Nga Joanna Gillan

Pashka, është një festë që kremtohet nga miliona njerëz në mbarë botën, të cilët nderojnë ringjalljen e Jezusit nga vdekja, të përshkruar në Dhiatën e Re, se ndodhi 3 ditë pas kryqëzimit të tij. Është gjithashtu dita, kur fëmijët e vegjël presin të entuziazmuar ardhjen e lepurit të Pashkëve, për të marrë vezët prej çokollate.

Pashkët nu kanë një date fikse. Ato kremtohen të dielën e parë pas hënës së plotë pas ekuinoksit të marsit, dhe festohet në data të ndryshme në të gjithë botën, pasi kishat perëndimore përdorin kalendarin Gregorian, ndërsa to lindore kalendarin Julian.

Por shumica e historianëve, duke përfshirë shumë studiues të Biblës, bien dakord që Pashkët ishin në fillim një festë pagane. Fjala Pashkë, ka një origjinë saksone, Eastra, dhe i referohej Perëndeshës së Pranverës, për nder të së cilës kryheshin çdo vit flijime.

Nga shekulli VIII, anglosaksonët e huazuan këtë emër, për të nisur kremtimin e ringjalljes së Krishtit. Megjithatë, edhe në mesin e tyre që pohojnë se Pashkët kanë rrënjë pagane, ekzistojnë debate, se mbi cilën traditë pagane rrjedh kjo festë.

Një teori, është se historia e Pashkëve të kryqëzimit dhe ringjalljes, është simbol i rilindjes dhe ripërtëritjes dhe rikujton ciklin e stinëve, vdekjen dhe kthimin e diellit. Sipas disa studiuesve, si Dr.Toni Naxhent, lektor i Teologjisë dhe Studimeve Fetare në Universitetin e Siatëllit në SHBA, narrativa e Pashkëve vjen nga legjenda sumere e Tamuzit dhe gruas së tij, Ishtar, një mit epik i gjetur i gdhendur në pllakat prej argjile dhe daton në vitin 2100 Para Erës Sonë.

Kur Tamuz vdes, Ishtari pikëllohet pa masë, dhe e ndjek atë në botën e nëndheshme të të vdekurve. Aty, ajo hyn nëpër shtatë porta, dhe pamja e saj tokësore zhduket. “Lakuriq dhe e përkulur” ajo gjykohet, vritet dhe pastaj varet për t’u parë nga të tjerët.

Në mungesë të saj, toka nisi të humbë pjellorinë e saj, bimët nuk po rriteshin më, dhe kafshët ndaluan riprodhimin. Nëse nuk bëhet diçka, gjithë jeta në tokë do të marrë fund. Pasi Ishtar është zhdukur për 3 ditë, ndihmësja e saj shkon tek perënditë e tjera për ndihmë.

Më në fund, njëri prej tyre, Enki, krijon dy specie që mbajnë bimën e jetës dhe të ujit të jetës në botën e nëndheshme, duke ia shpërndarë ato Ishtarit dhe Tamuzit, duke i ringjallur që të dyja, dhe duke u dhënë atyre mundësinë të rikthehen sipër në tokë për 6 muaj.

Pas 6 muajsh, Tamuz rikthehet në botën e të vdekurve, duke qëndruar atje edhe për 6 muaj. Ishtar shkon pas tij, duke e nxitur Perëndinë e Ujit, që t’i shpëtojë të dy. Kështu lindën ciklet e vdekjes së dimrit dhe jetës së pranverës. Naxhent, saktëson se paralelizmi midis historisë së Jezusit dhe epikës së Ishtarit, “nuk do të thotë domosdoshmërisht, se nuk kishte një person të vërtetë që quhej Jezus, dhe që më pas u kryqëzua”.

Ai thekson se historia e Ishtarit dhe Tamuzit, është vetëm një nga një numër tregimesh të perëndive që vdesin dhe ringjallen, dhe që përfaqësojnë ciklin e stinëve dhe yjeve. Për shembull, ringjallja e Horusit Egjiptian; historia e Mitras, që adhurohej nga Pranvera; dhe tregimi i Dionisit, i ringjallur nga gjyshja e tij.

Midis këtyre tregimeve, janë temat mbizotëruese të pjellorisë, ngjizjes, ripërtëritjes, zbritjes në errësirë, dhe triumfit të dritës mbi errësirën, apo të mirës mbi të keqen. Disa studiues, mendojnë se Pashkët ishin fillimisht një festë mbi Eostrën, perëndeshën e Pranverës, ndryshe e njohur si Ostara, Austra dhe Eastre.

Një nga aspektet më të respektuara, është fryma e saj ripërtëritëse. E kremtuar në ditën e Ekuinoksit Pranveror më 21 mars, Ostara shënon ditën kur drita është e barabartë me errësirën, dhe do të vazhdojë të rritet. Shumica e analizave, mbi origjinën e fjalës “Pashkët”, pajtohen se ajo u emërua sipas Eostre, një fjalë e lashtë që do të thotë “Pranverë”, megjithëse shumë gjuhë evropiane përdorin një formë ose një tjetër të emrit latin për Pashkë.

Pashkët lidhen edhe me festivalin hebre të Pashkës. Në vitin 325 pas Krishtit, perandori romak Konstandini, organizoi një mbledhje të krerëve të krishterë, për të zgjidhur mosmarrëveshjet e rëndësishme në Këshillin e Nicës. Meqenëse kisha besonte se ringjallja ndodhi të dielën, Këshilli vendosi që Pashkët duhet të përkojnë gjithmonë me të dielën e parë pas hënës së parë të plotë, pas Ekuinoksit të Pranverës.

Zakonet më të praktikuara në Ditën e Pashkëve kanë të bëjnë me simbolin e lepurit dhe vezës. Siç përshkruhet më parë, lepuri ishte një simbol i lidhur me Eostre, që përfaqëson fillimin e pranverës. Po kështu, edhe veza përfaqëson pranverën, pjellorinë dhe rinovimin.

Në mitologjinë gjermane, thuhet se Ostara shëroi një zog të plagosur që gjeti në pyll, duke e shndërruar atë në një lepur. Duke qenë ende pjesërisht një zog, lepuri tregoi mirënjohjen e tij ndaj perëndeshës, duke i dhënë disa vezë si dhuratë.

Enciklopedia Britanike, shpjegon qartë traditat pagane që lidhen me vezën:”Veza si simbol i pjellorisë dhe i jetës së ripërtërirë, është përdorur që nga egjiptianët dhe persët e lashtë, të cilët e kishin gjithashtu zakon të ngjyrosnin, dhe të hanin vezë gjatë festivalit të tyre të pranverës”.

Në Egjiptin e lashtë, një vezë simbolizonte diellin, ndërsa për babilonasit, veza përfaqësonte shfaqjen e Venusit Ishtar, që kishte rënë nga qielli në lumrin Eufrat.

Në shumë tradita të krishtera, zakonet e shkëmbimit të vezëve për Pashkë, kremtojnë jetën e re. Të krishterët kujtojnë se pasi vdiq në kryq, Jezusi u ringjall, duke treguar se jeta mund të fitonte vdekjen. Për të krishterët, veza është një simbol i varrit në të cilin është vendosur trupi i Jezusit, ndërsa plasaritja e vezës përfaqëson ringjalljen e Jezusit.