Instituti i mbrojtjës së nevojshme sipas Kodit Penal të Gjermanisë

Prof. Ass. Dr. Islam Qerimi, LL.M.

Në këtë artikull nga fusha e së drejtës penale do të trajtohet shkurtimisht rregulla juridike romake “Vincere, aut mori, e cila në gjuhën shqipe përkthehet “fito ose vdis”, shkruan Dr. Islam Qerimi për MekuliPress.

Artikulli ka të bëjë me të drejtën penale gjermane. Në Gjermani, mbrojtja e nevojshme ka filluar të trajtohet me të madhe nga ana e gjykatave dhe juristëve, sidomos në rastin e vrasjes së të ikurit nga burgu dhe vrasja e tij, nga një mullis, në mullirin e vet, e paraqitur nga ai në gjykatë si rast i vetëmbrojtjes. Ky rast ka ndodhur në vitin 1805, në Shlezi, tani territor i shtetit të Polonisë. Përkundër antagonzmave të thella të juristeve gjerman, e të pandërprera deri me hyrjen në fuqi të Kodit Penal të Gjermanisë (StGB 1. Janar 1872 me ndryshime rrënjësore ende deri më sot është në fuqi) është pranuar rregulla se akti i vetëmbrotjes mund të justifikohet kryesisht me mosprezencen e shtetit çdokund, respektivisht me arsyetimin se shteti nuk mund të mbroj në çdo moment dhe në çdo hapësirë të territorit te vet, të gjithë qytetarët. Hezitimi i kundërshtareve të kësaj teze qëndronte në faktin se kjo rregullë mund të keqperdorej për dëmtimin e pushtetit shteteror.

Pyetja e zakonshme nga e drejta penale, se kur mund të shfrytëzohet e drejta e vetë-mbrojtjes, mundet vetëm me shprehjen tipike të juristit “Kjo varet shumë nga rasti konkret”, të ipet përgjigje. Se cili veprim mbrojtës mbulohet me mbrojtje të nevojshme varet pra, plotësisht nga rasti konkret. Thuhet kështu meqë secila veper penale i përket ndonjë natyre të sjelljeve dhe veprimeve specifike të njerzëve. Veprat penale, të rregulluara kryesisht në Kodin Penal, përshkruajnë veprime të caktuara të njerzve dhe i bëjnë ato të dënueshme. Vetëmbrojtja (Mbrojtja e nevojshme) në shtetin gjerman është përcaktuar në Nenin 32 paragr. 1 dhe 2 të KPGj. Pikësepari mbrojtja e tillë është pranuar ligjërisht si e nevojshme, në mënyrë që të shmanget një sulm i paligjshëm aktual (i atëçastshëm) prej vetes ose ndaj një tjetri. Mbrojta e nevojshme është e garantuar edhe me të drejtën private gjermane (N 227 i Kodit Civil i Gjermanisë. Gjithashtu ky institut per vetë-mbrojtje është paraparë edhe me të drejtën e kundërvajtjes (N 15 i Ligjit për Kundërvajtje i Gjermanisë). Me rëndësi primare eshte fakti se sulmi i tillë nuk është me rëndësi a ushtrohet me dashje apo nga pakujdesia.

Sipas kësaj dispozite juridike në KPGj, një sulm aktual nënkuptohet në atë rast kur dikush e sulmon ose e kërcënon të lëndojë trupin ose te privojë jetën e dikujt tjetër, shëndetin, lirinë, vetëpërcaktimin seksual, nderin (me kufizim), apo edhe pronën e një tjetri, përmes një akti (siç është goditja). Pra, në këtë rast, ky akt shkelës duhet të jetë i kundërligjshëm. Një sulm nga ky nen përkufizohet si çdo shkelje e integritetit ose interesave të mbrojtura me ligj që i kërcënohet dikujt nga sjellja apo veprimet e njerëzve. Prandaj, rregulli esencial është që sulmi duhet të fillojë nga një njeri. Por, kjo është e mundur gjithashtu ne rastin kur një kafshë është nxituar ndaj një tjetëri ose nuk e ka ndaluar të sulmojë ndonjë person. Rastet e tilla mund të paraqiten nëse personi është i detyruar ligjërisht sipas statusit të garantuesit të bazuar për sendet që paraqesin rrezik. Kështu është rasti p.sh., kur personi A nxit qenin e tij luftarak kundër B, ose nuk e ndalon sulmin e tillë ndaj tij.

Gjykata Supreme e Gjermanisë e ka pohuar rregullen e vjeter romakeLex autem necesse est non ita iniustitiam, e cila e ka intepretuar se mbrojtesi nuk ka asnjë detyrim ligjor për shmangie ndaj sulmit të paligjshem të sulmuesit (BGH, u.a. 2 StR 375/11v. 2.11.2011).Mirëpo, gjithashtu së pari ka kerkuar në të njejtin vendim edhe faktin tjetër plotesuës, se përderisa personi i sulmuar (i atakuar) mund të largohet (ikë), praktikisht nuk ekziston mbrojtja e nevojshme.Pra, sipas kësaj rregulle gjyqësore, konsiderohet se për sa kohë që personi i sulmuar mund të largohet, praktikisht nuk lejohet akti i vetëmbrojtjes.Gjithashtu një rregull tjetër është përcaktuar se personi që vepron në vetëmbrojtje nuk duhet të jetë i pari që sulmon, por ai, në rrethana të caktuara, mund të jetë i pari që godet.

