Ilir Krasniqi dhe Sali Kelmendi: Kujtime për Qerim Kelmendin – fillimet e para për furnizimin më armatim nga Shqipëria

ILIR KRASNIQI:

Qerim Kelmendin e njoha përmes Adrianit, – Vëllai tim më të vogël, – ne aktivitetet e atëhershme në demonstratat dhe Grevën e urisë në Prishtinë, në vitin 1989, gjatë solidarizimit me minatorët. Kontaktet tona ishin të shpeshta dhe me shumë angazhime, deri në momentin e kërkesës se Qerimit për rrugëtim në Shqipëri – për gjetje dhe sjellje në Kosovë të armatimit për aksione guerile.

Ju pëlqen!

Lidhjet tona familjare me Shqipërinë dhe lidhjet familjare të Qerimit me organizatorët e LPK-së, përmes Ibrahimit, vëllait të Qerimit, dhe Muhametit, djalit të axhës së Qerimit, e bënin një kombinim shumë funksional.

Me mbështetjen e njërit nga shokët e mi të studimeve, Avdi Hules, i cili vinte nga zonat kufitare dhe e njihte mirë terrenin, unë dhe Ramadan Kastrati shkuam të njoftohemi me terrenin, ku mund të kalohet ilegalisht kufiri më se lehti.

Ky ishte angazhimi im i parë për këtë çështje. Ishte vera e vitit 1991. Në vjeshtën e po atij viti ne vendosem të shkonim në Shqipëri. Ishte tetori. Në shtator qe mbyll Universiteti. Gjendja bëhej për ditë e më e rëndë. Ne morëm vendim për të shkuar. Në fillim patëm shumë probleme me Adrianin, i cili donte patjetër të vinte me neve. Biseduam, ose të rrija unë e të shkonte ai, ose anasjelltas. Unë isha kundër, sepse dija për guximin e tepruar të Adrianit dhe të Qerimit.

U nisem për rrugë. Qysh në fillim na doli problem. Dani, siç e thërrisnim Ramadan Kastratin, ishte një djalë shumë guximtar po shumë i qetë. Qera, siç e thërrisnim Qerimin, e kishte një revole kollt, ngjyrë metalike shumë të bukur. Unë dhe Adriani e kishim një revole 9 mm. Na duhej të udhëtonim me autobusë deri në Deçan, pastaj te fillonim të ecnim këmbë, bjeshkëve sipër Deçanit. Unë isha kundër udhëtimit me autobusë sepse bëheshin kontrollime të mëdha nga shërbimet dhe policia serbe.Adriani, i cila na shoqëroi deri në Deçan, edhe Qera, donin të udhëtonin me autobus. Më në fund i binda që të mos udhëtojmë me autobus, sepse rreziku ishteshumë i madh. Në Deçan u ndamë me Adrianin.

Unë, Dani dhe Qera morëm rrugën për Shqipëri në mes të tetori të 1991-tës. Qysh në fillim patëm probleme, sepse ne e kishim mësuar rrugën gjatë verës, ndërsa në vjeshtë kishin ra gjethet dhe nuk mund të orientoheshim si duhet. Shkuam të Kerrshi i Jedoves, siç i themi në Dukagjin shkëmbit. Ishte vendi karakteristik, të cilin na kishte mësuar Avdija. I kaluam stanet e Junikut dhe sipas informatave të Avdisë, aty ku bashkoheshin dy maja bjeshke, ishte një Qafë, dhe si ta kalonim at Qafë, ishim në Shqipëri.

Na kishte këshilluar, kur takonim një lumë, ai është Valbona, lumi që rrjedhë buzë Bajramcurri.

Unë isha njohësi më i mirë i terrenit. Ju thashë: “Shokë, tash jemi ne Shqipëri”. U gëzuan shumë. Qera puthi Tokën, duke pëshpërit: “Edhe toka është më e butë, edhe bari është më i mirë.”

