Ja pse Zajednica/Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk duhet të themelohet/zbatohet assesi:

1. Qe 10 vjet flitet për Zajednicën në Kosovë. Megjithatë ende nuk e kemi dëgjuar asnjë argument të vetëm, as nga vendorët e as nga ndërkombëtarët, se si i adreson Zajednica të drejtat e serbëve në Kosovë apo integrimin e tyre. A e dini pse nuk kemi dëgjuar asnjë argument të tillë?! Përgjigjja është e qartë: sepse Zajednica nuk kërkohet për të adresuar të drejtat e serbëve të Kosovës apo për integrimin e tyre në Kosovë, por kërkohet nga Serbia si levë kontrolli mbi funksionalitetin e Kosovës dhe si instrument destabiliteti në Kosovë, kurdo që i duhet Serbisë.

2. Rreziku më i madh nga Zajdenica është që ajo në fillim, e shkruar në letër, edhe mund të mos duket e mos të tingëllojë aq problemarike dhe e rrezikshme. Por, duke e njohur mendësinë dhe qëllimet e shtetit serb karshi Kosovës, duke e parë shembullin e Bosnjës, si dhe duke e parë se si Serbia edhe deri më tani, edhe pa e pasur Zajednicën fare, gati çdo ditë shkakton probleme në Kosovë duke i manipuluar, joshur, frikësuar, kërcënuar e detyruar serbët e Kosovës (cenim të sigurisë, cenim të ligjshmërisë, bllokim të lëvizjes së lirë, mbytjen e demokracisë në komunat ku jetojnë serbët, bllokada në kuvend, bllokada në qeveri, etj.), atëherë mund të parashikohet shumë lehtë se si do të përdoret Zajednica nga Serbia për bllokimin e funksionalitetit dhe për destabilizimin e Kosovës.

3. Të gjithë, vendorë e ndërkombëtarë, e dinë se Zajednica nuk e zgjidhë as problemin e integrimit të serbëve në Kosovë e as problemin mes Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi, Zajednica veçse do ta izolonte edhe më shumë komunitetin serb në Kosovë, ndërsa problemin mes Kosovës dhe Serbisë veçse do ta zgjaste dhe do ta përkeqësonte. Për pasojë, Zajednica do të ishte veç një trampolinë drejt një mini-shteti serb brenda Kosovës dhe pastaj në një të ardhme afat-mesme edhe ndarje e Kosovës (potencialisht edhe përmes luftës së armatosur).

4. Kosova është ndër vendet më “të pastra” etnikisht në Evropë, me mbi 92% shqiptarë. Megjithatë, shqiptarët janë pajtuar që Kosova të jetë shtet multi-etnik që ju ofron të drejta dhe kompetenca shumë të zgjeruara komuniteteve pakicë. Përveç tjerash, shumicës shqiptare u është mohuar edhe me kushtetutë mundësia për bashkim me Shqipërinë pikërisht duke u thirrur mbi premisën e shtetit multi-etnik të Kosovës. Tani Zajdenicën një-etnike duan të na imponojnë si një “kundër-premisë” të re, por që vlen vetëm për rreth 3-4% të serbëve të Kosovës. Kjo kontradiktë është e papërputhshme, prandaj dhe e papranueshme. Nëse vlen multi-etniciteti, atëherë duhet të vlejë për të gjithë, për shumicën e për pakicën. Nëse nuk vlen multi-etniciteti, atëherë nuk duhet të vlejë për askënd, as për shumicën e as për pakicën, për pasojë Kosova është shqiptare, shtet si gjithë shtetet demokratike që i respekton të drejtat e pakicave dhe që mund e që duhet të bashkohet me Shqipërinë për ta realizuar shtetin-komb, siç e kanë të gjitha kombet perëndimore. E të gjithë e dimë që shtetet perëndimore nuk pranojnë Zajednica brenda vetes.

5. Nisur nga dëshira e nevoja e perëndimit për ta larguar Serbinë nga Rusia dhe nisur nga nevoja që ka perëndimi për të mos i dhënë Serbisë shkas as shkak për provokim të konfliktit në Ballkan, Perëndimi ka vendosur të ushtrojë gjithë presionin e vet mbi Kosovën për ta detyruar atë ta plotësojë kërkesën e Serbisë për Zajdenicë. Plotësimi i kësaj kërkese të Serbisë mbase edhe do të sillte një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por assesi nuk do të ishte zgjidhje e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Perëndimi duhet ta kuptojë që Kosova ka nevojë për zgjidhje, jo për marrëveshje, me Zajednicë, që e stër-zgjatë zgjidhjet dhe e përkeqëson problemin.