Por, në thelb, akti i vetëmbrojtjes duhet të ketë mbështetje në disa parakushte. Për më tepër theksohet se është e nevojshme një prani e sulmit. Sulmi duhet të jetë i afërt, duke filluar ose duke vazhduar. Ai duhet të jetë i nevojshëm dhe i duhur për të ndaluar sulmin e menjëhershem, e esenciale eshte qe kjo mbrojtje duhet të bëhet në lidhje me sulmin. Rregull tjetër ligjore e pashmangshme është fakti që veprimi i vetëmbrojtjes ndajsulmit të sulmuesit duhet të jetë e një niveli proporcional. Keshtu themi se nese mbrojtesi ushtron një goditje me nje arme te ftohte (thikë) kundër një sulmuesi fizikisht me te dobet, i cili e godet vetëm një shuplakë, duhet të konsiderohet rregullisht si veprim i ekzagjeruar, nëse mbrojtësi mund të mbante thjesht sulmuesin për ta përmbajtur atë nga shuplaka. Prandaj, në shembullin e sulmuesit të rrahjes me shuplake, kjo tashmë nuk mund të justifikohet me ushtrimin e mbrojtjes se nevojshme.

Vetëmbrojtja kundër vetëmbrojtjes nuk lejohet. Sic u  tha me lart, për të qenë në gjendje për të mbrojtur një sulm te paligjshem, sulmi duhet të jetë i afërt ose i vazhdueshëm. Prandaj, nëse sulmuesi vepron kunder veprimit te rrahjes, konsiderohet se sulmi është i afërt, sepse sulmuesi tashmë godet, pra, sulmi vazhdon. Ndersa, pas përfundimit të ketij sulmi, nëse sulmuesi shmanget nga viktima e tij ose largohet, konsiderohet se ne kuader te se drejtes penale një rezistencë e metutjeshme nga ana e te atakuarit nuk justifikohet më me institutin e mbrojtjes se nevojshme. Teoria juridike gjermane pranon qendrimin se “Veprimet mbrojtëse” të mëvonshme zakonisht paraqesin një akt hakmarrjeje ose vetë-drejtësie, të cilat nuk janë të mbuluara nga vetëmbrojtja.

I mbrojturi (viktima) gjithashtu kerkohet te veproj ne baze te një vullneti (vetedijes) për vetëmbrojtje. Themi keshtu sepse veprimi mbrojtës duhet të jetë pra në vullnetin e tij për tu mbrojtur nga sulmi. Nëse p.sh., rrihet vetëm për të provokuar një luftë, nuk ka vetëmbrojtje.

Sulmi është i kundërligjshëm nëse, nga ana e tij, është në kundërshtim objektiv me ligjin, veçanërisht nëse ai nuk është i justifikuar vetë. Vetë-mbrojtja kundër një veprimi vetëmbrojtjeje nuk është juridikisht e mundur. Vepra penale duhet të drejtohet kundër interesave juridike të sulmuesit dhe jo kundër palëve të treta. Pra, ne baze te kesaj rregulle, personi i cili thirret ne mbrojtje te nevojshme nuk ka te drejte te qelloj rreth vetes pa u perqendruar ne ndonje pike te caktuar, nga vjen sulmi.

Nga njëra anë, veprimi duhet të jetë i përshtatshëm për të mos lejuar sulmin dhe, nga ana tjetër, të jetë mjeti relativisht më i butë. (Kërkesa) kjo përcaktohet me një vlerësim paraprak objektiv të çështjes specifike. Lloji dhe rreziku i sulmit, mjetet e përdorura nga sulmuesi dhe aftësitë e tij fizike duhet të përfshihen. Nëse tejkalimi i kufijve të mbrojtjes së nevojshme bazohet në konfuzion, frikë ose terror në reagim, atëherë kryesi sipas Nenit 33 te KPGj nuk do të ndëshkohet.

Pra, siç u tha më lart, kërkohet që akti i vetëmbrojtjes dhe sulmit të mbështetet nga një element i justifikimit subjektiv. Kjo do të thotë që kryesi duhet të ketë vepruar me njohuri dhe me qëllim të mbrojtjes. Nëse nuk është ky rasti, pasojat juridike janë të diskutueshme. Prandaj, per rastin e tille praktika gjyqësore gjermane ka krijuar nje sistem unik, i cili kundërshton kategorikisht vetëmbrojtjen sipas nenit 32 te KPGj dhe ndëshkon në mënyrë logjike per veprën e kryer.

Prof. Ass. Dr. Islam Qerimi, LL.M.

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]