Ide raciste

          Nuk mund të them a është a s’është Ismail Kadare i një mendjeje me intelektualët dhe politikanët evropianë, që janë ngritur kundër futjes në kushtetutën e Bashkimit Evropian të konceptit mbi prejardhjen e krishterë të kontinentit, por mund të them se disa ide dhe disa mendime të tij të përmbajtura në Identitetin evropian të  shqiptarëve do të priteshin mirë prej publicistes së njohur italiane, Oriana Falaçi,dhe prej kult-shkrimtarit francez, Mishel Uelbek, që në vendet e tyre janë akuzuar për ide raciste!

          Pse do të mund të priteshin mirë prej asaj publicisteje dhe prej atij shkrimtari disa ide dhe mendime të shkrimtarit tonë?

Ju pëlqen!

          Sepse janë ide raciste.

          “Letrat e Shqipërisë – shkruan Ismail Kadare në Identitetin evropian të shqiptarëve – janë të qarta.

          Populli shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë”.

          Kush janë ata që nuk dëshirojnë ta shohin këtë identitet të qartë të shqiptarëve?

          S’ka përgjigje!

          Kush janë ata të cilëve nuk u intereson ta shohin identitetin shqiptar, që nuk është i “fshehur pas lajlelulesh mashtruese”?

          S’ka përgjigje!

          A ka identitete të fshehura pas” lajlelulesh mashtruese”?

          S’ka përgjigje!

          Pse s’thuhet se edhe letrat e Kosovës janë të qarta?

          S’ka përgjigje!

          Çka thuhet më tutje?

          Thuhet:

          “Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para evropianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan ta zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Evropës dhe fill pas saj nis Turqia, ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë vëren se gjer në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia,Greqia dhe Bullgaria. Për të mos përmendur atë që quhet “Turqia evropiane”. Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë. Ashtu si gjuha, ajo quhet, në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trako-ilirëve”.

          A është e mundshme?

          Shkrimtari është bërë mësues i gjeografisë: po na tregon se Shqipëria është në Evropë. Nxënësit që do të përgjigjeshin saktë do të merrnin notë dhjetë!

          A është e mundshme!

          Muzika, vërtet, ngjan si e njohur! Tragjikisht e njohur.

          Shqipëria dhe Kosova, kur është fjala për identitetin, i paskan letrat e ndara! E mësuam prej gojës së Ismail Kadaresë se letrat e Shqipërisë janë të qarta, por çfarë janë letrat e Kosovës. Çfarë janë letrat e shqiptarëve në Maqedoni? Çfarë janë letrat e shqiptarëve në Mal të Zi? Çfarë janë letrat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës?

Të paqarta!

Pse nuk qenkan të qarta letrat e Kosovës? Pse nuk qenkan të qarta letrat e gjithë shqiptarëve të tjerë kudo qofshin ata? Përgjigjen na e jep, natyrisht, vetë Ismail Kadare: duke i ndarë letrat e Kosovës prej letrave të Shqipërisë shtetërore!
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Dhe, kjo përgjigje nuk është e bindshme për arsye se gjeografia, “gjëja më kokëfortë në botë”, atë që e dëshmon për Shqipërinë shtetërore do të duhej ta dëshmonte edhe për Kosovën dhe shqiptarët e tjerë, së paku në Ballkan.

          Gjeografia është një “gjë” shumë e dashur nga shkrimtari ynë. Pse? Sigurisht për dy arsye: e para, për arsye se e dëshmon evropianitetin e shqiptarëve të Shqipërisë shtetërore dhe, e dyta, pse Evropën e ndan, në sajë të Gjirit të Bosforit, të Mesdheut, dhe të Gjirit të Gjibraltarit, prej Azisë dhe prej Afrikës! Ismail Kadare është i gëzuar pse Shqipëria shtetërore është më larg prej Azisë se disa shtete të tjera evropiane me identitet evropian. Ai është i gëzuar pse midis Shqipërisë shtetërore dhe Azisë shtrihen tri shtete: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria. “Për të mos përmendur atë që quhet “Turqia evropiane”! Dhe, këtë çerekshtetin tjetër, Turqinë evropiane, ai e fut në thonjëza!

          Pas këtyre margaritarëve gjeografikë, me të cilët e stolis qafën e Shqipërisë, shkrimtari ynë na e dhuron kryemargaritarin gjeografik me çmimin e të cilit shpreson të na bëjë të lumtur të gjithëve: “Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë”. Në qoftë se gjeografia u ka caktuar shqiptarëve dhe evropianëve të tjerë fatin që të jenë të bardhë, mos gjeografia ua ka caktuar fatkeqësinë aziatikëve dhe afrikanëve që të jenë të verdhë, të vrugët, të zinj? Mos ngjyra është arsyeja pse Ismail Kadare dëshiron të na mbajë sa më larg prej tyre?

          Nuk është gjeografia e vetmja frymëzuese e idesë raciste të Ismail Kadaresë: frymëzim të  njëjtë mund t’i sjellin atij edhe historia e arkeologjia. Dëgjojeni:” “Ashtu si gjuha, ajo quhet (popullsia shqiptare – R.Q) në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trako-ilirëve”! Meqenëse, si e thonë studiuesit e tij, racizmi është “botëkuptim që s’pranon t’i çmojë dinjitetet të barabarta”, atëherë na del se rumunët e shkretë, si pasardhës të dakëve, fis trakas, nuk mund të kenë dinjitet të barabartë me pasardhësit e ilirëve, madje, as të iliro-trakasve.

         Po, t’i lëmë për pakëz idetë raciste dhe të merremi me frymëzuesen e tyre kryesore: me gjeografinë. VIJON!
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!