MekuliPress vazhdon të boton pjesë të vështrimit kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar, nga libri i Rexhep Qosjes, “Realiteti i shpërfillur”.

Politika e kështjellëzimit

          Shkrimtari Ismail Kadare jo vetëm se kundërshton, dënon, zhvlerëson, duke e quajtur, madje, njollë në historinë e Shqipërisë, pohimin tim se “fati ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve mes Lindjes e Perëndimit”, por njëkohësisht merr në thumb të gacatores së tij edhe atë pjesë të politikanëve shqiptarë, që bëjnë politikën e bashkëpunimit politik, diplomatik, ekonomik dhe, pse jo, kulturor të Shqipërisë me të gjitha vendet pa dallim race, kombësie, feje, ideologjie. Shihet qartë: Ismail Kadare e ngre zërin, zëshëm, vendosmërisht, kundër çdo kontakti të Shqipërisë me vendet e Lindjes së Afërme e të Lindjes së Mesme, domethënë me vendet islamike, duke përfshirë këtu, madje, edhe ish-republikat aziatike sovjetike, si vende me popullsi kryesisht myslimane. A është e mundshme? Dhe, përpos vendeve myslimane, Ismail Kadare e ngre zërin edhe kundër çdo bashkëpunimi të Shqipërisë me Kinën e cila për të vazhdon të jetë maoiste, si në kohën kur e ka shkruar romanin Dasma – jehonën e revolucionit kulturor kinez në letërsinë shqipe! Siç e këshillonte dikur Shqipërinë komuniste që të mbahej larg, sa më larg, prej imperializmit perëndimor dhe sa më larg prej revizionizmit sovjetik, Ismail Kadare e këshillon tani Shqipërinë demokratike që të mbahet larg, sa më larg, prej vendeve islamike! A ka nevojë fare të shpjegohen burimet dhe frymëzimet e kësaj myslimanofobie në të vërtetë të këtij kështjellëzimi të ri në mënyrë të koniunkturshme të Ismail Kadaresë? Jo.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

          Por ka nevojë të thuhen edhe disa fjalë për zhvlerësimin politik dhe historik që i bën ai mendimit tim mbi fatin e paracaktuar  historik të Shqipërisë për zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit.

          Për fatin e popujve të tyre, dhe për fatin e kulturave e të qytetërimeve të tyre është i madh numri i intelektualëve në Perëndim dhe në Lindje të cilët as në kohën e Luftës së Ftohtë nuk janë pajtuar me kështjellëzimin e popujve e të shteteve të tyre, të cilët kanë predikuar dhe të cilët predikojnë lidhjet, bashkëpunimet, bashkëmarrëveshjet midis Perëndimit dhe Lindjes, midis qytetërimit të krishterë dhe qytetërimit mysliman. Dhe, fatmirësisht, numri i tyre tani është në rritje si pas Luftës së Dytë Botërore. Janë këta intelektualë të cilët jo vetëm se nuk e kundërshtonin dhe nuk e kundërshtojnë, dhe jo vetëm se e predikonin dhe e predikojnë, por e quanin dhe e quajnë të fisëm misionin historik të vendit të tyre për zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit. Dhe, për më tepër, këtë fat të rëndë, të vendit të tyre e quanin dhe e quajnë të shenjtë.

          Po e citoj njërin prej tyre: po e citoj shkrimtarin grek, Nikos Kazanxhakis, i cili në romanin e tij të lavdishëm, një kryevepër e letërsisë botërore, Letër El Grekos, përkthyer shqip nga Miço Gubera e të botuar nga Shtëpia botuese Eugen, në vitin 2001,përpos të tjerash, shkruan:

          “Pozicioni i Greqisë është me të vërtetë tragjik; përgjegjësia e Greqisë së sotme është dërrmuese; ajo ngarkon mbi supet tona një detyrë të rrezikshme, të vështirë për t’u plotësuar. Forca të reja ngrihen nga Lindja, po ashtu forca të reja ngrihen nga Perëndimi dhe Greqia qëndron gjithmonë midis këtyre dy shtysave që përplasen e bëhet edhe më shumë vendi i vorbullave. Perëndimi ndjek traditën e logjikës e të kërkimit, turret për të pushtuar botën; Lindja, shtyrë nga forca të tmerrshme të subkoshiencës, përpiqet edhe ajo të pushtojë botë. Greqia, ndërmjet tyre, kryqëzimi gjeografik e shpirtëror i botës, ka detyrë sërishmi t’i pajtojë këta dy sulmues të mëdhenj, duke arritur sintezën e tyre. A do të mundet?

          Fat i shenjtë, tmerrësisht i hidhur.”

          Bëni krahasim!

