INTERPRETIM LOGJIK të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese

Sead Zimeri

Pjesa e dytë

Ju pëlqen!

“Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë” deklaron Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Paragrafin 2, Neni 82.

Sipas interpretimit kufizues të Gjykatës Kushtetuese të nenit 82, paragrafi 2, Presidenti mund ta shpërndajë Kuvendin vetëm në rast se Kuvendi vetëshpërndahet. Presidenti nuk ka kompetencë ta shpërndajë Kuvendin pa vullnetin e Kuvendit. (Lexo interpretimin tim në pjesën e parë).

Por atëherë folja “mund” bëhet misterioze. Presidenti mund ta shpërndajë Kuvendin pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë, thotë Kushtetua, pa e kufizuar kompetencen e tij. Pra është në diskrecion të plotë të presidentit.

Kufizimi i foljes mund nga Gjykata Kushtetuese nuk është aspak i arsyeshëm sepse përmes një kufizimi të tillë të mundësisë mundësia si e tillë anulohet.

Por as ky arsyetimi tjetër nuk qëndron. Gjykata Kushtetuese thotë:

“Një qasje e tillë është në kundërshtim me parimin kushtetues të kontrollit parlamentar të Qeverisë të mishëruar në paragrafin 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 8 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 97 [Përgjegjësia] të Kushtetutës dhe parimet themelore demokratike.”

Çka thotë Kushtetuta?

Paragrafi 4 i nenit 4 thotë: “Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar.”

Paragrafi 8 i nenit 65 thotë: Kuvendi i Republikës së Kosovës “zgjedh Qeverinë dhe shpreh mosbesimin ndaj saj;”

dhe,

Neni 97 thotë:

1. Qeveria, për punën e vet, i përgjigjet Kuvendit të Kosovës.

Tani, nuk është e qartë nga interpretimi i Gjykatës Kushtetuese se si një qasje e tillë, pra qasja e mundësisë së shpërndarjes së Kuvendit nga presidenti pas votimit të suksesshëm të mosbesimit është “në kundërshtim” me parimet kushtetuese që i përmend Gjykata Kushtetuese.

Unë nuk shoh asnjë kundërshtim as me tekstin dhe as me frymën e Kushtetutës. Kushtetuta i jep presidentit në këtë rast mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit. Presidenti nuk kufizohet në shpërndarjen e Kuvendit nga kufizimet që i caktoi Gjykata Kushtetuese. Prandaj, gjykoj që kufizimet janë të natyrës arbitrare, dhe i shërbejnë qëllimeve politike por jo atyre kushtetuese. Kushtetutës pra i bëhet interpretim politik nga vetë Gjykata Kushtetuese, dhe kështu ajo cënon pavarësinë e vet.

Sa i përket përcaktimit të afatit kohor të papërcaktuar nga kushtetuta, mendoj që Gjykata Kushtetuese jep një interpretim në dukje të arsyeshëm, bazuar në një logjikë analogjike, në frymën e Kushtetutës dhe arsyes për formimin e qeverisë. Gjykata Kushtetuese thekson që zgjedhja e qeverisë do të mbetej peng i “afateve të pakufizuara” qoftë nga partia politike qoftë nga vetë presidenti nëse afati kohor nuk përcaktohet.

Është gjykim i arsyeshëm por megjithatë i pamjaftueshëm, dhë në këtë rast tërësisht i njëanshëm. Pyetja që duhet shtruar është përse Kushtetuta nuk përcakton një afat kohor për propozimin e kandidatit për Kryeministër në këtë rast sikur e ka bërë në shumë raste tjera? Gjykata as nuk e shtron dhe as nuk i jep përgjigje kësa pyetje, e megjithatë këtu është nyja e problemit.

Përderisa s’do diskutimi që një afat duhet të përcaktohet, por ky afat nuk mund të përcaktohet sipas dëshirës së vetëm njërës palë, pavarësisht sa i arsyeshëm një përcaktim i tillë është. Në mungesë të përcaktimit nga ana e Kushtetutës përcaktimet tjera nëse nuk bëhen në marrëveshje me të gjitha palët përkatëse detyrimisht do të paraqitet si vendim i njëanshëm, dhe i padrejtë. Përderisa një afat kohor detyrimisht duhet të presupozohet, ky afat nuk mundet të përcaktohet në mënyrë të njëanshme.

