Deputeti i LVV-së, Mirsad Shkreta ditë më parë ka qenë cak i një vjedhje, ku i janë vjedhur 50 mijë euro dhe stoli në vlerë prej 10 mijë euro.

Ai kishte raportuar rastin në polici se hajnat i kishin hyrë në banesën e tij në Prishtinë.

Së fundmi ka reaguar vetë Shkreta përmes një postimi në Facebook, lidhur me këtë ngjarje.

Ai ka shkruar se i ka përmbushur obligimet sipas ligjit në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe të njëjtën gjë do ta bëjë edhe në mars të vitit 2023.

“Vetëm që 1 vit e gjysmë kam marrë detyrën e deputetit, asnjëherë nuk kam pasur pozita ekzekutive dhe i kam përmbushur sipas ligjit të gjitha obligimet e mia në lidhje me deklarimin e pasurisë. Të njëjtën do ta bëj edhe për deklarimin e këtij viti në mars të vitit 2023, ashtu siç thotë ligji. Prandaj, tendenca për ta lidhur gjithçka me këtë post është qëllimkeqe dhe thellësisht e padrejtë, aq më tepër kur e njëjta lidhet edhe me qëndrimet dhe deklarimet e mia politike”, ka shkruar Shkreta.

Postimi i plotë i z. Shkreta:

Të nderuar miq e qytetarë!

Me 23.06.2022 familja ime ka rënë pre e një vjedhjeje dhe plaçkitjeje në banesën tonë. Ashtu siç e thotë ligji, njoftuam organet e policisë dhe të drejtësisë dhe, konform kërkesave të tyre, ofruam bashkëpunim pa bërë prononcime publike, në mënyrë që këto organe të bëjnë punën e tyre të pavarur në drejtim të kapjes sa më të shpejtë të keqbërësve. Por e njëjta nuk u respektua nga disa qarqe, të cilët, përveç që po na sulmojnë padrejtësisht e po dezinformojnë, po kujdesen që të mos flitet për vjedhjen dhe aktin e rëndë vjedhjes e të rrezikimit të sigurisë së një familje me dy fëmijë të vegjël.

Rrugëtimi im profesional nuk është vetëm në fushën e politikës. Për të gjithë opinionin e gjerë, ne jemi një çift mjekësh, të cilët e ushtrojnë me nder e dinjitet këtë profesion prej më shumë se 20 vitesh dhe gëzojnë respektin e të gjithë pacientëve, studentëve, kolegëve dhe të njohurve të tyre. Vetëm që 1 vit e gjysëm kam marrë detyrën e deputetit, asnjëherë nuk kam pasur pozita ekzekutive dhe i kam përmbushur sipas ligjit të gjitha obligimet e mia në lidhje me deklarimin e pasurisë. Të njëjtën do ta bëj edhe për deklarimin e këtij viti në mars të vitit 2023, ashtu siç thotë ligji.

Prandaj, tendenca për ta lidhur gjithçka me këtë post është qëllimkeqe dhe thellësisht e padrejtë, aq më tepër kur e njëjta lidhet edhe me qëndrimet dhe deklarimet e mia politike.

Ftoj të gjithë miqtë e qytetarët, por edhe mediat, të jenë sa më bashkëpunues me organet e drejtësisë, ashtu siç bëmë ne kur inicuam menjëherë rastin, në mënyrë që keqbërësit të kapen e të marrin përgjigjen e duhur, e në mënyrë që fëmijët tanë të rriten të sigurt në një shtet të së drejtës.