Biblioteka Kombëtare ”Pjetër Bogdani”, hapi mbrëmë edicionin e 20-të të ”Javës së Bibliotekës në Kosovë”.

Ky organizim i veçantë, gjatë javës pritet të sjell për publikun një mori ligjërata, diskutime dhe debate lidhur me temën kryesore të këtij viti, e cila është ”Biblioteka dhe shërbimi i referencave”. Nga krejt kjo, të pranishmit pritet të përfitojnë njohuri mbi fushën tematike, aftësi komunikimi dhe kompetencë në përzgjedhjen dhe zgjedhjen e materialeve.

Teksa mbrëmë, u mbajt edhe ceremonia hapëse e cila rreth vetës kishte mbledhur një numër të madh, dashamir libri dhe jo vetëm. Këtë ceremoni e nisi me fjalimin e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili i dha atribute të larta bibliotekës, kulturës, dijes dhe librit në përgjithësi.

Ju pëlqen!

”Normalisht, që biblioteka do shkoj edhe më tej në modernizimin e mjeteve në shërbim të lexuesit, në digjitalizim të vetvetes së saj, por më së pari ajo do përpiqet të mbaj afër brezin e teknologjisë me atë të intimitetit të dijes dhe të kolektivit të kërkimit”, tha kryeministri Kurti i cili tutje ju drejtua brezit të ri, duke kërkuar nga ta, ta duan librin dhe përmes tij ta zgjojnë imagjinatën.

”Teknologjia na sjell lajmet nga çdo cep i botës, por libri na sjell reflektimet mbi ngjarjet nga çdo cep i kokës”, u shpreh kryeministri.

Lexo po ashtu:  Hakerët po hakojnë superkompjuterët për të gërmuar kriptomonedha

Kurti gjithashtu kërkoi leximin e librave të Adem Demaçit dhe librave që ai kishte lexuar gjatë qëndrimit të tij në burg. Gjithashtu propozoi tituj librash për lexim, si ”Dashuri kuantike e filanit”, ”Libër për vetëmohimin” dhe ”Gjarpërinjtë e gjakut”.

Kryeministri e përfundoi fjalimin me bindje në jetëgjatësinë e Bibliotekës së veprimtarit Adem Demaçi e cila u inaugurua mbrëmë.

Ceremonia vazhdoi me një fjalim nga Shqiptar Demaçi, djali i Adem Demaçit me rastin e dhurimit të bibliotekës së të atit.

Ai lexoi një ide origjinale të babit të tij për lëvizjen politike “Harmonia”, të shkruar më 11 gusht 2014. Nga ky shkrim i shkurtër u lexuan premtime rreth jetës në harmoni, zhvillimin e prirjeve individuale, largimin e varfërisë e padijes dhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit. Shkrim origjinal ky, i cili gjithashtu ju dhurua bibliotekës.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës, Bardh Rugova tregoi se ajo çka na dallon është aftësia për të shkëmbyer ide dhe se trashëgimia u takon atyre që vijnë pas.

”Gjersa kremtojmë të arriturat ndër shekuj, luftojmë për rezultate edhe më të mira në të ardhmen”, u shpreh Rugova i cili tutje tha se kjo nuk arrihet vetëm nga idetë por duhen investime dhe vullnet institucional.

Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi tha se kjo ngjarje na lidh me kujtesën kolektive kulturore dhe karakterin universal të librit. Ai përmendi dhe pamjen e përfolur të Bibliotekës Kombëtare, e cila mbet nën hijen e vlerës së saj.

Lexo po ashtu:  Microsoft lançon ndërfaqen e re të platformës Xbox

”Biblioteka është burimi ekzistencial i dijes, mbetet e vlefshme dhe në kohën kur biblioteka po transformohet dhe mund të transformohet.”

Ai tregoi për bashkëpunimin me partner ndërkombëtar, ngritjen e cilësisë së shërbimeve në bibliotekat universitare dhe modernizimin e tyre. Qerimi bëri thirrje për lexim, duke cilësuar librin element të pazëvendësueshëm në formimin e individit dhe shoqërisë.

E pranishme ishte dhe zëvendësdrejtorja e Bibliotekës Kombëtarë të Shqipërisë, Etleva Domi. Ajo tregoi se po e priste me padurim këtë ceremoni në Prishtinë, për shkak të dy dekadave bashkëpunimi me partnerët nga Kosova, në fushën e bibliotekonomisë, botimeve te përbashkëta, trajnimeve, ekspozitave etj.

Domi shtroi pyetjen se a është e mundur që me zhvillimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, biblioteka të mos jetë e nevojshme në të ardhmen.

”…Edhe në kohën kur po rritet një gjeneratë elektronike, bibliotekat vazhdojnë të mbeten vatrat kryesore të reflektimit të kulturës së vërtetë librore dhe libri bartësi më i mirë i dijes”, ju përgjigj ajo kësaj pyetje retorike.

Krejt në fund të këtyre fjalimeve, fjalën e mori edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku i cili u shpreh se gjatë ”Javës së Bibliotekës” do te këtë organizime të ekspozitave, të librit, artikujve, katalogëve, posterëve, fotografive dhe bëri thirrje për pjesëmarrje.

Lexo po ashtu:  Himni i bukurisë

Ai përmendi se gjatë këtij viti pritet konvertimi i invertarit ekzistues në të dhëna të lexueshme nga makina në të gjitha bibliotekat publike, automatizimi i rrjedhës së punës në bibliotekat publike, ndërtimi i faqes së brendshme të përdoruesit, burime digjitale e elektronike, huazime ndërbiblotekare e kështu me radhë.

Ceremonia përfundoi me disa video-mesazhe nga specialistët amerikanë. Ata shprehën lidhjen e tyre me Kosovën dhe uruan Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për të arriturat e saj.

Të pranishmit më pas u drejtuan drejt Bibliotekës tejet të veçantë të veprimtarit Adem Demaçi e cila u inaugurua mbrëmë.

Në këtë bibliotekë e cila nga mbrëmë ka hapur dyert për lexuesit, përveç librit, kishin zënë vend shumë nga gjërat personale të Demaçit duke përfshirë, fletore me shënime, stilolapsi i tij, certifikata e mirënjohje të ndryshme, telefoni personal, fotografi, syzet e shumë e shumë gjëra t tjera tejet të çmuara për familjen dhe jo vetëm.

Kjo veprimtari kulturore e cila nisi mbrëmë, pritet të zgjas deri më 28 maj për të ju shpalosur edhe shumë aktivitete të tjera të cilat nuk duhet t’i humbisni.

Ju kujtojmë që ”Java e Bibliotekës” përfshinë të gjitha bibliotekat e Kosovës dhe organizohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

 

MekuliPress është në prag të mbylljes. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NDIHMO sot median e pavarur dhe origjinalitetin e MekuliPress. Dhuro SOT, të paktën, edhe 1 Euro! Faleminderit!