Përhapja e Fitbits, gjurmuesve të gjumit dhe aplikacioneve të dietave ka bërë të mundur që të ndjekim dhe matim nga afër pothuajse të gjitha gjërat që kanë lidhje me mirëqenien, dhe të ndajmë  më pas rezultatet nëpër mediat sociale. Rezultati është që shumë prej nesh e pranojnë idenë se duhet të përpiqemi të jemi versioni “më i mirë”, dhe më i shëndetshëm i vetvetes.

Por ky është mentaliteti i gabuar. Nëse doni të arrini qëllimet tuaja shëndetësore, nuk duhet të përqendroheni në të qenit më të mirët. Ju duhet të përqendroheni në të qenit më të mirët në përmirësimin e vetes.

Ajo çka këshillohet është pikërisht ndryshimi i mentaliteit, pra nëse vraponi është e rëndësishme të koncentroheni tek aktiviteti në vetvete dhe jo tek fakti që duhet të shndërroheni në vrapuesin më të shpejtë.

E njëjta logjikë vlen për fushat përtej dietës dhe ushtrimeve, qoftë qëllime si prindërimi, marrëdhëniet, karriera ose ambiciet krijuese. Hulumtimet tregojnë se problemi i përqendrimit më shumë në rezultatet përfundimtare dhe qëllimet e mëdha është shumë bardh e zi: ju ose e arrini qëllimin ose nuk e bëni. Në momentin që ju arrini të realizoni objektivin ka shumë të ngjarë ta ndërprisni aktivitetin dhe të vetëkënaqeni me aq sa keni arritur. Kjo mund të çojë në braktisjen e asaj që ishit duke bërë dhe papritur gjendeni atje ku ishit në fillim. Ndërsa nëse nuk arrini qëllimet tuaja të mëdha, ka të ngjarë të trishtoheni, të humbni motivimin dhe në skenarin më të keq, të largoheni nga gjithçka që jeni duke bërë.

Psikologët e quajnë këtë mentalitet “pasion obsesiv”, kur interesi i një personi ushqehet jo nga sa i pëlqen një aktiviteti i caktuar, por nga rezultatet e jashtme, apo njohja dhe shpërblimet. Pasioni obsesiv është i lidhur me ankthin, mashtrimin, depresionin dhe ezaurimin.

-Kështu pra kur jeni duke punuar drejt një qëllimi të caktuar, rruga më e mirë është të shqetësoheni më pak për rezultatin specifik si për shembull humbja e 5 kg dhe më shumë për procesin të ushqyerit shëndetshëm dhe kryerjes të aktivitetit fizik. Në këtë mënyrë, ju do të bëheni elastik ndaj suksesit dhe dështimit.

-Vlerësoni ku ndodheni aktualisht dhe jini të sinqertë në vetëvlerësimin tuaj. Pyeteni veten: Cili është hapi tjetër logjik? Një kurth i zakonshëm është të ndërmarrësh shumë gjëra shumë shpejt, për shembull, heqjen e kalorive në mënyrë drastike, stërvitjen e shpejtë dhe shtimin e orëve të gjumit të gjitha njëherësh. Mos harroni se përparimi i vogël në afat të shkurtër çon në përparim të madh në planin afatgjatë.

-Shmangni krahasimin e vetes me të tjerët. Kjo sjellje çon vetëm në pasiguri, gjë që ju bën të trishtoheni ose të pamatur në hapat pasues (ose nganjëherë të dyja bashkë).

-Respektoni rregullin e 48 orëve teksa ndiqni një rrugë që jep rezultate të matshme. Jepini vetes 48 orë për t’u ndjerë të lumtur ose të mërzitur dhe më pas rikthehuni tek përpjekjet tuaja.

-Rikujtoni rregullisht vetveten se “objektivi juaj” është të përmirësoheni për të qenë më mirë dhe se ky qëllim nuk njeh fund. Ndiqni përparimin për veten tuaj, jo për një lloj vlefshmërie të jashtme. (Quartz)

/Scan/