          Sa i thjeshtë është mendimi im për fatin e paracaktuar historik të Shqipërisë për të zbutur kundërshtitë midis Lindjes dhe Perëndimit në krahasim me mendimin e autorit grek, i cili nuk ishte njeri pa paragjykime politike dhe ideologjike, por, megjithatë, ishte humanist i vetëdijshëm për misionin që historia ia kishte caktuar vendit të tij: jo vetëm për të zbutur, si them unë për Shqipërinë, kundërshtimet mes Lindjes e Perëndimit, po për të bërë sintezën e  tyre.

          Bëni krahasim! Sa kundërhistorik e sa shkurtpamës është mendimi i Ismail Kadaresë, gabimisht i pandehur si i koniunkturshëm sot, me të cilin ia mohon Shqipërisë, me mbi dy të tretat e popullsisë-myslimane, misionin që ia kanë paracaktuar historia dhe gjeografia, për të luajtur rol, vërtet, ndërmjetësues,për të qenë jo “sanduiç”, po subjekt historik, qytetërues, moral në zbutjen e kundërshtimeve mes Lindjes e Perëndimit sot! Sa përjashtues dhe moralisht i mjerë është mendimi i Ismail Kadaresë në krahasim me mendimin e gjeniut grek, Nikos Kazanxhakis, i cili Greqinë, me fare, fare pak popullsi myslimane dhe jo greke, e sheh si ndërmjetësuese, madje si vend pajtimi, ku do të arrijnë sintezën e tyre Lindja e Perëndimi, i cili Greqinë e sheh çka ajo ishte e do të  jetë: kryqëzimi gjeografik e shpirtëror i dy botëve.

          E kush e sheh njëmendësinë shqiptare të tillë çfarë është, kush e sheh njëmendësinë shqiptare pa paragjykime fetare e politike, kush e sheh njëmendësinë shqiptare pa e shpërnjohur për shkak të leverdive të veta të çastshme, do të thotë: më parë se Greqia – me fare pak popullsi myslimane dhe jogreke, është Shqipëria (me Kosovën dhe Maqedoninë Perëndimore) – me mbi dy të tretat popullsi të besimit mysliman, është, pra, Shqipëria ai kryqëzimi gjeografik dhe shpirtëror i dy botëve, i Lindjes dhe i Perëndimit, që ka misionin historikisht të paracaktuar për zbutjen e kundërshtive të tyre.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

          E kuptueshme.

          Tokat shqiptare janë ato në të cilat, më dukshëm e më krijueshëm se kudo në Ballkan apo në botë, ka ngjarë takimi i Lindjes dhe i Perëndimit, është arritur bashkimi midis qytetërimit të krishterë dhe qytetërimit mysliman. Kultura dhe qytetërimi shqiptar, ashtu si i ka trashëguar brezi ynë – brezi që i afrohet fundit të jetës, është dëshmia e kësaj. Dhe, bashkëjetesa shumëshekullore e harmonishme fetare në tokat shqiptare është dëshmia e mrekullueshme e kësaj.

Dhe, ky mision i paracaktuar i Shqipërisë nuk e nxjerr Shqipërinë sot as gjeografikisht, as shpirtërisht, as politikisht prej Evropës. Përkundrazi, pikërisht për shkak të këtij misioni, do të duhej ta bënte më të dëshiruar për Bashkimin Evropian.

          Mos mendojmë ne se Evropa dhe Amerika do të na çmojnë, vërtet, pse prodhojmë këso mendimesh përjashtuese, si të Ismail Kadaresë, që na kthejnë në kohën e Luftës së Ftohtë? Mos mendojmë ne se Amerika dhe Evropa do të na çmojnë, vërtet, më shumë pse ministrin spanjoll të Punëve të Jashtme e presim gojëkyçur vetëm pse kishte ardhur në Tiranë për të frymëzuar pikërisht rolin zbutës të Shqipërisë, me një pjesë të madhe të popullsisë së besimit mysliman, në marrëdhëniet e sotme midis Lindjes myslimane dhe Perëndimit të krishterë? Mos mendojmë ne se Amerika dhe Evropa duan të na konvertojnë në të krishterë për të na përdorur në “luftën” fetare midis qytetërimit të krishterë dhe qytetërimit islamik? Jo.  Kjo nuk është ardhmëria jonë. Dhe, kjo nuk është ardhmëria e qytetërimeve. Dhe, kjo nuk është politika e Perëndimit. Kjo nuk duhet të jetë dhe historikisht nuk do të mund të jetë politika e Shqipërisë. Kjo mund të jetë vetëm rrëshqitje politike dhe intelektuale e Ismail Kadaresë.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Identiteti i nënçmuar

