Intervista është botuar më 8 nëntor 1912 në gazetën kryesore në Vjenë, Neue Freie Presse, me tirazh prej mbi 50 mijë 

Ismail Qemali për herë të parë tha Pavarësi në Vjenë

Gazeta kryesore e asaj kohe në Vjenë, Neue Freie Presse, me tirazh prej mbi 50 mijë kopje, pronë e një hebreu, ishte në një farë mënyre zëdhënësja e pikëpamjes qeveritare të Austrisë. Menjëherë pas arritjes së Ismailit, gazeta dërgoi në Grand Hotel një korrespondent, i cili i mori atij një intervistë.

NEUE FREIE PRESSE: Ç’qëndrim mbani ndaj pretendimit të Serbisë për të pasur një port në Adriatik?

ISMAILI: Kjo është njësoj sikur Zvicra e rrethuar me male të thoshte se, meqë nuk ka dalje në det, nuk mund të ekzistojë dot në qoftë se nuk i jepet porti i Gjenovës.

NEUE FREIE PRESSE: Por, a ka të drejtë Serbia për një port, në Adriatik ose në Egje?

ISMAILI: Nuk më takon mua të them nëse Serbia ka të drejtë për një port në Egje. Kjo është një çështje ku ne nuk përzihemi. Por e kuptoj gjithashtu se, për sa kohë që në Shqipëri sundonte regjimi i paqytetëruar turk, Serbia mund të ankohej se, meqë nuk kishte dalje në Adriatik, zhvillimi i saj ekonomik mbeti prapa. Mirëpo, krejt e ndryshme do të jetë gjendja e Serbisë kur shqiptarët të jenë zotër të vetes. Shqipëria do të ketë ambicien për t’u bërë shtet i qytetëruar dhe do të dëshirojë marrëdhënie të mira me Serbinë. Kështu, Serbia do të jetë në gjendje t’i përdorë portet shqiptare për tregtinë e saj. Edhe nën regjimin e Turqisë ajo e gjeti një rrugë drejt detit me anë të hekurudhës për në Selanik. Nëse Serbisë i duhet një mushkëri për të marrë frymë, atëherë Shqipëria e pavarur, me portet e saj të Adriatikut, sigurisht që nuk do të jetë pengesë për zhvillimin e saj të ardhshëm ekonomik.

Biseda u zhvendos në çështje të tjera: “Nuk do të kishte mëkat më të madh, -tha Ismaili, – nëqoftëse fitimtarët e tanishëm do të përpiqeshin të pasuroheshin në kurriz të shqiptarëve. Shqiptarët nuk do t’i nënshtroheshin kurrë një fati të tillë dhe Gadishulli Ballkanik do të mbetej vazhdimisht një shesh trazirash.”

NEUE FREIE PRESSE: Ju kërkoni një Shqipëri të pavarur?

ISMAILI: Që Shqipëria të jetë një shtet i pavarur, këtë e kërkon jo vetëm interesi i shqiptarëve, por edhe interesi i përgjithshëm i Europës. Europa nuk do t’i gëzojë dot frytet e lirisë nëse Shqipëria copëtohet. Ne duhet të trajtohemi njëlloj si shtetet e Ballkanit. Nëse rajonet e pushtuara do të duhet të shkëputen krejt nga Turqia, po ashtu duhet që edhe Shqipëria të bëhet e pavarur.

NEUE FREIE PRESSE: Sa e madhe do të ishte një Shqipëri e pavarur dhe cili do të ishte kryeqyteti i saj?

ISMAILI: Shqipëria e pavarur do të jetë një shtet me rreth dy milion e gjysmë banorë. Ky shtet duhet të përfshijë të tërë Vilajetin e Shkodrës, pjesën shqiptare të vilajetit të Janinës, pjesën shqiptare të Manastirit, pjesën perëndimore të Manastirit përreth Ohrit, Dibrën, Elbasanin, Korçën, sanxhakun e Pejës me Gjakovën, sanxhakun e Prizrenit, një pjesë të sanxhakut të Shkupit dhe një pjesë të sanxhakut të Prishtinës. Kryeqyteti i Shqipërisë mund të ishte Elbasani, për arsye të pozitës së tij qendrore, por rol të madh mund të luante edhe Vlora, ku mund të shkonte hekurudha. Elbasani mund të ishte Uashingtoni, ndërsa Vlora, Nju-Jorku ynë.

NEUE FREIE PRESSE: Cili do të jetë princi juaj?

ISMAILI: Sa për çështjen, nëse ne do të vihemi nën një princ dhe se kush mund të jetë ai, do të kemi kohë të vendosim më vonë.

NEUE FREIE PRESSE: Po malësorët çfarë qëndrimi po mbajnë? A po luftojnë ata për Malin e Zi? 

