Kjo video sjell disa pasazhe nga Meshari i Gjon Buzukut, i shkruar nga kleriku katolik në vitin 1555. Meshari është libri i parë i botuar në gjuhën shqipe. Ajo që bie në sy është se gjuha shqipe gati 466 vite më parë nuk ka tingëlluar shumë e ndryshme nga sot, në dialektin geg.

Meshari i Gjon Buzukut (1555) është libri më i vjetër i botuar në gjuhën shqipe. Libri u shkrua nga Gjon Buzuku në vitet 1554-1555. Njihet vetëm një kopje e cunguar që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit, por supozohet se u botua në Venedik. Rëndësia e këtij libri për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare është monumentale.

Aty gjendet shqipja e shekullit XVI dhe një pasuri e madhe e fjalorit. Gjuha e veprës është gegërishtja e shekullit XVI, e shkruar me alfabetin latin të tipit gjysmë gotik. “Kemi të bëjmë pikësëpari, pohon Çabej, me një gjuhë letrare, prodhim i një zhvillimi të mëparmë të shkrimit dhe të përpunimit nga ana e këtij shkrimtari”. Nuk ka mundësi të gjendet një libër në një gjuhë të huaj, i cili të përputhet nga ndërtimi me librin e Buzukut.