Presupozimi nga i cili duhet të nisemi kur bëjmë interpretime të tilla është që mungesa e përcaktimit të afatit kohor në këtë rast është akt i arsyeshëm dhe i qëllimshëm. Pra kemi dy opcione: ose ta lexojmë si lëshim apo moskujdesje nga ana e Kushtetutës, një akt arbitrar, i çuditshëm, dhe përfundimisht irracional, ose duhet ta lexojmë si presupozim plotësisht i qëllimshëm dhe i arsyeshëm. Mungesa e përcaktimit të afatit kohor, besoj unë, i detyrohet kushteve të pazakonta që krijohen kur një qeveri rrëzohet, si dhe obligimit të Kushtetutës që ta ruajë vullnetin demokratik të popullit që përfaqësohet në partinë që formoi qeverinë.

Pasi që sipas Kushtetutës, partia e parë, e rrëzuar me mosbesim, ka të drejtën kushtetuese të formojë qeverinë përsëri, asaj mund t’i nevojitet më tepër kohë se në raste tjera që i përmend dhe u cakton afat kohor Kushtetuta. Përcaktimi i afatit kohor mund të shkaktojë shkelje të vullnetit demokratik popullor sepse të tjerët mund të bëhen bashkë dhe përmes shfrytëzimit të një afati të shkurtër t’ia marrin mandatin. Kështu vullneti i popullit anashkalohet. Mungesa e përcaktimit të afatit kohor pra mund të kuptohet si akt i mbrojtjes së autoritetit dhe integritetit të sistemit demokratik nga sulmet e partive politike për pushtet që mund të cënojnë integritetin e demokracisë. Ky është leximi im, por nuk ka rëndësi nësë nuk është kjo ekzaktësisht arsyeja. Racionaliteti dhe qëllimshmëria e Kushtetutës na detyrojnë ta interpretojmë mungesën e përcaktimit të afatit kohor si arsye pozitive dhe e qëllimshme.

Por Gjykata Kushtetuese as që e shtroi për diskutim çështjen e arsyeshmërisë dhe qëllimit të mungesës së përcaktimit të afatit kohor, por thjeshtë vendosi të bejë interpretime analogjike arbitrare. Ky është, për mendimin tim, një interpretim po aq arbitrar sa ai i foljes “mund” që e pamë në pjesën e parë. Në fakt, ky është arsyetim edhe më i dobët sepse as që përpiqet ta problemtizojë dhe arsyetojë si çështje duke e ditur se gjithçka varet në interpretimin e drejtë të saj. Pra bën një lexim selektiv, të njëanshëm dhe arbitrar, dhe, si rrjedhojë, jo vetëm që miraton dhe mbështet presidentin në përcaktimin arbitrar të afatit kohor, por edhe shkel mbi vullnetin demokratik të popullit, integritetin dhe autonominë e demokracisë, e ndoshta edhe krijon një precedent të çuditshëm që vetëm njëra palë, zakonisht presidenti, është e mjaftueshme për përcaktimin e afatit kohor.

Është e vërtetë që një afat kohor duhet të përcaktohet, por një interpretim që nuk merr parasysh arsyeshmërinë dhe qëllimin e mungesës së caktimit të afatit kohor është interpretim i njëanshëm që favorizon një lexim politik për interesa politike të veçanta. Ky interpretim është po aq politik sa edhe interpretimet që i bejnë partitë politike Kushtetutës.

Tani, nëse i marrim parasysh arsyet që mund t’i ketë pasë Kushtetuta për moscaktimin e një afati kohor atëherë krejt ky interpretim i Gjykatës Kushtetuese bie, sepse është i njëanshëm dhe selektiv. Nuk mundet Gjykata të ndërhyjë në procese politike duke marrë anën e njërës palë.

Në fakt, është plotësisht e arsyeshme të besohet që mospërcaktimi I afatit kohor shënjon paanësinë e Gjykatës Kushtetuese përballë partive politike. I vetmi interpretim i paanshëm në këtë rast do të ishte ai që do të kërkonte nga palët politike të koordinohen dhe të pajtohen për një afat të arsyeshëm dhe të pranueshëm nga palët politike. Por nuk mundet Gjykata të jetë e pavarur dhe ta pranojë interpretimin e presidentit si interpretim përfundimtar. Kjo, për mendimin tim është shkelje skandaloze e Kushtetutës.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!