          Prej hidhërimit mospajtues me të cilin reagon ndaj pohimit tim se në identitetin shqiptar janë të përmbajtur përbërës të krishterë dhe përbërës myslimanë, se identiteti kombëtar shqiptar në të vërtetë është një përgjithësi, një e përbashkët, një e tërë e gjerë, e identitetit fetar të krishterë dhe e identitetit fetar mysliman, në të cilët janë bashkuar edhe përbërës historikë, kulturorë, zakonorë, moralë e të tjerë edhe më të përparshëm; prej përzgjedhjes së njëanshme të disa të dhënave apo trillimit të disa të tjerave; prej analizës dhe shpjegimit të njëanshëm të tyre, kur e kur të cekët e të njëanshëm deri në naivitet dhe, më në fund, prej disa përgjithësimeve që bën, del qartë se Ismail Kadare mohon të vërtetën dhe të drejtën për identitetin shqiptar i tillë çfarë është dhe madhëron një identitet evropian shqiptar sot të mbajtur prej tij në shemërim të supozuar me identitetin mysliman të Lindjes. Qëndrimi shpërfillës ndaj identitetit mysliman në identitetin e gjithësishëm shqiptar nuk ka se si të përjetohet ndryshe përpos si fyerje prej shqiptarëve myslimanë që si përbërës të identitetit të vet kombëtar e çmojnë edhe fenë myslimane me të gjitha të veçantat e saj shpirtërore, morale dhe qytetëruese. Mund të thuhet kështu sepse në gjykimet e tij janë shpërfillur: adetet që shoqërojnë ceremonitë e lindjes, të martesës dhe të varrimit; mënyra të jetës në shtëpi dhe në shoqëri; ceremonitë fetare në ndërtesat dhe në vendet e kultit; veshjet me të cilat shumë gra myslimane vishen në shtëpitë e tyre apo edhe dalin në qytete; muzika popullore me veçori të muzikës orientale; vallet popullore me veçori të valleve orientale; kuzhina popullore me veçori të kuzhinës orientale; arti popullor në të cilin janë të përmbajtura motive dhe veçori të tjera të artit popullor turk dhe arab; krijimtaria letrare, fetare, iluministe, pedagogjike, morale, dokumentare e shkruar me alfabetin arab; monumentet fetare kulturore siç janë xhamitë, teqetë dhe tyrbet, numri i të cilave, posaçërisht i xhamive, është i madh në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë në Ballkan; urat dhe kështjellat e ngritura në kohën e Perandorisë Otomane vlera kulturore historike e të cilave është e madhe; objektet e arkitekturës bashkëkohore, në të cilat shihen përbërës të arkitekturës tradicionale orientale; qytetet e njohura shqiptare si Shkodra, Berati, Vlora, Prizreni, Gjakova, Peja, Gjirokastra e të tjera, në të cilat arkitektura evropiane paraqitet vonë, kryesisht, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në kohën e komunizmit.

          Në turrin e tij shpërfillës të përbërësve myslimanë në të vërtetë të identitetit mysliman në identitetin e gjithësishëm shqiptar, Ismail Kadare ka shkuar aq larg sa ka shpërfillur edhe emrat e mbiemrat e disa milionë shqiptarëve e kjo do të thotë se ka shpërfillur qytetërimin që i ka krijuar ata!

          Dhe, jo vetëm kaq.

Në këtë turr shpërfillës Ismail Kadare ka shkuar edhe më larg: ka shpërfillur edhe emrin e vet, Ismail, sigurisht duke mos dashur ta pranojë se edhe emri i tij e nënkupton një qytetërim – se është shprehja e tij dhe një identitet – se është dëshmia e tij.

Domethënë: në këtë turr të myslimanofobisë së tij, të supozuar të leverdishme sot, ai ka shpërfillur një qytetërim – një sistem vlerash materiale e shpirtërore, zakonesh, rregullash, shprehish, virtytesh e vesesh, që karakterizojnë identitetin mysliman të shqiptarëve myslimanë e që, bashkë me identitetin e krishterë të shqiptarëve të krishterë, është i përmbajtur në identitetin e përbashkët: në identitetin kombëtar shqiptar.

          A është e mundshme?

          Mos ka dashur Ismail Kadare t’i bëjë të verbër dhe t’i bëjë të shurdhër evropianët që kanë qenë ndonjëherë në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë dhe në Maqedoni? Dhe, mos ka dashur Ismail Kadare të na bëjë edhe ne të verbër dhe të shurdhër: të mos shohim çka shohim dhe të mos dëgjojmë çka dëgjojmë! Dhe, të mos jemi edhe çka jemi!

         Po, kjo është e drejta e tij: njeriu mund të bëjë me veten çka të dojë. Nuk mund të bëjë çka të dojë, ndërkaq, me të tjerët: me identitetin e tyre. Mbas përmbysjes së komunizmit kjo quhet shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...