Era Istrefi ka bashkëbiseduar në një live video në Instagram me Vjosa Osmanin. Këngëtarja diskutoi për karrierën e saj dhe për pauzën e bërë deri më tani ku dhe zbuloi edhe arsyen se pse nuk ka ardhur me ndonjë projekt të ri.

Era tha se si pasojë e mos-lejimit të këndoi në gjuhën shqipe nuk e ka vazhduar kontratën me kompaninë në të cilën ka qenë dhe shumë shpejt do nënshkruaj kontratën e re ku do i lejohet kjo gjë.

Era më pas është pyetur për një nga momentet më të rëndësishme e më të suksesshme në jetë, paraqitjen e saj në Kampionatin Botëror në Rusi

“Jam ndjerë jashtëzakonisht mirë, kanë qenë dy milionë shikues në stadiumin e Rusisë me Will dhe Nicky Jam. Will më ka lënë përshtypje shumë të mirë është interesuar shumë për Kosovën, më ka bërë pyetje të shumta se si kemi munduar t’ia dalim nga një vend i vogël, është interesuar për shumë gjëra. Çfarë e ka bërë më të veçantë është publiku shqiptar, është si asnjë publik tjetër një ndjenjë shumë e veçantë”. shtoi ajo.

Istrefi theksoi se e ka ndjerë si obligim ndaj shqiptarëve të bënte shqiponjën, edhe pse është kritikuar as këtij veprimi.

“E kam ndjerë obligim shpirtëror që të bëjë shqiponjën si lloj falënderimi për gjithë përkrahjen që më është bërë, më kanë qortuar pak por u kam treguar se ka qenë shumë spontante, e kam ndjerë. Në fund të ditës suksesin tim ia atribuoj shqiptarëve”, pohoi ajo.

Po ashtu, u.d. presidente Vjosa Osmani bashkë me Erën diskutuan edhe mundësinë depërtimit të artistëve shqiptar në skenat ndërkombëtare.

Kujtojmë se Vjosa Osmani ka shpeshtuar lidhjet direkte live me artistët e estradës kohët e fundit.