Pavarësisht kundërshtimeve të ashpra që ka hasur plani i qeverisë shqiptare që t’i japë nënshtetësi shqiptare të huajve, institucionet po avancojnë me këtë projekt. Të paktën për blerësit potencialë të huaj në projektin “Marina & Jahtet e Durrësit” pritet që të bëhet një ligj i veçantë, që tu japë atyre nënshtetësinë.

Në marrëveshjen kuadër “Jahtet dhe Porti i Marinës” mes qeverisë shqiptare dhe konsorcumit të Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C”, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit” parashikohet që:

“Investitorët e huaj që blejnë drejtpërdrejt nga prona e Investitorit Strategjik në Projekt, do të kenë të drejtë të aplikojnë për shtetësi dhe/ose rezidencën e përhershme të Republikës së Shqipërisë. Bazuar në blerjen e tyre nga Investitori Strategjik, nëse kjo shumë e blerjes përmbush kriteret, kushtet dhe regjimin specifik që do të përcaktohet nga një vendim i Këshillit të Ministrave në bazë të kësaj Marrëveshjeje dhe të plotësimit të kritereve të kërkuara nga Legjislacioni i Zbatueshëm”.
Që prej vitit 2020 qeveria po përpiqet të zbatojë një plan për pasaportat e arta për të huajt dhe investitorët. Në fund të korrikut 2022, qeveria bëri disa ndryshime në ligjin për partneritetet publiko-private (PPP) duke shtuar programet e shtetësisë. Vendimi mundëson punësimin e firmave private për të promovuar këtë skemë tek të huajt.

Ju pëlqen!

Komisioni Europian e ka kritikuar vazhdimisht këtë skemë. Në raportin e tij të fundit të progresit për Shqipërinë në tetor 2022, Komisioni Europian tha “Për shtetësinë, Shqipëria duhet të frenohet nga zhvillimi i një skeme të shtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta), pasi kjo do të përbënte rreziqe përsa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit. dhe infiltrimi nga krimi i organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me acquis të BE-së”.

Projekti i Marinës së Jahteve parashikon gati 13 mijë apartamente
Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe konsorcumit të Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C”, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit” parashikon që sipërfaqja dysheme bruto të ndërtimit (Gross floor area -GFA) do të jetë 1.36 milionë metra katror, që mund të arrijë deri në 2 milionë m2 në skenarin më të mirë, në një sipërfaqe neto prej rreth 440 mijë m2.

Nga sipërfaqja e ndërtimit në skenarin e parë (1.36 milionë m2), rreth 93% do të jetë sipërfaqe rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.

Gjithsej parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8600 në fazën e dytë).

Projekti pritet të gjenerojë 3.2 miliardë euro gjatë operimit, nga të cilat 70% parashikohet të vijnë nga shitja e projekteve rezidenciale./ Monitor

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!