Rëndom, nga mesi i tetorit, në ato bjeshkë fillonin ngricat. Duke kaluar lumin, – për të cilin menduam se ishte Valbona e na doli si ishte Ereniku, – Dani rrëshqet në akull dhe lëndon gishtin e vogël, të cilin e kishte në gips. Filloi Qera për të qeshur. Me ngjanë sikur po i shoh duke e tall Danin deri në atë masë sa u ngatërruan mes tyre. Ata dy ishin të armatosur ndërsa unë jo, prandaj druaja mos po humbin përmbajtën. Filloi të qetësohet Dani, i pari. U qetësua edhe Qera.

Pas 19 orë udhëtim i dëgjuam lëvizjet e ca njerëzve, më disa motorrë, duke prerë dru. Për Qerën edhe për Danin fshatrat e komunës se Deçanit ishin të pa njohura. Kur i pash tabelat DJ, akronimet për regjistrimin e automjeteve në Gjakovë, e mora me mend se kemi humbur orientimin. E pyeta atë fshatarin se ku gjendeshim. Me përgjigjet: “Ne Jasiq.”

U tregova Qerës dhe Danit. Ishim të lodhur, të rraskapitur për të provuar edhe një herë për ta kaluar kufirin. Na pyet ai fshatari, për ku ishim nis? I përgjigjem unë se isha të dajtë në Roshkodol, edhe pse nuk e dija nga aty, ku ishte Roshkodoli. “O djem, kallxoni drejt, a jeni nis për Shqipëri, a jeni ka vini prej Shqipërie, se prej Roshkodoli mi pas krahët nuk mun të vini qëtu? Po, sidoqoftë, runu shumë se është një shumar (pylltar) shka shumë i rrezikshëm. Me ju pa, thirr milicin.”

Qera këmbënguli ta lypim atë pylltar që ta vritnim.

Morëm pak bukë nga ai fshatari dhe na e tregoi rrugën si mund te kthehemi pa u vërejt shumë nga patrullat e policisë, të cilat lëviznin rregullisht në ato zona.

Qera e kishte një shok në Carrabreg të Deçanit. Vendosëm të shkonim tek ai që të pushonim, pa rënë re pse ishim të lodhur dhe të zhytur. Rastësisht e takuam Hallën time. Kur na pa na njohu. U befasua: “Çka jini bo kështu, qyqja unë për ju?!” Qera, si Qera që shquhej për humor origjinal, menjëherë ju përgjigj: “Kemi pas turnir, e tuj lujt më topë, jemi lodh dhe zhyt.” Halla u bind.

Ky ishte rrugëtimi im i parë me Qerën për në Shqipëri.

 

SALIH KELMENDI:

Më 14 Janar 1992, rreth mesdite, Qerimi me tha:

“Po nisemi për në Shqipëri unë, ti, Ilir Krasniqi dhe Ramadan Kastrati.”

“Kur?”, e pyeta.

“Sot”, m’u përgjigj.

“Si, sot?!”, i them. “Qero, unë nuk kam asnjë lek.”

Më pat thënë të mos merakosesha, duke thënë se ai kishte mjaft. Në fakt kishte vetë 100 DM, siç e quanim valutën e atëhershme gjermane.

Qerimin e kisha Shok të gjeneratës, por edhe Xhaxha, edhe pse unë isha më i moshuar se ai për gati shtatë muaj. Babait tim, Jasharit, ndjesë pastë, i ka pas vdekur Nana Ajshe kur ka qenë 10-vjeçar. Babai kishte edhe Motrën Fatime dhe Vëllain Mustafë, më të vegjël. Gjyshi Haxhë, Babai i Babës tim, qe martuar me Nanën Nuri, siç e thërrisnim, edhe pse emrin e lindjes e kishte Noke Iberdemaj. Bashkë patën lindur njëmbëdhjetë fëmijë. Tetë e mbijetuan fëmijërinë.

Më të vegjlit ishin binjakët Qerim dhe Lushe, të cilët i kisha axhë dhe hallë.

Rëndom, ndoshta për shkak se axhallarët kishin më autoritet se nipërit në familjet tradicionale, unë e doja dhe dëgjoja Axhën dhe Shokun Qerim.

