Organizata e energjisë atomike në Iranit njoftoi sot se objekti bërthamor Natanz është bërë shënjestër e një akti terrorist. Reagimi vjen vetëm pak orë pasi e njëjta kishte raportuar për një “aksident” që kishte ardhur si pasojë e një ndërprerjeje të energjisë.

“Bashkësia ndërkombëtare dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike duhet të përballen me këtë akt të terrorizmit”, tha Ali Akbar Salehi, kreu i Organizatës së Energjisë Atomike Iran (IAEO), në një deklaratë të dhënë nga televizioni shtetëror.

E raportuar fillimisht si incident, ngjarja për fat të mirë, nuk ka shkaktuar të lënduar dhe as rrjedhje bërthamore.

Një anëtar i Komisionit të Energjisë në parlamentit iranian, Malek Shariati Niasar, e përshkroi incidentin si “shumë të dyshimtë”, dhe tha se që në fillim kishte dyshuar se mund të ishte “sabotim dhe infiltrim”, pasi ai ndodhi në vigjilje të Ditës Kombëtare të Teknologjisë Bërthamore.

Mediat e Iranit raportojnë se ngjarja shkaktoi një ndërprerje në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike të objektit bërthamor Shahid Mostafa Ahmadi Roshan në Natanz. Detaje të mëtejshme nuk janë bërë publike dhe shkaqet e incidentit janë aktualisht “nën hetim”.

Natanz është çelësi për programin e pasurimit të uraniumit në Iran, për të cilin Teherani thotë se është paqësor. Në fillim të shkurtit pati raportime se qindra centrifuga të përparuara me një kapacitet më të lartë për pasurimin e uraniumit janë instaluar në central.

Kjo ngjarje vjen një ditë pasi Presidenti iranian Hassan Rouhani njoftoi se Irani ka filluar përdorimin e këtyre centrifugave për të pasuruar uranium.

Media izraelite raportoi se incidenti mund të jetë shkaktuar nga një sulm kibernetik, ndërsa Times of Israel ka pretenduar hapur, duke cituar “burime të inteligjencës perëndimore”, se Mossad ishte “prapa” ndërprerjes së energjisë në Natanz. Por zyrtarisht nuk ka ende asnjë reagim nga Izraeli.