Korrespondenti i gazetës BOSTON GLOBE kishte biseduar me Atë Fan Nolin, të cilin e përshkruan si prift i degës shqiptare të Kishës ruse nën juridiksionin e arqipeshkvit të Nju Jorkut. Fan Noli ishte shuguruar prift në Nju Jork në vitin 1908 dhe kishte mbaruar Universitetin e Harvardit.

BOSTON GLOBE: Si është gjendja sot në Shqipëri?

FAN NOLI: Ju nuk mund ta merrni dot me mend se sa të mëdha janë vuajtjet atje. Kur shpërtheu lufta, vendi ynë u sulmua nga ushtritë e shteteve ballkanike fqinje, Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Ne nuk ishim në gjendje të mbroheshim, por kishim shpallur asnjanësinë. Kjo ndërhyrje ishte një shkelje po aq skandaloze e marrëveshjeve ndërkombëtare sa ç’ishte edhe ndërhyrja e Gjermanisë ndaj Belgjikës. Për këtë shkelje të vendit tonë nga ushtritë e shteteve të tjera nuk pati kurrfarë provokimi, as edhe ndonjë ftesë të çfarëdo lloji që ata ta përdornin Shqipërinë për operacionet e tyre. Italia, jo vetëm pushtoi portin shqiptar të Vlorës, por shpalli edhe një bllokadë të krejt bregdetit tonë, ndaj së cilës, për fat të keq ne nuk kishim fuqinë të protestonim. Ne kemi pak të dhëna për luftën në Europë, përveç atyre që shkruhen në gazetat amerikane. Kur fqinjët tanë ballkanikë sulmuan Shqipërinë dhe Italia vendosi bllokadën në bregdet duke pushtuar Vlorën, austriakët dhe bullgarët u detyruan të pushtojnë vendin tonë për t’i nxjerrë ata jashtë. Pra, ju e shihni se ne ishim viktima të pafajshme të intrigave të vendeve të huaja.

Ju pëlqen!

BOSTON GLOBE: Përse shqiptarët nuk u bënë dot ballë këtyre ndërhyrjeve?

FAN NOLI: Ne ishim të papërgatitur dhe, si rezultat i natyrshëm i kësaj, vendi ynë po vuan pasojat; shumë nga njerëzit tanë po vdesin urie. Një numër i madh shqiptarësh kishin ardhur në Amerikë dhe, pas shpërthimit të luftës, erdhën edhe shumë të tjerë.

BOSTON GLOBE: Si do të veprojnë shqiptarët e Amerikës pas luftës?

FAN NOLI: Ne jemi në pritje të mbarimit të luftës dhe e kuptojmë se duhet të përgatitemi për ditën kur ky dyluftim i madh të ketë marrë fund. Nëse mund të sigurojmë pavarësinë e Shqipërisë pas luftës, na duhet të jemi të përgatitur për ta ruajtur këtë pavarësi. Për këtë arsye kemi formuar Shoqëritë Shqiptare të Stërvitjes dhe prandaj shumë nga të rinjtë tanë janë organizuar në kompani ushtarake dhe stërviten rregullisht. Një numër të rinjsh shqiptarë kanë hyrë në Milicinë Vullnetare të Shteteve të Bashkuara dhe disa prej tyre kanë shkuar në kufirin me Meksikën. Atje ata shpresojnë të marrin njohuritë dhe trajnimin ushtarak për të cilat kanë aq shumë nevojë.

BOSTON GLOBE: Çfarë do të bënin në Shqipëri këto njësi ushtarake?

FAN NOLI: Në mbarim të luftës botërore, nëse Shqipëria mbetet një shtet sovran dhe i pavarur, këto kompani ushtarake të cilat tani stërviten në Amerikë, do të përdoren si bërthamë e një ushtrie të Shqipërisë, me të cilën do të ruhet ajo pavarësi. Populli ynë i përket një race të fortë dhe mjaft luftarake dhe vendi ynë, në shumë pjesë të tij, mbrohet lehtë nëse ka një forcë të stërvitur si duhet për këtë punë.

BOSTON GLOBE: Ç’mendojnë shqiptarët e këtushëm për Presidentin Woodrow Wilson?

FAN NOLI: Presidenti Wilson është bërë jashtëzakonisht popullor në mesin e shqiptarëve të Amerikës që kur ai vendosi të mos dërgojë më nota proteste por ultimatume në adresë të Gjermanisë dhe Meksikës.

BOSTON GLOBE: A keni dërguar ndihma në Shqipëri?

FAN NOLI: Kemi organizuar një Komision Ndihmash për Shqipërinë në Nju Jork, i cili u themelua kryesisht nga zoti Charles R. Crane. Ai ka qenë ambasador i Amerikës në Kinë dhe i biri i tij është sekretar i Sekretarit të Shtetit Lansing. Dërguam një anije me ndihma ushqimore për shqiptarët në Vlorë, por qeveria italiane nuk e lejoi kështuqë ndihmat arritën në një pjesë tjetër të Shqipërisë, ku nevoja nuk ishte aq e madhe. Na kanë thënë se plot 60 mijë shqiptarë kanë vdekur nga uria. Tani po përpiqemi të dërgojmë një tjetër anije me ndihma dhe këtë punë e ka marrë përsipër zoti W. W. Howard, që i ka zyrat në Nju Jork.  /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!