L.G zyrtar në Ministrinë e Financave i cili është i dyshuar për transferimin e mbi 2 milionë eurove nga llogaria e Thesarit të Shtetit, do të dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Seanca do të nis në orën 11:00, ndërkaq L.G do të përballet me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

 

Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.

Pas hetimeve të zhvilluara nga ana e policisë, të martën më 20 tetor 2020 është bërë arrestimi i L.G, ndërkaq dy persona të tjerë gjenden në arrati.

L.G. dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Drenasit.

Përmes një konference të jashtëzakonshme për media edhe ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se kanë ndodhur katër transaksione të paligjshme në vlerë prej më shumë se 2.1 milionë eurosh, në një llogari të një operatori privat.