetje e mirë, por duhet të ndahet ajo që thoni. Ju thoni hapa dhe pastaj zgjidhje. Le t’i ndajmë. Hapa natyrisht se mund të presim. Mund të presim shumë të tillë, madje edhe pozitivë. Por a mund të presim hapa që realisht do të çojnë në një zgjidhje, një zgjidhje të vërtetë? Mendoj se kjo është e pamundur. Tash për tash nuk shoh shteg për ndonjë zgjidhje përfundimtare.

Radio Evropa e Lirë: Cila pritet të jetë çështja më urgjente në tryezën e bisedimeve, duke marrë parasysh se palët nuk janë takuar qysh në fund të vitit 2018?

Edward Joseph: Mendoj se do të shohin mënyrat për rindërtimin e besimit dhe për disa përmirësime konkrete. Zëdhënësi [i Bashkimi Evropian] tha: “Ne duam që [dialogu] të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese”, që do të zgjidhë problemin rreth Kosovës. Ky është qëllimi, kjo është e nevojshme, por a ka shteg drejt kësaj? Nuk jam i sigurt. Shpresoj dhe pres të ketë disa hapa pozitivë, që janë të mirë, edhe nëse nuk i çojnë palët konkretisht në një zgjidhje.

Radio Evropa e Lirë: Cilët janë këta hapa, a mund t’i elaboroni më shumë?

Edward Joseph: Janë disa hapa. Mund të lëvizin në drejtim të rritjes së tregtisë. Kjo është sigurisht një mundësi. Ky është një vizion që ka pasur edhe [Richard] Grenell [i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi]. Është mirë të përmirësohen tregtia dhe investimet. Pastaj, janë hapat që kanë ngecur në dialogun ekzistues. Le të kthehemi prapa këtu. Ky dialog nuk është i ri, ka nisur në vitin 2013 dhe ka dalë nga një bashkëpunim shumë i ngushtë diplomatik midis SHBA-së dhe BE-së. Kjo edhe ka çuar në Marrëveshjen e Brukselit më 2013-n. Por problemi është se procesi, hap pas hapi, ka ngecur. Ka shumë hapa konkretë praktikë që mund të bëjnë ndryshime në jetën e njerëzve, që mund të adresohen, që do të ishin pozitivë dhe do të përmirësonin atmosferën dhe potencialisht marrëdhëniet. Por a e arrijnë ata atë që BE-ja ka thënë se është qëllim: marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe detyruese? A arrihet kjo? Unë nuk e shoh shtegun drejt saj, ndoshta të tjerët po, por unë nuk shoh shteg.

Përse do të pranonte Vuçiqi diçka më pak se territori?

Radio Evropa e Lirë: Kosova është e vendosur të mos flasë për integritetin territorial dhe thotë se po hyn në këtë proces për njohje. Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ku e shihni kompromisin midis dy palëve?

Edward Joseph: Nuk e shoh. Ky është problemi. Nuk shoh kompromis. Duhet theksuar se nuk është vetëm pala e Kosovës që ka thënë se nuk ka kompromis për integritetin territorial. Edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, e ka thënë këtë. Edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili do të jetë nikoqir i takimit, e ka përsëritur këtë. Pra, jo vetëm pala kosovare thotë se nuk ka kompromis për integritetin territorial. Këtë e thonë edhe ndërmjetësuesit. Çështja tani është te Beogradi. Çfarë do të pranonte Vuçiqi dhe përse do ta pranonte? Le të kujtojmë se atij i është ofruar territor nga udhëheqja e mëparshme e BE-së. Duhet të pyesni se përse do të pranonte diçka më pak tani.

Radio Evropa e Lirë: Përse?

Edward Joseph: Nuk kam përgjigje.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!