Qera me tha ta informoja Muhametin në Gjermani, që po niseshim për të marrë armatim në Shqipëri. E kuptova menjëherë se ai e kishte seriozisht, sepse ai çështjen kombëtare e kishte prioritet. Kur vendoste nuk i nevojitej shumë parapërgatitje. Pra, ishte i gatshëm në çdo kohë. Rreth orës 15 u përshëndetem më Nanën Nuri, pa dramatizim, sikur po shkonim vetëm deri në fshatin fqinj Zahaq, për të mos lënë përshtypje fare se po shkonim larg, me rreziqe, që të mos merakoseshim. Nana ime, Hava, kishte qenë në Pejë për të bërë Pazar. E pyeta mos kishte ndonjë dinarë. Ajo me tha se nuk kishte. Shkuam këmbë deri në Zahaq, rreth tre km nga shtëpia në Llabjan. Prej aty rrugëtuam me autobus deri në Pejë, ku na prisnin Vëllezërit Ilir e Adrian  Krasniqi dhe Ramadan Kastarti. Adriani erdhi me ne vetëm deri në Deçan, për të na dhënë kurajë. Ai i ngacmoi Qerimin, Ilirin dhe Ramadanin: “Tani e keni të sigurt orientimin, meqë po ju shoqëron Sala, – siç me thërrisnin mua, – dhe besoj se kësaj radhe do të arrini të shkoni në Shqipëri.”

Nga Deçani filluam rrugëtimin në këmbë. Ishte dimër dhe bora nëpër bjeshkët e larta, vende vende ishte rreth 2 metra. Për Qerimin më shokë nuk ishte problem bora. I terë rrugëtim që shoqëruar me gallata. Në rast të sulmit nga ushtria serbe ne kishim vetëm 2 revole dhe 2 thika. Kur u nisëm Qerimi më tha se ai po e merrte revolen, të cilën ia kishte sjell Tezakja Sabrije nga Gjermania. Ishte kolt Norvegjie. Nuk morëm armë tjera, meqë planifikonim të ngarkoheshim në Shqipëri, që t’i fusnim fshehurazi në Kosovë…

 

ILIR KRASNIQI:

Me 14 Janar te viti 1992, ditë e martë, në Kosovë mbaheshin zgjedhjet për president. Me këmbënguljen e premtim të Qerës se armatim kemi sa të duam në Shqipëri, vetëm duhet gjetur kanalet për t’i fut brenda, në Kosovë, morëm rrugën përsëri për në Shqipëri. Kësaj radhe ishim Qera, Dani, Salih Kelmedi dhe unë. Adriani edhe kësaj radhe na shoqëroi vetëm deri ne Deçan. Adriani, si gjithnjë, kishte hallin se si mund të informohej për rrugëtimin tonë, sepse ishte 14 janari dhe bjeshkët ishin të mbuluara me borë, pothuajse te pa kalueshme. Qera, si gjithmonë më humor, i tha të përcjellte TV-në: “Kur do te thonë në lajme se janë gjet 4 persona të vdekur, ta di se jemi ne.”

Filluam rrugëtimin. Qera dhe Dani ishin të armatosur më ato dy alltia që kishim edhe herën e kaluar. Unë dhe Sala kishim nga një thikë. Rruga shumë herë ma e mundimshme se në tetor, por, tash e njihnim terrenin më mirë, sepse ishim të tretë që kishim gabuar herën e parë. D.m.th. lumi i parë ishte Ereniku ndërsa i dyti ishte Valbona.

Udhëtuam gjithë natën dhe kah mëngjesi herët fillon një ulurim e tmerrshme e ujqërve. Na ngjante se i kishim pas shpine. Filluam të përgatitemi për vetëmbrojtje. Kur filloi Sala me e nxjerrë thikën te cilën e kishte mbështjellë më letër të thesit të miellit, nja pesë-gjashtë fish, filloi Qera ta tallte.

Ne këtë rrugëtim shumë të rrezikshëm tre gjëra nuk do t’i harroj kurrë.

E Para: Nga se ishim edhe të varfër, unë i kisha marrë një palë çizme të daja por ishte numri shumë i madh dhe rrëshqita dy herë pothuajse nga 100 metra, para se të arrije në maje të bjeshkës, ku duhej të kalohej kufiri. Qera, Sala dhe Dani tashmë kishin arritur në maje. Fillova të qajë dhe me dënesë ju thash:  “Vazhdoni. Unë po kthehem. Nuk mundem të vazhdojë më!”

