Gjermania dhe Franca kanë njoftuar dje se një mbyllje tjetër e kufijve do të shmanget. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron janë takuar në Fort de Brégançon për të diskutuar disa çështje me interes dypalësh dhe europian, mes të cilave edhe menaxhimi i pandemisë.

Ne përfundimisht duam të shmangim mbylljen e kufijve sërish. Ne ramë dakord që të punojmë shumë më ngushtësisht së bashku, ka deklaruar Merkel pas takimit.

Kancelarja ka shtuar se është e rëndësishme që të mbahen kritere të ngjashme për zonat në rrezik nga epidemia, në kushtet kur p.sh edhe në Gjermani siç tha ajo, lande të ndryshme kanë aplikuar masa të ndryshme. Nga ana e vet Macron ka kërkuar që Unioni të koordinojë përpjekjet për një vaksinë dhe zhvillimin e medikamenteve kundër CoVid-19.

Ju pëlqen!

Lidhur me situatën në Mesdheun Lindor, Macron duket se ka marrë mbështetjen e Gjermanisë në raport me Turqinë, teksa kancelarja gjermane u shpreh se: Ne nuk do të pranojmë sulme ndaj sovranitetit të shteteve anëtare të BE-së. Ne jemi që problemet të zgjidhen përmes diskutimeve dhe jo duke përshkallëzuar tensionet

Duhet thënë se Merkel nuk ka marrë një qëndrim të qartë për situatën në Mesdhe përveç aspektit të shmangies së konfliktit të armatosur që është në thelb parimor si qëndrim. P.sh Gjermania dhe asnjë vend tjetër nuk e kanë cilësuar qëndrimin turk si absurd duke lënë të kuptohet kjo është një çështje më e komplikuar nga sa përcillet në qëndrimet e dy palëve. Siç mund të merret me mend fare thjeshtë, në Mesdheun Lindor është në fuqi një ndarje kufitare që e provokon vazhdimisht paqen dhe të paktën Franca ka përgjegjësi për këtë.

Është megjithatë interesante të vihet në dukje se në raportimin e vet, gazeta greke konservatore, Kathimerini, e afërt me qeverinë aktuale në Athinë, ka raportuar nga takimi vetëm qëndrimin e Macron dhe jo të Merkel duke bërë të qartë kështu se për palën greke ka më shumë vlerë Parisi zyrtar sot sesa Brukseli apo Gjermania. Aleancat mes vendeve janë ravijëzuar tanimë dhe uniteti europian mes Merkel dhe Macron është më tepër një bashkëjetesë që nuk mund të sakrifikohet sërish për Ballkanin.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!