ISMAILI: Sipas mendimit tim, në Europë janë përhapur keqkuptime. Malësorët luftojnë kundër Turqisë e jo për Malin e Zi. Ata luftojnë për pavarësinë e Shqipërisë. Ne shqiptarët jemi të gjithë të një mendjeje në dëshirën për një Shqipëri të pavarur. Ne të gjithë, myslimanë, ortodoksë apo katolikë, e gjejmë veten në këtë dëshirë. Te ne ka familje, ku një anëtar i përket një feje dhe tjetri një feje tjetër, por këto dallime fetare nuk na ndajnë aspak në qëndrimet tona politike.

NEUE FREIE PRESSE: Si i shikoni marrëdhëniet e ardhshme mes Shqipërisë dhe Austro-Hungarisë?

ISMAILI: Ne duam të kemi marrëdhënie të mira me Austro-Hungarinë dhe me Italinë, në mënyrë që këto dy shtete të mbështesin nevojat tona kulturore dhe ekonomike. Një vendi të vogël i nevojitet përkrahja e shteteve të mëdha dhe është e qartë se kjo mbështetje te dy vendet aleate të Adriatikut, Austro-Hungaria dhe Italia, do të vijë vetvetiu. Kështu, monarkia e madhe fqinje, mysafir i së cilës jam tani, mund të ketë vetëm përfitime nga një Shqipëri e pavarur.

Ismaili përmendi edhe diçka. “Sulltani, – i tha ai gazetarit, – sigurisht do të mbetet Kalifi që do të përfaqësojë gjithnjë interesat fetare në Shqipëri.” Në kontekstin e gjithë intervistës, ku toni kryesor është shkëputja nga Turqia, ky pohim duket si i bërë nga zori, për diplomaci. Ismaili ishte i kujdesshëm të mos zemëronte elementin proturk brenda Shqipërisë, i cili kishte mjaft ndikim. Shqiptarët identifikoheshin në një masë të madhe me fenë myslimane dhe fanatizmi fetar i popullatës, që e gjente frymëzimin në Stamboll, te Kalifi, mund të bëhej një pengesë për Ismailin. Në të njëjtën mënyrë, ai i ruhej zemërimit të pritshëm të qeverisë osmane me aktin që donte të ndërmerrte. Ismaili ishte dinak dhe kishte aftësinë e rrallë për ta shprehur dinakërinë e tij me fraza të qarta.

Këtu, natyrisht, ishte edhe çështja tjetër delikate ku Ismailit i duhej të tregohej një ekuilibrist i mirë. Fjala është për dilemën e atyre malësorëve që ishin radhitur me mbretin Nikollë për të luftuar kundër turqve. Ismaili iu shmang përgjigjes së drejtpërdrejtë, por tashmë dihej se në viset veriore, ku urrejtja ndaj xhonturqve ishte e papërmbajtur, malësorët ishin joshur nga premtimet e malazezëve dhe qenë armatosur prej tyre. Të ndikuar nga propaganda, një pjesë e malësorëve katolikë e shihnin luftën e re si një betejë mes Krishterimit dhe Islamit, të përfaqësuar nga Turqia. Për disa patriotë shqiptarë të Jugut kjo ishte e papranueshme, sepse, sipas tyre, momenti ishte delikat dhe çdo përpjekje duhej përqendruar te shpëtimi i kombit. Më 7 nëntor, sekretari i legatës austro-hungareze në Janinë, Constantine Bilinski, i raportonte Vjenës për një letër që disa patriotë të Toskërisë i drejtonin kryeipeshkvit shqiptar të Shkodrës, Jak Serreqi, të cilit i kërkonin sqarime për këto “akte tradhtie,” siç i quanin ata. Ismaili, pa hyrë në hollësi në intervistën e tij, përpiqej ta minimizonte rëndësinë e ndarjeve fetare dhe t’u tregonte qarqeve diplomatike dhe publikut ndërkombëtar se kryesore për shqiptarët, myslimanë apo të krishterë, ishte dëshira për pavarësi.

Intervista u botua në gazetë më 8 nëntor, në edicionin e mbrëmjes. Mund të shihet lehtë se vetëm dy ditë pas largimit nga Rumania, Ismaili kishte nisur të fliste hapur për pavarësinë, ndryshe nga deklaratat që jepte në Bukuresht. Kjo intervistë është ndoshta dokumenti i parë i publikuar, ku ai e artikulon pa mëdyshje pavarësinë, për të cilën do të shkonte në Shqipëri./MekuliPress/

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Askush nuk e kontrollon gazetarinë dhe kritikën tonë. Ndihmojeni MekuliPress të paktën me 1 euro. Mbështete sot median e pavarur kombëtare.