Me motivuan ta bëja edhe një përpjekje. Fatmirësisht, ia dola.

E Dyta: Kur kaluam nga ana e Shqipërisë, te vendi Qet Guri, si i thoshte Daja Hazir. Ishte shkëmb i premë si me thikë, më një lartësi shumë të madhe. Kishim rrezik që te rrëshqisnim në humnerë dhe të mos na gjente njeri deri në Pranverë. Na u dashtë të ecnim më shumë kujdes në anën e majtë të shkëmbit. I pari duhej të hapte rrugë, ne tjerët të ecnim për të njëjtat gjurmë. Dani dhe Qera i kishin këpucët më të mira për këtë alpinizëm. Fillimisht Dani i priu grupit. Kur u lodh, luti Qerën ta ndërronte. Rastisi Qera të ishte i fundit. Duhej të kalonte nga ana e sipërme e jona, më shumë kujdes, që të mos rrëshqiste. Përndryshe do binte në humnerë. Na kaloi mua dhe Salën. Fati i tij i madh ishte se kur rrëshqiti, e priti Dani, i cili ishte mirë i pozicionuar në borë dhe e ndali. Përndryshe do të përfundonte në greminë.

Aty e tutje Qera i priu grupit, deri sa e kaluam rrezikun.

Dhe e treta: Pasi zbritëm në Valbonë dhe po ndiheshim të sigurt, ishim shumë të lodhur, prandaj vendosëm të pushonim. Ishte shumë ftohtë në atë 15 janar, midis bjeshkëve. E pastruam një lis të rrëzuar, u ulem të katërt dhe e morëm njeri tjetrin në gji që të mbroheshim sado pak nga acari. Pas disa çastesh na zgjoi Qera, sepse kishte filluar të na zinte gjumi në temperaturë që duhet të ketë qenë -20° C. Vazhduam rrugëtimin. Arritëm në Tropojë te familja e Mixhës Tafë, të vëllezërit Besnik, Agim, Luli dhe Edi Tafa. Aty gjetëm prehje dhe bujari…

Lidhjet për të cilat Qera kishte shpresuar nuk funksionuan sepse ra Qeveria në Shqipëri. Ne mbetëm pa armatim. Unë u aksidentova shumë keq në Tropojë me makinë dhe u operova.

Qera, Sala dhe Dani në Pranverë të 92-tës u kthyen në Kosovë, të shoqëruar nga kushëriri Edmir  Tafa (Edi). Ai i qoi ata deri në Prifq të Sylejman Berisha. Nga aty deri në kufi për të kaluar në Ponoshec. Ishte rrugë shumë më e shkurtër se nga kishim kaluar ne.

Djemtë e Mixhës Tafë në vitet 97-99 do të jenë baza ma e fuqishme e furnizimit me armatim në krejt Shqipërinë. Ne fillim me pak veta: Adrianin, Qerimin, Mergimin, Gencin e Besnikun. Pastaj u angazhuan shumë pjesëtarë të UÇK-së. Edhe shtëpia e Sylejman Berishës qe bërë baza më e fuqishme në zonën kufitare, i cili priti e përcolli me qindra veta, në koordinim të Adrianin,  Qerimin, Mergimin, Ilir Konushevcit, me bashkëluftëtarët e tyre.

[Sali Kelmendi, Ilir Krasniqi, Qerim Kelmendi; viti 1991]
[Sali Kelmendi, Ilir Krasniqi, Qerim Kelmendi; viti 1991]
SALIH KELMENDI:

Në mëngjesin e 15 Janarit, pasi kishim pushuar pak tek ai Lisi i prerë, siç rrëfeu Iliri, vazhduam rrugën përbri lumit Valbona dhe gjatë gjithë kohës i pyesja se a është Lumi Valbona apo Ereniku, duke bërë humor. Pas një kohe e shohim një fshatar. Nga frika se mos përsëri kemi gabuar, nuk e pyetëm  ku jemi. Në mbrëmjen e 15 Janarit pas rrugëtimit diku 30 orë, arritëm tek Familja e Vëllezërve Tafa (Krasniqi), Besnikut, Agimit, Lulit dhe Edit. Unë dhe Qera qëndruam dy-tre ditë dhe pastaj vazhduam për në Tiranë. Atje ishte frymëzuesi ynë, axha Ibrahim.

Ishte kohë e krizës se madhe e transformimit në Shqipëri dhe ishte shumë e vështirë të komunikoje me njerëz.  U strehuam tek axha Ibrahim. Njerëzit, edhe pse shumë të varfër, shfaqnin bujari të madhe. Shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe Familjën e gjerë të Kadri dhe Vesël Cikës, për mikpritje, bujari dhe përkujdesje.

Diku në shkurt të vitit 1992 axha Ibrahim, bashkë me disa veprimtarë të rinisë në Tiranë, organizuan mitingun me moton: “Me Kosovën, për Kosovën!“, i cili pat pjesëmarrje dhe jehonë shumë të madhe.  Lokalet e Ndërtesës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë ishin bërë pikëtakimi i Qerës me personalitete, që të njiheshim dhe të furnizoheshim me armë e municion.

Tanimë kishin ardhur edhe grupe tjera nga Kosova për ushtrime ushtarake dhe për armatim. Disa prej tyre edhe po studionin si p.sh. Kadri Veseli, Shaip Muja, etj.

Qerimi nuk la gurë pa rrotullua për të gjetur armë dhe për të krijuar favore për mobilizim. Takoi shumë personalitete të politikës dhe të Ushtrisë Shqiptare. U takua edhe me Ramush Tahirin, i cili ishte emëruar si ministër i mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Ishim se bashku me disa studentë dhe disa “ushtarë” të Kazermës në  Labinot tek Ambasada e Republikës së Kosovës, tek ambasadori Ali Aliu, siç i thoshin atëherë, dhe Zymer Berisha nëpunës në Ambasadë të Kosovës. “Ushtarët” u ankuan për moskujdesjen nga “qeveria” e Bujar Bukoshit. Ishin të karantinuar dhe pa asnjë aktivitet. Ndërsa studentët u ankuan për hallet e tyre të përditshme. Në një rast Ali Aliu urdhëroi: “Shkruani emrat, mënyrën si keni ardhur, legalisht apo ilegalisht…” Qera e ndërpreu: “Po të duhen me ia dërgua Serbisë apo për çfarë?!”

Kështu qe prishë ai takim.

Pas  një muaji u strehuam ne Hotel Arbëria. Axha Ibrahim kishte rezervuar 14 dhoma, duk shfrytëzuar marrëveshjen që kishte bërë më strukturat e Rinisë së PD që t’i paguante si vendorët, lirë dhe me lekë, dhe jo si të huajt, shtrenjtë e më deviza. Ashtu na trajtonin atëherë në Tiranë. Ishim akomoduar duke simuluar se ishim përfaqësues të studentëve të Kosovës. Kur e kuptoi Sali Berisha se përse jemi të angazhuar, na largoi nga hoteli. Edhe përkundër marrëveshjes u dashtë të paguanim 1800,- DM, të cilat na i pat dërguar Axha Osman( Kelmendi) nga Gjermania.

Pastaj lëvizjet tona u vështirësuan shumë, sa për një rrugë prej Tirane e deri në Koman ka ndodhë me e ndërrua mbi pesë herë taksistët për ti anashkaluar organet e Sali Berishës.

Në maj 1992, kur u kthyem në Kosovë. Se bashku më Edmir Tafën, rrugëtuam në Prifq tek Baca Sylejman Berisha, i cili ishte Miku i Familjes Tafa. Aty patëm darkuar dhe na dhanë edhe ushqim me vete. Na përcollën deri në kufi.

Siç do të shohim në vitet në vijim, Shtëpia e djemve të Tafë Krasniqit në Bajram Curr dhe Sylejman Berishës në Prifq, do të jenë dy bazat kryesore për furnizim dhe mobilizim, shumë vite me radhë.

Të përjetshëm do ta ruajmë kujtimin për Qerën – edhe si Vëlla edhe si Shok edhe si Bashkëveprimtar!

Gjermani, mars 2020

 

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!